Ka ndodhur

Europol mbyll 12.500 faqe me produkte false në 27 vende, mes tyre dhe Shqipëria

Gazeta Si - Në një operacion në 27 vende, përfshirë dhe Shqipërinë e Kosovën, Europol ka goditur dhe mbyllur mbi 12.500 faqe në internet që shisnin produkte false dhe kishin përmbajtje pirate online.

Të dhënat nga operacioni i zhvilluar nga 1 maji deri më 14 nëntor, tregojnë që më shumë mallra të falsifikuara po grumbullohen brenda Bashkimit Europian dhe krimi ndaj pronës intelektuale lidhet ngushtë me krimin e organizuar.

Përgjatë operacionit, janë lëshuar 10 mandate kërkimi dhe 14 persona janë arrestuar ose akuzuar për krim intelektual ndaj pronës. Në një prej aksioneve, policia spanjolle arrestoi 4 persona dhe një u dënua ligjërisht.

Sipas Europol, i dyshuari kryesor fitonte rreth 150.000 euro në muaj dhe bënte një jetë të luksoze, ku posedonte shtëpi, makina të shtrenjta dhe bënte në pushime ekstravagante.

Rrjeti kriminal merrej me marketing në një shkallë të gjerë dhe shpërndarjen e përmbajtjeve audiovizive pirate në internet.

Si rezultat i operacionit, policia spanjolle shkëputi 32 serverë që shpërndanin përmbajtjen e palejuar dhe sekuestroi para, dokumente dhe dy makina të shtrenjta.

Europol thotë se janë fshirë 12.526 faqe interneti, jnë shkëputur 32 serverë të përdorur për shpërndarjen e përmbajtjeve të paligjshme për 2.294 kanale televizive dhe janë mbyllur 15 dyqane online që shesin mallra të falsifikuara në faqe rrjetesh sociale.

Fizikisht janë sekuestruar 127.365 artikuj kontrabandë si veshje, ora, këpucë, aksesorë, parfume, pajisje elektronike dhe kasa celularësh, me vlerë totale mbi 3.8 milionë Euro.

Njësia Bullgare e Krimit Kibernetik hetoi një rrjet kriminal duke përdorur llogaritë dhe faqet e internetit të Facebook për të shitur rroba të falsifikuara që imitojnë marka të njohura. Në një aksion të koordinuar u kryen një sërë kontrollesh në shtëpi dhe u zbulua një punishte me makina qepëse. Autoritetet sekuestruan afishe false, etiketa të markave të njohura, artikuj pa marka, gati për t'u përpunuar, 600 artikuj të falsifikuar me vlerë 35 000 euro dhe një armë zjarri të paligjshme.

Shtetet që morën pjesë në operacion janë: Shqipëria, Belgjika, Bullgaria, Brazili, Kolumbia, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Gjeorgjia, Greqia, Hungaria, Irlanda, Italia, Kosova, Lituani, Malta, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Portugalia, Rumania, Sllovenia, Spanja, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë