Filma

“Ëngjëjt e Carlit” po rikthehen, por këtë herë ndryshe

“Unë mendoj se femrat mund të bëjnë gjithçka”, kështu e hap aktorja e njohur Kristen Stewart trailerin e “Charlie’s Angels”, para se të mbysi një burrë, të bëjë një rrotullim dhe të heqë paruken e gjatë bjonde për të zbuluar flokët e prerë shkurt që tashmë janë bërë karakteristikë e saj. Stewart duket qartë se nuk po flet vetëm për personazhin, por edhe për veten kur shton “Ne kemi kaq shumë talente”.

Drejtuesja e filmit, Elizabeth Banks vendosi të ribëjë një nga filmat më të rëndësishëm të vitit 2000 ku luajtën Cameron Diaz, Lucy Liu dhe Drew Barrymore. Por, këtë herë aktoret do ndryshojnë dhe vendin e tyre do e zënë Kristen Stewart, Naomi Scott (e njohur nga “Power Rangers” dhe gjithashtu luajti rolin e Jasmine në ribërjen e “Aladdin”) dhe aktorja e re Ella Balinska.

Naomi Scott, Kristen Stewart, Ella Balinska dhe drejtuesja e filmit Elizabeth Banks

Një tjetër ndryshim është se në filmin e ri, Bosley, i cili ishte bashkëpunëtori i Charlie-t dhe u jepte ëngjëjve detyrat e tyre nuk do jetë më. Roli i tij tashmë do ndahet në 3 persona të cilët janë, vetë Banks, Dijmon Hounsou dhe legjenda e “Star Trek” Patrick Stewart.

“Ne ndjemë se kishim një përgjegjësi të madhe me këtë trailer sepse do jetë në hapjen e “Spider-Man : Far from Home” – që do të thotë se shumë sy do jenë mbi trailerin. Ne ndjemë se donim ta ftonim atë audiencë në filmin tonë”, tha Banks për People mbi filmin e saj aksion. “Ne po riprezantojmë “Charlie’s Angles” tek njerëzit. Filmi i fundit doli para 18 vitesh, ndaj ka shumë njerëz, në veçanti njerëz të rinj që nuk i njohin këta filma. Pra ne po u prezantojmë “Charlie’s Angels” njerëzve të rinj, por gjithashtu po u rikujtojmë njerëzve që e deshën atë film arsyet pse e deshën dhe po i rikthejmë ata në sallat e kinemave. Pra ka shumë aksion, ka magji, ka argëtim, ndjej se është i madh dhe global dhe kjo është një arritje e madhe për mua. Dhe vetëm mendoj, shpresoj, që të gjithë do argëtohen duke e parë”.

https://youtu.be/RSUq4VfWfjE

Por qershia mbi tortë e këtij filmi është pikërisht kolona zanore e cila ka bashkuar Lana Del Rey-n, Miley Cyrus dhe Ariana Grande-n me këngën “Don’t call me angel” e cila u publikua vetëm pak ditë më parë. Le të jetë ky himni i ri i filmit siç ishte në vitin 2000 kënga e Destiny’s Child “Independent Woman”.

https://youtu.be/leopt__ATR0?list=RDCLAK5uy_kmPRjHDECIcuVwnKsx2Ng7fyNgFKWNJFs

Për ta parë filmin e plotë na duhet të presim deri në nëntor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë