Mes variantit për të ndërtuar një lagje të vetme dhe atij për t’i shpërndarë në dy ose më shumë zona të Tiranës ndërtimet e reja që do të strehojnë personat e dëmtuar nga tërmeti, Qeveria duket se ka zgjedhur variantin e dytë.
Kryeministri Edi Rama, i sapokthyer nga samiti i NATO-s në Londër bëri me dije këtë plan.
“Në Tiranë jemi të qartë se duhet një ndërhyrje e fortë në Kombinat. Duhet prishja e atyre godinave me probleme dhe ndërtimi i një blloku të ri banesash për të akomoduar ata njerëz. Një pikë tjetër do të jetë te “5 Maji”, pranë lumit ku ne mund të bëjmë spostime, pa ju spostuar komplet jetën. Aty do të bëjmë një lagje tjetër dhe tjetra do të jetë te ish-Uzina e Autotraktorëve (në Shkozë)”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se këto tre pika plotësojnë nevojën. Këtyre ndërtimeve do t’u shtohen edhe lagjet që do të ndërtohen në Durrës dhe Laç. Kryeministri tha se Qeveria i qëndron idesë për të ngritur 10 mijë apartamente. Puna më parë pritet që të nisë fillimisht në Laç nga Turqia.
“Brenda janarit të kemi planet e rindërtimit gati dhe të fillojmë me zbatimet para se të hapim kantieret. Në pranverë do të hapim të gjithë kantieret. Në Laç duhet të hapet menjëherë sa më shpejt. Jemi komunikim me agjencinë shtetërore të strehimit të Turqisë që ai premtimi i Erdogan për 500 shtëpi të fillojë të realizohet dhe aty kemi bllokun më kompakt dhe hapësirën më të mundshme për të vepruar tani. Në Tiranë dhe Durrës duhet të planifikojmë ndërkohë që në Laç infrastruktura është aty, ujë, kanalizime etj. Ndërsa aty ku do të ndërtojmë në Tiranë dhe Durrës është ferra”, u shpreh ai.
Sa i takon strehimit, Rama konfirmoi shifrën e rreth 12 mijë personave që janë jashtë banesave të tyre. Nga këta mbi 4 mijë Qeveria thotë se ndodhen nëpër hotele, ndërsa pjesa tjetër në çadra, palestra dhe ambiente të tjera publike e private. Kryeministri u shpreh se për personat e strehuar nëpërë çadra po punohet që t’u sigurohen çadra dimërore.
Qeveria thotë se në Kosovë janë strehuar 783 persona. Qëllimi i Ramës është që t’i rikthejë ata në Shqipëri dhe këtë detyrë Rama ja besoi ministres së Mbrojtjes, Ogerta Manastirliu dhe ministres së Arsimit, Besa Shahini.
Qeveria po shikon edhe mundësinë e kalimit të disa fondeve të parashikuara në buxhetin e këëtij viti për në buxhetin e vitit të ardhshëm. Rama përsëriti se ndërhyrjet në buxhet nuk do të prekin projektet, apo investimet madhore, përfshirë këtu edhe kontratat koncesionare PPP. Anulimin e këtyre të fundit e ka propozuar si zgjidhje opozita.
“Në Parlament do të diskutojmë sot për buxhetin dhe aty do të kemi gjëra me specifike. Nuk do të prekim palcën e shtyllës kurrizore të buxhetit, sikur na është propozuar apo propaganduar si zgjidhje magjike. Nga buxheti kemi hequr shpenzimet për makina, zyra, pajisje, etj. Pa prekur strukturën e investimeve për teknologjinë, pasi do të ishte budallallëk. Nuk do të heqim asnjë fond për ujitjen dhe kullimin, pasi na vjen ndonjë faturë tjetër nga ndonjë shi dhe na rroftë rialokimi”, deklaroi ai.
Kryeministri thotë se ndihma financiare prej 15 mln eurosh e Komisionit Europian nuk do të jetë e vetmja. Ai tha se po shikohet edhe mundësua për të zhvendosur të gjitha fondet IPA të BE-së për Shqipërinë për rindërtimin.
Rama njoftoi se të dielën do të jetë në Stamboll në një konferencë investitorësh, e cila do të pasohet nga një konferencë tjetër donatorësh për Shqipërinë. Sa u takon përgjegjësive, Kryeministri u shfaq i bindur se do të kopsiten dosjet në mënyrë, që sipas tij, “KÇK”-ja (kap ça t’kapësh) e drejtësisë të mos ketë mundësi të manovrojë, por të shpallë fajtorët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.