Treg

Euro në të kuqe, këmbehet me 99.08 lekë

Nga Gazeta 'SI' - Euro ka nisur javën me një rekord të ri minimal në këmbim me lekun.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, këtë të hënë një euro këmbehet me 99.08 lekë, vlera më e ulët e regjistruar ndonjëherë.

Valutat e tjera kryesore shënuan një rritje të lehtë ditën e hënë, por duke qëndruar sidoqoftë pranë niveleve të ulëta shumëvjeçare. Dollari amerikan këmbehej me 89.22 lekë.

Në 30 ditët e fundit, kursi i këmbimit të euros ka rënë me 1.4%, ndërsa me bazë vjetore rënia ka arritur në 6.9%. Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë për herë të fundit në kursin e këmbimit valutor në fillim të muajit gusht.

Në kulmin e sezonit veror, kur pritej goditje e fortë e euros, pati një stabilizim të kursit të këmbimit, por shtatori riktheu rënien.

Sipas BSH flukset e mëdha të euros nga turistët, investimet e huaja dhe eksportet po ushtrojnë presion mbi monedhën europiane. Vetë guvernatorit Genti Sejko i bëri thirrje qeverisë për bashkëpunim, pasi Banka e vetme nuk mban dot kursin.

Sejko ripërsëriti rolin e parasë informale në zhvendosjen e kursit të këmbimit dhe theksoi se në një vit monedha europiane është zhvlerësuar me 20% kundrejt lekut.

“Vjet kemi pasur 6 miliardë euro të hyra formale, por sidoqoftë ne nuk e kemi mohuar kurrë edhe prezencën e parasë informale përsa kohë kemi nivel të lartë informalitetin në ekonomi. Për këtë arsye ekziston edhe paraja informale që mund të vijë nga burimet kriminale, evazioni fiskal ose edhe të tjera,” deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë