Ngjarje

Evropa goditet nga i ftohtit ekstrem, stuhitë dhe përmbytjet

Disa nga temperaturat më të ulëta deri më tani këtë dimër u regjistruan në vendet nordike të mërkurën.

Evropa përjetoi kontraste të forta të motit të mërkurën, me të ftohtin ekstrem dhe stuhitë e borës që penguan transportin dhe mbyllën shkollat në Skandinavi.

Ndërkohë, erërat e forta dhe shirat e dendur në Evropën Perëndimore shkaktuan përmbytje dhe vdekje.

Temperaturat ranë nën minus 40 gradë Celsius në rajonin nordik për të dytën ditë radhazi të mërkurën.

Në Suedi, temperaturat kanë rënë në minus 43.6 gradë Celsius, temperatura më e ulët e regjistruar n në 25 vjet, njoftoi agjencia suedeze e lajmeve TT.

Banorët e Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë gjithashtu po përjetojnë të ftohtin e madh.

Temperaturat jashtëzakonisht të ftohta, bora dhe erërat e forta kanë penguar transportin në të gjithë rajonin nordik, me disa ura të mbyllura dhe disa shërbime të trenave dhe trageteve të pezulluara.

Policia në pjesën më të madhe të Danimarkës u ka bërë thirrje shoferëve të shmangin udhëtimet e panevojshme pasi era dhe bora kanë goditur pjesët veriore dhe perëndimore të vendit.

Vala e ftohtë nga Siberia dhe rajoni i Arktikut ka përfshirë gjithashtu Rusinë perëndimore, me temperaturat në Moskë dhe zona të tjera që kanë rënë në minus 30 gradë Celsius.

Zyrtarët në Moskë, Shën Petersburg dhe zona të tjera kanë lëshuar paralajmërime portokalli të motit, duke paralajmëruar banorët kundër rreziqeve të mundshme shëndetësore.

Anglia pushtohet nga stuhitë

Temperaturat e buta, por me erë mbizotëruan më në jug, ku një stuhi bëri kërdi në pjesë të Evropës Perëndimore.

Në Britani, një shofer ka humbur jetën pasi një pemë ra mbi makinën e tij në Anglinë perëndimore.

Stuhia, e cila është quajtur Henk nga shërbimet zyrtare të motit të Britanisë, Irlandës dhe Holandës, ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike, probleme transporti, dëmtime shtëpish dhe rrugësh në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

Më shumë se 300 paralajmërime për përmbytje janë dhënë deri më tani në të gjithë Anglinë dhe Uellsin, ndërsa 10,000 shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike.

Stuhitë më të forta në Britaninë e Madhe u regjistruan në Isle of Ëight, pak larg bregut në Anglinë jugore, ku shpejtësia e erës arriti në 151 kilometra në orë.

Në Francë, shirat e dendur kanë goditur rajonet veriore Pas-de-Calais dhe Nord që nga e diela, duke detyruar evakuimin e rreth 200 njerëzve dhe ndërprerjen e energjisë për 10,000 familje, sipas autoriteteve lokale.

Pjesë të Gjermanisë po përballen gjithashtu me përmbytjet, të cilat mund të përkeqësohen nga shirat që bien në shtetin veriperëndimor të Saksonisë së Poshtme të prekur më keq.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë