Nga Gazeta ‘SI’ – Enti Rregullator i Energjisë, ERE, ka rrëzuar kërkesën e deputetes demokrate Jorida Tabaku, për të pezulluar fuqizimin e fashës 800 KWh për periudhën tetor-dhjetor 2022. Bordi i ERE-s e ka arsyetuar këtë vendim me faktin se në treg nuk ka mjaftueshëm energji për të mbuluar nevojat, që sjell kosto të larta të blerjes së saj.
Deputetja e Partisë Demokratike i ka kërkuar ERE të mos fuqizojë rritjen e çmimit përtej fashës së 800 kilovatorëve për konsumatorët familjarë, pasi sipas saj, tani një kilovat në bursë blihet me vetëm 50 euro dhe jo sa pretendohet. Ajo e ka bërë këtë kërkesë që kur u propozua fillimisht nga qeveria.
ERE e shtyu njëherë fuqizimin e çmimit përtej 800 kilovatorëve, në fillim të muajit tetor, duke ndjekur vendimin e qeverisë për rikthimin në një moment të dytë.
Kur kreu i qeverisë, Edi Rama njoftoi shtyrjen e saj, tha se kjo ka ndodhur për shkak të reshjeve dhe mbushjes së kaskadës si edhe ndërgjegjësimit konsumator. Çdo kilovat që familjet shpenzojnë përtej fashës 800, do të paguhet me 42 lekë.
Në mbledhjen e ERE, që po zhvillohet ende, ndër të tjera, do të shqyrtohet edhe kërkesa e ALPEX sh.a, bursa e energjisë dhe të OST sh.a, për miratimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike si dhe anulimin e rregullave vjetra
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.