Ngjarje

“Është bërë kjo fjalia ‘jam përdorues droge’ sikur po thuhet “më pëlqejnë ëmbëlsirat”

Drita pret jashtë dyerve të Gjykatës së Tiranës. I biri është arrestuar me një dozë droge dhe gruaja më tepër është e shqetësuar për të ardhmen e tij sesa çfarë do të vendosë gjykata.
“E mësoi atë dreq në shkollë të mesme, filloi me hashash, por ne e kuptuam shumë vonë. Ai pinte atë drogën që thithet me hundë, si çfarë është kokainë apo si… Vjet e dërguam edhe në një qendër dhe ndryshoi , pastaj ju rikthye sërisht avazit. Nuk dua asgjë tjetër nga kjo jetë vetëm që im bir ta lërë drogën”, thotë nëna e dëshpëruar.

Drita Doni, nëna e të riut Mehmet Doni. Gazeta "Si", 27 tetor 2019

Ndërkohë i riu lëviz pareshtur këmbët duke i tundur nga nervoziteti. Nga kafazin e qelqtë të gjykatës Mehmet Doni , 19 vjeç, dëgjon prokurorin që parashtron pretendimet se si 19-vjeçari gjatë një kontrolli rutinor u kap me 0.6 gramë kokainë. “Por unë kërkoj masën e detyrimit me paraqitje, pasi i dyshuari është përdorues droge”, deklaron në fund të rreshtimit të fakteve prokurori. Mehmet Doni ngrihet në këmbë sapo gjyqtarja e masave të sigurisë e pyet “a ke gjë për të shtuar?”

Muhamet Doni përpara Gjykatës, në caktimin e masës së arrestit. Gazeta "Si", 27 tetor 2019

Mehmet Doni nëpër dhëmë pohon “jam përdorues zonja gjyqtare dhe jam i penduar”.
Gjyqtarja e pyet a punon apo jo dhe ai shton “punoj me xhajën elektriçist dhe lekët i përdor për drogë…” E ndeshur shpesh me të rinj që arrestohen me doza të vogla dhe që më pas rezultojnë përdorues, gjyqtarja në një çast merr edhe rolin e këshilluesit. “Është bërë kjo fjalia “jam përdorues droge” sikur po thuhet “më pëlqejnë ëmbëlsirat dhe i konsumoj vazhdimisht”. Nuk e kuptoj , por duhet të mësosh diçka nga ky gjyq, ti dëmton vetën në radhë të parë. Je shumë i ri të bredhësh nëpër gjykata e polici. Mendo pozitivish për jetën, puno dhe jeto mirë”, deklaroi gjyqtarja Tereza Merkaj, përpara se t’i binte çekiçit dhe të urdhëronte lirimin e menjëhershëm të përdoruesit dhe detyrimin e tij për t’u paraqitur para organeve të drejtësisë.

Anxhela Kaca, përpara Gjykatës, në caktimin e masës së arrestit. Gazeta "Si", 27 tetor 2019

Por ndërkohë një përdoruese tjetër nuk pati të njëjtin fat. Anxhela Kaca, 23 vjeçe, përfundoi pas disa orëve e arrestuar, në masën e arrestit me burg. Vajza u arrestua pas denoncimit të së ëmës dhe të motrës së mitur, të cillat ajo i kishte dhunuar, një krim për të cilin gjithmonë gjykatat nuk janë tolerante. Nëna e saj i tha policisë se e bija ishte përdoruese dhe ishte shpesh agresive. E ndërsa e reja u justifikua duke thënë se i kishte rrahur familjaret pasi ishte kthyer në mëngjes në shtëpi dhe ato nuk i kishin hapur derën, avokati i saj solli edhe një prokurorë të hallës së saj, që premtonte se “do ta mbante ajo mbesën në shtëpi derisa të hynte në rrugë të drejtë”. Por pavarësisht dashurisë, dhuna mbetet dhunë, aq më tepër kur viktimë e saj bie edhe një e mitur, sikurse ndodhi me të motrën e të akuzuarës.
Përdorimi i drogës ka marrë përmasa shqetësuese në vend. Shumica e të rinjve, sikurse tregon një burim i Gazetës “Si” pranë Antidrogës, nisin me përdorimin e hashashit në shkolla për ta rënduar më tej situatën. Por nuk ka asnjë të dhënë se sa është saktësishht numri i përdoruesve të drogës.

Doza me kanabis të sekuestruara nga policia në Tiranë. Gazeta "Si", 27 tetor 2019

A. Dakolli nga Shijaku dhe me banim në Tiranë, telefonoi policinë në një çast kur gjendja ishte rënduar në shtëpinë e tij. I moshuari tha: “Prej katër vitesh kam marrë vesh që im bir është përdorues droge. Kohët e fundit gjendja e tij është bërë e padurueshme, ai ka filluar të bëhet agresiv. Biseduam me mjekët për ta shtruar, por ai nuk pranoi. Ai jo vetëm na kërcënon, por po shet edhe orenditë e shtëpisë”. Por të dy prindërit pas telefonatës dhe shoqërimit të të riut pranë komisariatit numër katër për dyshimet e dhunës, i zbutën më pas tonet dhe i kërkuan ndihmë policisë nëse ajo mund ta bindte të riun ta lindte drogën. Por diçka e tillë nuk ndodh me urdhëra, duhen qendrat e rehabilitimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë