Shendet

Europa skeptike ndaj vaksinave AstraZeneca; Shqipëria merr sasi prej 90 mijë dozash

Në Europë ka një sërë polemikash për sa i përket vaksinës AstraZeneca për shkak të studimeve të ndryshme se ka pasoja të mëdha shëndetësore, siç është mpiksja e gjakut. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se në fundjavë do të vijnë rreth 90 mijë doza të vaksinës AstraZeneca, pavarësisht se vendet europiane kanë një skepticizëm ndaj përdorimit të kësaj vaksine.
Rreth 1 muaj më parë shumë vende në Europë pezulluan përdorimin e vaksinës Astra Zeneca dhe pezullimi vazhdoi deri në një deklaratë të Agjencisë Europiane të Barnave, e cila shpjegoi që nuk ka asnjë rrezik përdorimi i kësaj vaksine. Ndërkaq e njëjta gjë ka ndodhur në SHBA me vaksinën Johnson & Johnson (J&J). Pikërisht dje autoritetet ndaluan përdorimin e kësaj vaksine dhe ekspertët po vijojnë të studiojnë mbi efektet anësore.
Ndërkaq Ministria e Shëndetësisë në vendin tonë tha për Gazetasi.al se bazohet në vendimet e ekspertëve të Komitetit të Imunizimit dhe Vaksinimit. Sipas Ministrisë deri më tani nuk ka një sugjerim për të mos vijuar me vaksinimin.
Nga ana tjetër Komisioni Europian ka vendosur të mos rinovojë kontratat e vaksinave COVID-19 vitin e ardhshëm me kompani të tilla si Astrazeneca dhe Johnson & Johnson (J&J). Lajmi u raportua të mërkurën nga gazeta italiane “La Stampa” duke cituar një burim nga Ministria Italiane e Shëndetësisë.
"Komisioni Evropian, në marrëveshje me udhëheqësit e shumë vendeve (BE), ka vendosur që kontratat me kompanitë që prodhojnë vaksina (vektorë viral) të vlefshëm për vitin aktual nuk do të rinovohen në skadimin e tyre," ka raportuar kjo media.

Gjithashtu, Marco Cavaleri kreu i strategjisë së vaksinimit pranë Agjencisë Evropiane të Barnave ka deklaruar se ekziston një lidhje mes vaksinës AstraZeneca me një reaksion në trup që shkakton mpiksjen e gjakut. Më pas Agjencia Evropiane e Barnave, EMA deklaroi se AstraZeneca është e sigurt për përdorim dhe se përfitimet prej saj janë më të mëdha se rreziku i ulët i efekteve anësore. Sidoqoftë, pavarësisht garancive të ofruara, vende të ndryshme evropiane si Franca, Spanja, Gjermania e të tjera kanë pezulluar përdorimin e saj për personat nën 60 vjeç, ndërsa Britania e Madhe e ka ndaluar vaksinimin me këtë vaksinë për personat nën 30 vjeç.
Ndërkohë në mes të këtyre ngjarjeve Danimarka është shteti i parë që ka ndaluar plotësisht vaksinimin e popullsisë së saj me vaksinën AstraZeneca dhe drejtori i OBSH për Evropën, Hans Kluge ka deklaruar se ky shtet do t’i dhurojë vaksinat shteteve të varfra.
“Dje fola me Soren Brostromin, drejtor i autoritetit shëndetësor danez dhe kuptova se Ministria e Jashtme po shqyrton opsionet për të ndarë vaksinën AstraZeneca me vendet e varfra”, tha Kluge.
Nga ana tjetër vijojnë studimet për të zbuluar efikasitetin edhe pasojat e kësaj vaksine dhe deri më tani pjesa më e madhe e tyre sqarojnë se AstraZeneca ka lidhje me mpiksjen e gjakut.
Kreu i agjencisë, Soren Brostrom, më herët ka deklaruar se një studim i fundit tregoi se një në 40,000 persona që merrte vaksinën do të zhvillonte efekte anësore serioze.
"Bazuar në një konsideratë të përgjithshme, ne kemi zgjedhur për të vazhduar programin e vaksinimit për të gjitha grupet e synuara pa këtë vaksinë," shtoi ai.
Autoriteti Shëndetësor Danez tha se disponueshmëria e vaksinave të tjera të kombinuara me pandeminë që ishte nën kontroll në vendin skandinav për momentin do të thoshte se fushata e vaksinimit mund të vazhdonte edhe pa vaksinën AstraZeneca.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë