Ana e errët

Enigma e të plagosurit që u braktis në derë të spitalit

Punonjësi I minierës I cili një vit më parë u braktis I plagosur  para spitalit të Bulqizës , nuk ishte dëmtuar në vendin e punës por gjatë një aksidenti automobilistik. Prokurorisë të cilës ju desh më tepër se një vit për të zbardhur dinamikën dhe për të zbuluar sipas saj se nuk bëhej fjalë për një aksident në vendin e punës. Në dosjen që gazeta” Si” disponon thuhet se Shkëlqim Spahiu nga Zerqani i Bulqizës ishte lënë I dëmtuar në kokë  dhe në gjurin e majtë  në portën e madhe të spitalit. Pas ndihmës së parë nga mjekët rajonalë ai është përcjellë drejt spitalit të Traumës. Por çështja e dyshuar se mund të kishte ndodhur në brendësi të një miniere, u mbyll si aksident mes ca fëmijëve që pasi kishin festuar , I dëmtuar kishte ngelur I riu që siç kuptohet “ ai u plagos rëndë pasi ra nga bagazhi I makinës “

Hetim vetëm mbi dëshmi

Policia vendore pohoi se nga marrja e dëshmive paraprake menjëherë pas zbulimit të identitetit të të dëmtuarit, kishte konstatuar se Spahiu ishte punonjës I subjektit minerar “3A 160 “. Punonjësi, raportuan policët në 9 qershor 2018 , pasi ka përfunduar turnin I ka bërë me dije familjes se nuk do kthehej në shtëpi. “ do shkoj të punoj edhe një turn tjetër në minierë” , pat deklaruar Spahiu. Policia konstatoi më pas se në fakt 21 vjeçari nuk kishte punuar më pas turnit të parë në minierë. Në atë minierë pohon policia më pas , punohet vetëm një turn  dhe jo dy turne, referuar sipas deklaratave të marra brigadierëve .

Të vetmet që menduan ndryshe ishin bluzat e bardha. Por çfarë thuhej në raportin paraprak të mjekëve ? 

“ Nga konfirmimi paraprak I mjekëve të dy spitaleve , përkatësisht të Spitalit Bulqizë dhe të spitalit të Traumës Tiranë, mendohet se dëmtimet e konstatuara tek ky shtetas , janë shkaktuar si pasojë e rrëzimit, apo edhe rrëshqitjes së tij në ambientet e brendshme të punës, stok inertesh kromi apo në rrugë”

Ndonëse hetimi ishte delikat , fillimisht për braktisjen e të plagosurit në spital dëshmon Ylber Gjoka, personi që e gjeti të dëmtuarin në hyrje të portës.

Hyrja e spitalit Bulqizë ku u gjend i plagosuri

Ylber Gjoka : Rreth orës 1.30 shkova në urgjencën e spitalit Bulqizë pasi kisha vajzën sëmurë. Pasi përfundova vizitën dhe ime bijë u stabilizua dola nga spitali dhe u nisa për në shtëpi. Kur dola tek porta e madhe , vura re një person të shtrirë në tokë, tek cepi I portës. Dola nga mjeti dhe pashë personin që as reagonte dhe as fliste. U ktheva shpejt në spital dhe njoftova mjekët që shkuan menjëherë me barelë në dorë dhe e transportuan me urgjencë. Më tej nuk kam dijeni se farë ka ndodhur.

Nga veprimet hetimore policia lokale identifikoi automjetin që kishte transportuar të plagosurin, I cili ndonëse kishte pronar që punëtor tjetër në minierë, përdorues doli që ishte djali I tij 15 vjeçar Klejdi Veseli i cili u pyet si person nën hetim. Ai shpjegon:

Klejdi Veseli:  Në datën 9 qershor , rreth orës 15 .45 pasi mora çelësat e makinës së babit, pasi babi nuk gjendej në shtëpi ,mora makinën dhe shkova në lagjen Allmet, në Vajkal, për të takuar shokun tim Albi Llazi. Pasi u takuam, I pohova babait të Albit , që ta linte të vinte me mua, pasi do shkoja tek gjyshja për të ngritur barin në Leparakë. Ai na lejoi dhe Albi hipi në sediljen e parë, shkuam tek lojërat rrotulluese që gjenden në Bulqizë. Aty takuam edhe dy shokë të tjerë që quhen Brikel Rushiti dhe Redon Xhafa. Me ta ishte edhe një person tjetër që e njoh me emrin Çim Spahiu. Ai u ka thënë që kishte lekë dhe I kishte ftuar për të shkuar diku, ti fusnin naftë mjetit , të merrnin disa gjëra me vete për të ngrënë e për të pirë dhe të dilnin xhiro tek Rruga e Arbrit që po ndërtohej , në vendin poshtë qafës së Buallit.

Një pjesë e rrugës së Arbrit, ku ndodhi aksidenti

Dëshmitarët , për të cilët prokuroria më pas ka vlerësuar se ishin të sinqertë dhe të pakontestueshëm, tregojnë se kanë udhëtuar drejt rrugës së Arbrit dhe pikërisht pranë një karburanti në afërsi të rrugës drejt Tërnovës, kanë furnizuar mjetin me karburant. Kanë vazhduar udhëtimin drejt fshatit Krajkë, ku kanë blerë ushqime . Nga Bulqiza sipas dëshmitarëve kanë udhëtuar drejt rrugës së Arbrit dhe kanë bërë shëtitje me makinë.

Klejdi Veseli : Pasi bëmë xhiro e pimë pije freskuese bravo e birra ,  rreth orës 2 të natës vendosëm të largoheshim prej aty dhe të udhëtonim drejt gurores në fshatin Strikçan me qëllimin për të fjetur aty, pasi kishim frikë të shkonim në shtëpi. Hipa në timon dhe shokët do shtynin mjetin pasi nuk ndizte. Shokët kanë vazhduar të shtynin mjetin dhe në një distancë prej dhjetë metrash mjeti u ndez. Në këtë kohë njëri nga shokët më thirri të ndalja mjetin, pasi Çimi ishte ulur sipër në bagazhin e mjetit. Në momentin që ndalova mjetin  Çim Spahiu ra nga bagazhi dhe u përplas në rrugë. Zbrita dhe aty kam parë  Çimin. Ata thirrën por ai nuk u përgjigj fare. E morën e futën në mjet, përsëri shokët e shtynë mjetin për ta ndezur dhe pasi e ndezën e drejtuam deri tek porta hyrëse e spitalit. Aty pamë një person që nuk e njihnim, lamë Çim Spahiun dhe u larguam.

Për këtë veprim 15 vjeçari është vendosur nën akuzë për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt. Ndërsa tre shokët e tjerë që gjendeshin në automjet ( sipas dëshmive ) akuzohen për mos kallëzim krimi.

Por kush është I mituri që akuzohet se duke ngarë makinën ka dëmtuar 21 vjeçarin, që në fakt ishte më I madh se ata dhe askush nuk e shpjegon dot se çfarë bënte një punëtor miniere me ca adoleshentë , të moshës 16 vjeç si ishte Klejdi Veseli, Albi Llani 17 vjeç dhe Redon Xhafa 16 vjeç?  Në fakt Shkëlqim Spahiu me dy nga adoleshentët jetonte në të njëjtën lagje. Siç kuptohet nga rrjedha që morën hetimet ata I bashkonte dëshira për aventurë , për të ngrënë e për të pirë me lekët e minatorit.

Por a punohej në minierë me dy apo një turn?

Gazeta “Si” krahasoi dëshmitë , që policia referon dhe prokuroria I merr për bazë megjithëse janë kontradiktore. Për rastin e të dëmtuarit që ishte lënë  në derën e spitalin ndonëse I dëmtuar, brigadier I minierës thotë se nuk punohej dy turne.

Ndërkohë një dëshmitar tjetër,  është babai I të miturit që tregoi se kishte shkaktuar aksidentin  teksa I ati  punonte  në minierë . I ati tregon se atë ditë ishte turni I dytë në minierë dhe automjetin e kishte marrë I biri.

Fotografi ilustruse brenda galerive në minierën e Bulqizës

Sokol Veseli( babai i Klajdit):  Aktualisht jam I punësuar në minierë në zonën D. Më datën 9 qershor 2018 kam shkuar në punë rreth orës 7 dhe jam kthyer rreth orës 19.30 , pasi kam punuar dy turne. Kur kam ardhur në shtëpi dhe kam konstatuar se mjeti tip Benz nuk ishte aty, më pas vajta dhe pyeta nusen se ku ishin çelësat dhe kush e ka lëvizur mjetin dhe ajo mu përgjigj se mund ta ketë marrë djali se nuk më del në telefon. Deri në darkë nuk e gjeta djalin dhe mjetin. Sot më datën 10 qershor kam shkuar në punë gjithë merak me shpresën se do kthehej në shtëpi dhe kur erdha nga puna pasdite kam filluar të kërkoj djalin me mjet nëpër qytet dhe nuk e gjeta , telefoni binte dhe djali nuk po ma hapte. Më pas më ka telefonuar policia dhe jam paraqitur, ku jam takuar me djalin I cili më çoi në vendin ku kishte parkuar mjetin dhe aty mora vesh çfarë kishte ndodhur

Si prove renditet edhe dëshmia e vetë të plagosurit pasi ka dalë nga gjendja e rëndë i cili sikurse edhe adoleshentët tregon se kishte udhëtuar me mjet dhe në mesnatë kishte hipur në bagazh dhe që gjatë ndezjes së makinës ai ishte rrëzuar dhe kishte përplasur kokën. Punonjësi I minierës pohon se kishte vendosur të qeraste shokët pasi kishte marrë rrogën dhe sipas tij “ ata  pinin pije freskuese kurse ai pinte birra sikurse dëshmojnë edhe të miturit e tjerë”

Me kaq çështja mbyllet !

Por cilat janë veprimet që prokuroria kreu? A ishin këto veprime hetimore të mjaftueshme për të kuptuar nëse bëhej fjalë vërtet për një aksident automobilistik sikundër tregojnë të gjithë apo mund të ketë qenë një aksident në minierë siç dyshuan paraprakisht mjekët?  Prokuroria në përfundim të hetimeve delegoi çështjen në gjykim për drejtim të mjetit në mënyrë të parregullt, pa mbledhur prova shtesë në bazë të të cilave të vërtetohej se I plagosuri kishte marrë vërtet rrogën atë ditë. Veprimi që ka bindur prokurorët është procesverbali I oficerëve në vendin e ngjarjes I kryer një ditë më vonë dhe I sekuestrimit të provave. Gjithë të tjerat janë dëshmi , ndonëse edhe ato nuk përputhen. Dëshmitari që e gjeti të plagosurin në derën e spitalit pohon se e gjeti të dëmtuarin rreth orës 1. 30 pm , ndërsa adoleshentët në të njëjtën orë gjendeshin ende duke pirë pije freskuese dhe birra. Nëse do besohen dëshmitë e tyre , në fakt sipas tyre 30 minuta më vonë ata do vendosnin të udhëtonin drejt një fshati tjetër për të fjetur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë