Arsim

‘Është zhvlerësuar paga’/ Dorëzohet në kuvend projektligji për njohjen e diplomave të mësuesve para vitit 2015

Nga Gazeta Si- Miratimi i një akti normativ që zhvlerësoi diplomën e mësuesve të diplomuar para vitit 2015 ka shtyrë mësuesit që të dërgojnë në kuvend një projektligj të ri i cili ka për qëllim të zgjidhë problemin e pagave të rreth 11 mijë mësuesve në sistemin parauniversitar.

Në VKM e pagave në 2014, diplomat 3 vjeçare të mësuesve që kanë mbaruar studimet me sistemin e vjetër janë zhvlerësuar, duke u reflektuar edhe në paga.

Kështu, një diplomë 3 vjeçare para sistemit të Bolonjës është njehsuar me një diplomë Bachelor, edhe pse asokohe 3 vjecari konsiderohej si cikël i mbyllur dhe cilësohej “Cikël i plotë i studimeve, me titull mësues i profilit”, pasi në ato vite programi ishte hartuar që të zhvillohej i plotë në 3 vite.

Ndërkohë, me ligjin e ri, ‘bachelor’ përfshin vetëm mbylljen e ciklit të parë të studimeve, pa një titull specifik. Kështu, mësuesit që kanë mbaruar ‘bachelor’ me cikël të plotë paguhen njësoj si mësuesit që kanë mbaruar ‘bachelor’ si cikël të parë studimi.

Në pagë, mësuesit që kanë mbaruar cikël të plotë 3 vjeçar paguhen 10 mijë lekë rrogë bazë, nga 14 mijë lekë që duhej të paguheshin.

Projektligji është dërguar nga deputetja Ina Zhupa e cila bashkë me disa mësuese, tha se kjo është një padrejtësi që u bëhet.

Gentjana Hoxhallari, mësuese e ciklit fillor thotë se pas 25 vitesh punë, diploma e saj zhvlerësohet dhe nuk paguhet në të njëjtën mënyrë si kolegët e saj.

“Ky projektligj është shpresa jonë për të marrë vlerën e merituar.”

Teuta Langa, mësuese e edukimit fizik, theksoi se, edhe pas 38 vitesh punë, diploma e saj nuk njihet plotësisht dhe shpërblimi financiar nuk është i barabartë me kolegët që kanë përfunduar studimet më vonë. 

Ndërsa Alma Lama, kryetare e sindikatës së bashkuar të mësuesve tha se kjo VKM është dërguar edhe në Kushtetuese por nuk është marrë një vendim pasi votimi u nda 4 me 4.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë