Shendet

Europën e shqetëson vetvrasja e meshkujve, Shqipërinë raporti vetvrasje/vrasje

Numri i vdekjeve të shkaktuara nga dëmtimi i vetes (vetvrasje) në Bashkimin Europian për 2016-ën, raporton sot Eurostat ka qenë 53,500, shifër që i korrespondon 1% të të gjitha natyrës së vdekjeve që janë raportuar në atë vit.

Më shumë se ¾ e vetvrasjeve kanë qenë në radhët e burrave (77%).

Kur shifrat analizohen sipas moshës dhe gjinisë, përqindja e vdekjeve të shkaktuara nga vetë-dëmtimi me dashje ishte më e larta tek burrat e moshës 20-24 vjeç (21%). Për gratë proporcioni ishte më i larti tek grupmosha 15-19 vjeç (16%).

Megjithatë, si për burrat ashtu edhe për gratë, më shumë se gjysma e vdekjeve për shkak të vetë-dëmtimit të qëllimshëm në vitin 2016 ishin midis atyre të moshës 50 vjeç ose më shumë.
Në Shqipëri në atë vit numri i vetëvrasjeve për 100 mijë banorë ishte 8.2, ose 235 persona, ndërkohë ky tregues për 2015-n sipas Organizatës Botërore të Shëndetit ishte 5.3 vetëvrasje për 100 mijë banorë, duke treguar një rritje të ndjeshme brenda një viti, ku në 100 mijë banorë 3 veta më shumë vendosin t’i japin fund jetës. Edhe në Shqipëri, vetvrasjet kanë rezultuar të jenë kryer më shumë në radhët e meshkujve.

Megjithëse në rritje, treguesi i vetvrasjes në Shqipëri është më i ulët krahasuar me të gjithë vendet e rajonit, apo vendet europiane, Nga vendet e rajonit, Serbia ka numrin më të lartë të vetëvrasjeve për 100 mijë banorë, ku në 2015-n norma e vetvrasjeve ishte 19.9 banorë. Në Malin e Zi, norma ishte 12.5, në Maqedoni 9.9, në Bosnje 7.1.

Por në Shqipëri vërehet një fenomen tjetër. Numri i vetëvrasjeve është më i lartë se ai i vrasjeve. Për vitin 2016, sipas të dhënave të INSTAT, janë vrarë 85 persona, teksa vetvrasjet u regjistruan 235 në numër.

Ky fenomen vihet re edhe një vit më vonë, në 2017-ën kur edhe pse numri i vetvrasjve ra me 38, raporti vetvrasje/vrasje u katërfishua.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë normën më të lartë të vetëvrasjeve në rang global e ka Kazakistani dhe Mongolia, së bashku 48 vetëvrasje për 100 mijë banorë.

Norma më e lartë e vetëvrasjeve shënohet kryesisht në vendet Europës Lindore, ku në pjesën më të madhe të tyre treguesi e kalon shifrën e 35 vetëvrasjeve në 100 mijë banorë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 78% të vetëvrasjeve në rang global ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Në botë çdo 40 sekonda një njeri i jep fund jetës së tij. Sipas statistikave meshkujt kryejnë numrin më të madh të vetvrasjeve krahasuar me femrat në raportin 3 me 1.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë