Muzike

Ermal Meta mbush 45 vjeç, 7 gjëra që (ndoshta) nuk i dini për kantautorin

Gazeta Si – Sot, kantautori shqiptar, Ermal Meta feston ditëlindjen e tij të 45-të. I lindur në Fier, më 20 prill 1981, ai u zhvendos me nënën, vëllain dhe motrën e tij në Bari në moshën 13 vjeç.

Që prej asaj kohe, jeta e tij ka ndryshuar dhe karriera muzikore ka njohur hapa të rëndësishëm si në Itali, ashtu edhe në skenën europiane.

Mbërritja në Bari në moshën 13 vjeç

Në vitin 2023, në një monolog prekës në emisionin “Le Iene”, ai zbuloi se nëna e tij arriti të largohej nga Shqipëria falë ndihmës së dy të huajve: personit që i siguroi asaj një pasaportë të falsifikuar dhe oficerit që e vulosi dokumentin, pavarësisht se e kuptoi që ishte një falsifikim, i nxitur nga dëshpërimi i një nëne që përpiqej vetëm të shpëtonte fëmijët e saj.

“Dy akte mirësie shpëtuan katër jetë. Midis atyre jetëve, ishte edhe imja. Duhet të jesh i mirë për të shpëtuar dikë”, – u shpreh asokohe Ermali.

Ermal Meta gjatë koncertit të 1 Majit të CGIL, CISL dhe UIL për Ditën e Punës, në Circus Maximus, Romë, 1 maj 2024

Punët e tij para famës

Duke u rritur dhe dëgjuar muzikë klasike, Ermal Meta filloi të luante në moshën 16 vjeç. “Kam qenë i përfshirë me muzikë që kur isha fëmijë”, i tha ai “Corriere”-s në vitin 2019.

“Nëna ime ishte violiniste klasike, vetëm muzikë shtëpie dhe partitura. Nga Shqipëria, mbaj mend vetëm këngëtarë të regjimit dhe muzikë popullore. Dëgjoja muzikë ndërkombëtare. Pastaj zbulova këngët italiane me, “Almeno tu” nga Mia Martini dhe “Mare mare” nga Carboni. Kur mbërrita në Bari, kolona zanore e dashurisë sime të parë ishte Venditti. Për të mësuar gjuhën, i shkruaja fjalët që nuk i kuptoja në një fletore”.

Kantautori ishte pjesë e grupeve të ndryshme përpara se t’i bashkohej “Ameba 4” si kitarist. Me grupin, ai mori pjesë në Festivalin e Muzikës Sanremo 2006 në seksionin e Artistëve të Rinj me këngën “Rido… forse mi sbaglio”.

Megjithatë, përpara se t’i përkushtohej plotësisht muzikës, Meta bëri punë të ndryshme: “Punë në kuzhinë, shitës gazetash në semaforë, operator i qendrës së thirrjeve”.

Ermal Meta mes përfaqëuesve të rinj në “Sanremo Giovani 2015”

Në Sanremo Giovani me Francesco Gabbani dhe Irama

Në vitin 2007, Ermal Meta themeloi një grup të ri, “La Fame di Camilla”, me të cilin publikoi tre albume. Grupi, i cili performoi gjerësisht në të gjithë Italinë, konkurroi në Festivalin e Muzikës Sanremo 2010 në seksionin “Giovani” – me këngën “Buio e luce”.

Pas shpërbërjes së grupit, Meta filloi një karrierë si tekstshkrues, duke shkruar këngë për shumë artistë italianë, përfshirë Emma, ​​Francesco Renga, Patty Pravo, Chiara Galiazzo, Marco Mengoni, Francesca Michielin, Francesco Sarcina dhe Giusy Ferreri.

Më pas, ai konkurroi në Sanremo Giovani 2015, ku u përzgjodh së bashku me Chiara Dello Iacovo, Cecile, Michael Leonardi, Francesco Gabbani dhe Irama, duke marrë pjesë në Festivalin e vitit të ardhshëm.

Ermal Meta performon në skenë në teatrin Ariston gjatë edicionit të 76-të të Festivalit Italian të Këngës në Sanremo, në Sanremo, Itali, më 28 shkurt 2026

Në skenën e “Ariston”

Ermal Meta u rikthye në Sanremo në vitin 2017 me “Vietato morire” (një këngë që i siguroi vendin e tretë). Vitin pasardhës, ai performoi në “Ariston” me Fabrizio Moro, duke fituar edicionin e 68-të të festivalit me “Non mi avete fatto niente”.

Me të njëjtën këngë, të dy përfaqësuan Italinë në Festivalin e Këngës Eurovision 2018 në Lisbonë (duke u renditur në vend të 5-të).

Ermal Meta garoi përsëri në Sanremo në vitin 2021 me “Un milione di cose da dirti” dhe në edicionin e këtij viti (2026) me “Stella stellina”.

Ermal Meta merr pjesë në një foto-takl në edicionin e 76-të të Festivalit Italian të Këngës në Sanremo në Teatrin Ariston në Sanremo

Marrëdhënia e ndërprerë me babain

Këngëtari dhe kompozitori shqiptar ka folur në më shumë se një rast për të atin, një figurë që ai e përshkruan si abuzuese, me të cilin i ndërpreu lidhjet dekada më parë.

“Ai u largua nga jeta ime në vitin 1990, nuk e kam parë për 28 vjet”, – tha Ermal Meta për “Verissimo” në vitin 2018.

“Ai mungonte edhe kur ishte atje. Unë as nuk flisja me të kur ishte në shtëpi”. Meta kompozoi këngët, “Lettera a mio padre” (2014) dhe “Vietato morire” (2017, një lloj vazhdimi i “Lettera a mio padre” që përqendrohet te dhuna në familje), duke iu referuar situatës së tij personale.

Ermal Meta

Librat

Në vitin 2022, Ermal Meta botoi librin e tij të parë, “Nesër dhe Përgjithmonë” me një subjekt të vendosur në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Romani paraqet Kajanin, një muzikant të talentuar që u rrit me gjyshin e tij mes ëndrrave, realitetit të ashpër dhe një të ardhmeje të paparashikueshme.

“I imi është një libër për fatin, për atë që bëhet e pashmangshme, për mënyrën se si një gjë e vogël mund të ndryshojë gjithçka”, i tha kantautori “Sette”-s.

“Mendoja se fati ishte si një brazdë e mbuluar vazhdimisht nga mjegulla e të ardhmes. Se është një lloj shtëpie me dritat e fikura; hyn, por nuk mund të shohësh asgjë, duhet ta ndezësh disi dritën dhe kur e bën, ai është momenti i të tashmes. Tani mendoj se brazdat janë të shumta dhe paralele, dhe se ne kërcejmë nga njëra në tjetrën sa herë që bëjmë një zgjedhje”. Libri i dytë i Ermal Metës, “Kamelitë e Dimrit”, u botua në vitin 2025.

Ermal Meta me partneren e tij Chiara dhe vajzën Fortuna

Jeta personale

Ermal Meta ka qenë gjithmonë shumë privat në lidhje me jetën e tij sentimentale. Ai kaloi një marrëdhënie të gjatë dhe private me prezantuesen e radios, Silvia Notargiacomo. Më vonë ai u lidh me Chiara Sturdà, me të cilën kanëë një vajzë, Fortuna, në vitin 2024.

Dy vajzat e tjera të çiftit, që së shpejti do t’i bashkohen familjes, janë dy vajza shqiptare që Meta dhe Sturdà kishin dashur t’i birësonin (por nuk mundën, sepse çifti nuk është i martuar. Vajzat do t’i bashkohen familjes së tyre në qershor, kur të dyja të mbushin 18 vjeçe).

“I takuam disa vite më parë kur mora pjesë në një mbledhje fondesh për të ndihmuar një shtëpi kujdesi në Shqipëri”, tha kantautori disa muaj më parë.

“Më prekën historitë e tyre: kur çiftet shkonin të vizitonin shtëpitë e kujdesit ose jetimoret ku kishin qenë, shikonin vetëm fëmijët më të vegjël. Askush nuk i shikonte kurrë vajzat më të mëdha. Kur më thanë se askush nuk na do, zemra ime u thye, u copëtua në një mijë pjesë”.

Burimi: “Corriere della Sera”; Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë