Nga Gazeta 'SI' - Euro ka thyer ‘mallkimin’ e 100 lekëve, ku po qëndronte prej disa javësh.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, sot një euro këmbehet me 101.14 lekë nga 100.6 që ishte një ditë më parë. Paralelisht të gjitha valutat e tjera janë forcuar lehtë përballë lekut me dollarin që këmbehet me 93.5 lekë dhe paundin britanik 118.8.
Në fillim të muajit maj, kursi euro-lek arriti nivelin më të ulët ndonjëherë, dhe një euro këmbehej me 100.3 lekë. Në shërbimet publike apo pikat private të këmbimit, euro u ul deri në 80 lekë për njësi.
Lëvizjet e fundit të valutave vijnë pak ditë pasi për herë të parë, Guvernatori Gent Sejko pranoi se kursi i këmbimit është i ekspozuar ndaj parave informale dhe se në Shqipëri futen vlera të mëdha euro.
“Ofertë e shtuar eurosh nga kanalet informale s'e masim dot por sigurisht që ekzistojnë, por vetëm në kanalet formale që ne i masim shifrat janë me miliarda. Ne masim euron që qarkullon në sistemin bankar financiar dhe zyrat e këmbimit valutor, për ato që janë jashtë tregut, pra eurot informale që mund të vijnë nga aktivitete kriminale, informale apo korruptive është e pamundur për tu mbajtur nga BSH ”, tha Guvernatori Sejko në komisionin e Ekonomisë.
Në të njëjtën ditë ai tregoi se BSH ka ndërhyrë në treg për të stabilizuar kursin e këmbimit dhe janë blerë në total 260 mln euro.
Sezoni veror pritet ta dobësojë më tej euron duke e bërë Shqipërinë më të shtrenjtë dhe për turistët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.