Para

Europianët po tërheqin masivisht paratë nga bankat

Depozituesit europianë kanë tërhequr nga bankat 214 mld euro vetëm në 5 muajt e fundit, një nivel rekord.

Rënia në depozitat e bankave në Europë nisi disa muaj pasi Banka Qendrore rriti normat e interesit dhe kjo është një kthesë totale nga fenomeni i kyçjes së parave të shumta në banka, që ndodhi gjatë pandemisë.

Tërheqjet e fundit tregojnë se bankat e kanë pasur të vështirë të marrin dhe mbajnë depozitues edhe para se të ndodhte kaosi financiar, që falimentoi tre banka në SHBA dhe Europë.

Në shkurt, rënia u përshpejtua pasi depozituesit ulën zotërimet e tyre në bankat e eurozonës me 71.4 miliardë euro, që ishte ulja më e madhe që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1997. Depozitat e individëve ranë me 20.6 miliardë euro, rënia më e madhe që nga fillimi i mbledhjes së të dhënave në 2003. Tërheqjet përbëjnë 1.5% të totalit të depozitave që mbajnë bankat.

E njëjta gjë po ndodh edhe në Britaninë e Madhe, ku depozituesit tërhoqën 20.3 mld paund vetëm në janar, një tjetër rekord.

Bankat në zonën e euros nuk i kanë reflektuar në kohë interesat e larta tek depozituesit. BQE rriti normën e saj të depozitave në 3% këtë muaj.

Kjo ka nxitur një kalim nga llogaritë e aksesit të menjëhershëm në llogaritë e kursimeve afatgjata që ofrojnë tarifa më të larta. Depozitat njëditore në bankat e eurozonës ranë 140 miliardë euro në shkurt, duke e çuar rënien gjatë gjashtë muajve të fundit në 512 miliardë euro.

Megjithatë, kjo u kompensua pjesërisht nga një rritje e depozitave me maturim fiks deri në dy vjet, të cilat u rritën me 83 miliardë euro në shkurt dhe me 476.3 miliardë euro në gjashtë muajt e fundit. Kursimtarët kanë vënë gjithashtu më shumë para në fondet e tregut të parasë dhe letrat me vlerë të borxhit të emetuara nga bankat.

BQE tha se disa nga depozitat e tërhequra u investuan përsëri në bankat e eurozonës, të cilat rritën financimin e tyre duke emetuar 155 miliardë euro obligacione – më shumë se dy të tretat e tyre letra me vlerë afatgjatë – në gjashtë muajt deri në shkurt.

“Të dhënat tregojnë se kursimtarët vazhduan të hedhin paratë e tyre në forma parash më pak likuide, por me rendiment më të lartë,” tha Jack Allen-Reynolds, një ekonomist në grupin kërkimor Capital Economics.

Ndërsa depozituesit po reduktojnë pasuritë e tyre të përgjithshme në bankat e eurozonës, Allen-Reynolds tha se “ata investuan një pjesë të këtyre parave në bono të emetuara nga bankat, kështu që kjo nuk është domosdoshmërisht një shenjë se klientët po humbnin besimin në sistemin bankar”.

Kreditimi total nga bankat për klientët e eurozonës ra për të tretin muaj radhazi në shkurt, duke e çuar rënien totale prej tre muajsh në 72 miliardë euro dhe duke i dhënë fund gati pesë viteve të rritjes së qëndrueshme.

Ekonomistët mendojnë se trazirat e këtij muaji në sektorin bankar ka të ngjarë t’i bëjnë huadhënësit më të kujdesshëm, duke shtrydhur ofertën e kredisë.

“Ne presim që rritja e kredisë të vazhdojë të ngadalësohet në afat të shkurtër dhe të fillojë të rimëkëmbet në një fazë të mëvonshme kur normat afatshkurtra të gjejnë stabilitet dhe mjedisi ekonomik të përmirësohet,” thanë në një shënim analistët bankarë në Jefferies.

Burimi: FinancialTimes, Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë