Fill pasi Greqia njoftoi zgjerimin nga 6 në 12 milje të ujërave territoriale në Detin Jon, disa në Shqipëri nisën që të luajnë të njëjtën melodi të vjetër: “Greqia po na rrëmben detin tonë”.
Për të mbrojtur veten politikisht, Edi Rama u përpoq të qetësojë kundërshtarët duke deklaruar se Greqia ka të drejtë në këtë vendim, sepse ja njeh ligji ndërkombëtar i detit për t’u zgjeruar me 12 milje aty ku ka mundësi, ashtu siç ka bërë Shqipëria në vitin 1990.
Udhëheqësi i Shqipërisë ka të drejtë për këtë, megjithëse është e sigurtë se po të ishte në opozitë do të kishte mendim krejt tjetër. Qëllimi i vërtetë i të gjithë kësaj zhurme është që të parandalojë, ose të paktën të shtyjë në kohë që çështja e delimitimit të zonave ekskluzive ekonomike mes Shqipërisë dhe Greqisë të përfundojë në Gjykatën e Hagës, ashtu siç Athina dhe Tirana ranë dakord në tetorin e kaluar. Shumë aspekte të kësaj përpjekjeje po zvarriten duke përdorur si justifikim procedurat.
Duhet theksuar se edhe pas dy muajsh e gjysmë pas këtij njoftimi, marrëveshja sipas të cilës të dyja vendet shprehin zotimin për t’iu drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare për të zgjidhur këtë ndasi nuk është firmosur ende.
Athina e ka me nxitim për të vazhduar përpara për t’u përqëndruar më pas në Egje, ku problemet për zonën ekskluzive ekonomike mbeten të hapura me Turqinë. Por, pala shqiptare nuk ka shfaqur shenja vullneti për të vazhduar më tej.
Rama është përballë zgjedhjeve parlamentare të pranverës, e po ashtu edhe përballë “mikut të tij më të mirë” dhe “partnerit strategjik”, Presidentit turk, Recep Taip Erdogan, që nuk dëshiron që Greqia dhe Shqipëria të delitimojnë zonat ekskluzive ekonomike përmes Hagës.
Prandaj, shtyrja pa fund e zgjidhjes së mosmarrëveshjes për ZEE-në mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke ngrirë deklaratën që e çon këtë çështje në Hagë, është në interesat e Turqisë. Këtë mendim nuk e ndajnë vetëm grekët, por edhe diplomatët europianë që kanë shërbyer në Tiranë dhe i njohin mirë lojërat e Ankarasë në Ballkan dhe rolin që ajo i jep Shqipërisë. Vetë politikanë shqiptarë kanë denoncuar rolin e Turqisë në rrëzimin e marrëveshjes së 2009-ës.
Vizita e parë e Ramës jashtë vendit për 2021 nuk ishte në një vend europian, por tek “vëllai” i tij Erdogan. Në të vërtetë, para se të informonte Kryeministrin Kyriakos Mitsotakis në shtator të 2020 për vendimin për ta çuar çështjen e detit në Hagë, Rama mori bekimin “e Sulltanit” në resortin e tij në Marmara.
Menjëherë pas vizitës në Athinë të Ramës, ministri i Jashtëm turk, Mevult Cavushoglu sugjeroi Tiranën si një vend organizator për mbajtjen e bisedimeve mes Greqisë dhe Turqisë.
Dukshëm, Rama nuk mund të luajë asnjë rol në përpjekjet për të afruar Turqinë dhe Greqinë, por propozimi i Cavushoglusë mund t’i ketë dhënë Kryeministrit të Shqipërisë një ndihmë të vogël në zgjedhjet e prillit.
Nga Kathimerini, Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.