Lojëra me Dore

Erblira Bici ndërron skuadër, kapitenia e Kombëtares kalon te Kuneo

Erblira Bici, kapitenia e Kombëtares shqiptare të volejbollit, ka ndërruar ekip në Itali, ku luan prej disa sezonesh. Sezonin e ri ajo do të jetë pjesë e Kuneos, duke u larguar kështu nga Busto Arsizio pas disa muajsh. Lajmi është zyrtarizuar nga klubi i ri i volejbollistes nga Gramshi, Kuneo, ndërsa vetë Bici ka bërë një postim në faqen e saj.

“Me kënaqësi bëjmë me dije afrimin e Erblira Bicit te Boska Dan Bernardo Kuneo. Do të jetë ajo lojtarja më e re e skuadrës së trajnerit Andrea Pistola. Pas dy sezonesh të jashtëzakonshme në A2, me 1028 pikë, ajo bëri hapin e madh në A1, tek Igor Novara. Një sezon i madh, i kurorëzuar me fitimin e Ligës së Kampionëve dhe Kupës së Italisë”, - shkruan klubi i ri i Bicit në njoftimin zyrtar për blerjen e saj.

Njoftimi i Kuneos për blerjen e Erblira Bicit. Gazeta Si, 25 maj 2020

Vetë volejbollistja shqiptare, shprehet: “E falënderoj Kuneon për shansin që po më jep për të luajtur një sezon si titullarë. Ishte kjo që dëshiroja. E di që do të marr vendin e një kampioneje të madhe si Lise Van Hecke, një nga më të mirat në qarkullim. Do të jap gjithmonë 100% dhe do të përpiqem të bëj për vete tifozët e rinj. Kuneo ka qenë kundërshtar në tre sezonet e fundit dhe këtu kam një nga kujtimet më të bukura, derbin para 4000 tifozëve. Jam e lumtur që do të stërvitem nga Andrea Pistola, skuadra më pëlqen, ka lojtare me perspektivë dhe eksperte. Jam e bindur se do të ecim mirë. Mezi po pres të filloj”.

Sezoni aktual, 2019-2020, është anuluar për shkak të situatës me koronavirusin. Sezoni i ri e gjen Bicin me një fanellë të re, atë të Kuneos, ku kapitenia kuqezi do të jetë titullare. Erblira Bici ka pasur një ecuri mjaft të mirë në Itali, ku ka fituar edhe Ligën e Kampionëve një vit më parë me Novarën. Me ekipin e fundit, Busto Arsizio, ajo nuk ka qenë titullarë, ndaj dhe ka bërë këtë lëvizje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë