Analize

Europa po bëhet gati për humbjen e Biden

Ka edhe një vit kohë para se SHBA të futet në votime, por në zemër të Europës, punët po bëhen me shpejtësi në rast të ndonjë ndryshimi të mundshëm në Shtëpinë e Bardhë.

“Ka bashkëpunim dhe koordinim të fortë BE-SHBA. Nga nivelet zyrtare tek ato më të larta”, thotë një zyrtar i BE-së që dëshiron të jetë anonim.

“BE-ja është në dijeni se bashkëpunimi nuk është i mirëqenë dhe mund të ndryshojë nëse në Shtëpi hy dikush si p.sh Donald Trump. Europa po mundohet të shfrytëzojë kohën që i ka mbetur duke shqyrtuar dosjet dhe temat e përbashkëta”, thotë zyrtari.

BE-ja, një grup me 27 vende, u gëzua fort kur Joe Biden fitoi presidencën, pas sfidës 4-vjeccare me Donald Trump, kur lidhja transatlantike rezultoi në nivelin më të ulët. Të dyja palët kanë këndvështrime të ndryshme mbi tregtinë, mbrojtjen dhe teknologjinë -  dhe të mos harrojmë, disa tensione.

Por pati një përmirësim drastik në momentin që Biden u fut në zyrë. Stili dhe politika e tij lidhej shumë me Brukselin, përfshirë temën e pandemisë dhe dryshimeve klimatike. Kjo u qartësua akoma më shumë me pushtimin rus të Ukrainës, ku liderët u bënë bashkë.

“SHBA dhe BE kanë mbajtur qëndrim të fortë kundër sulmit rus”, tha presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen. “Putin tha se ai do të na ndante ne, por ne jemi më të bashkuar se kurrë. “

Por ka mundësi, që dakordësia e tanishme mund të përfundojë nëse një president i ri vjen në Shtëpinë  e Bardhë.

“Do të jetë një marrëdhënie e vështirë”, thotë Kevin Klowden, strategjist i Milken Institute, në rastin e një skenari të fitores së republikanëve. “Europianët shqetësohen se mos Amerika ndalon mbështetjen për Ukrainën”.

Kur Trump u pyet se kush dëshiron ai ta fitojë luftë, Rusia apo Ukraina, nuk u përgjigj. Ai as nuk pranoi se mund të vazhdonte mbështetjen për Kievin në rast se fitonte përsëri presidencën. Por ai tha se konflikti do të mbarojë për 24 orë nëse ai rikthehet në postin drejtues.

Guvernatori i Floridas, Ron DeSantis, që pritet të hapë fushatën e tij 2024, tha se SHBA nuk duhet të përfshihet më tej në luftën e Ukrainës.

“Partneriteti transatlantik mbetet thelbësor për BE-në”, tha një diplomat europian, duke folur gjithashtu në kushte anonimiteti për shkak të natyrës së ndjeshme të situatës.

Megjithatë, i njëjti burim tha se marrëdhënia mund të duket paksa e ndryshme në të ardhmen gjithsesi pasi Europa duket të bëhet më pak e varur nga pjesët e tjera të botës – duke përfshirë Kinën dhe SHBA-në.

“BE-ja po zhvillon rrugën e saj drejt autonomisë strategjike, që nuk do të thotë se ne po ua kthejmë shpinën aleatëve tanë. Përkundrazi, do të thotë që ne duhet të jemi më të aftë për të bërë zgjedhjet tona”, tha i njëjti diplomat, duke shtuar se kjo do të vazhdojë pavarësisht se kush është në detyrë në Shtëpinë e Bardhë.

Në Europë është kuptuar se kushdo që të jetë presidenti i ardhshëm amerikan, natyrisht do të ketë në mendje interesat e SHBA-së, të cilat shpesh nuk përputhen me atë që dëshiron Europa. Dëshmi e kësaj ishte kur administrata Biden, pavarësisht nga një marrëdhënie e ngushtë, futi subvencione të paprecedentë të gjelbër, të cilat kërcënuan ekonominë europiane. Akti i SHBA-së për Reduktimin e Inflacionit, e la Europën të verbër dhe në kërkim të koordinimit.

Ndërkohë, zgjedhjet në mbarë BE-në priten në qershor 2024 dhe zyrtarët në Bruksel thonë hapur se kanë kohë deri në fund të këtij viti për të përfunduar veprimet e politikave. Zyrtarët besojnë se nuk do të jenë në gjendje të miratojnë legjislacionin e ri nga janari e tutje me ligjvënësit të fokusuar në fushatën e tyre zgjedhore./CNBC


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë