Shendet

Emigrimi në një vend tjetër ndryshon edhe bakteret e stomakut

Emigrimi në një vend të ri ndryshon shumë thellë në shëndetin e njeriut, pasi modifikohet mikrobioma, pra të gjitha ato baktere që janë në zorrë, për të kaluar në ato të vendit të ri të banimit, së bashku me disa nga sëmundjet më të zakonshme. Kjo shpjegohet nga një studim i Universitetit të Minesotës, i botuar në revistën “Cell”, ku u ndoqën disa nga emigrantët dhe refugjatët që mbërritën në SHBA nga Azia Juglindore.

“Emigrantët kanë filluar të humbasin mikrobet e tyre që kanë pasur nga lindja, pothuajse menjëherë pas ardhjes së tyre në Shtetet e Bashkuara, për të marrë ato që janë më të zakonshmet në popullatat evropiane-amerikane”, thotë koordinatori i studimit, Dan Knights.

“Por mikrobet e reja nuk janë të mjaftueshme për të kompensuar humbjen e atyre vendase dhe ka një humbje të madhe të diversitetit”, vazhdon ai.

Është treguar në studime të tjera se ata që jetojnë në vendet në zhvillim, kanë një shumëllojshmëri të baktereve në mikrobiomën e zorrëve, më të mëdha se ata që jetojnë në SHBA. Përveç humbjes së diversitetit në mikrobiologji, ne kemi parë një rritje në shkallën e obezitetit te këta emigrantë. Në studime të tjera, mikrobioma ka qenë e lidhur me obezitetin.

Hulumtuesit krahasuan mikrobiomën e zorrëve të njerëzve me etni Hmong dhe Karen ndërsa jetonin në Tajlandë, të të tjerëve që emigruan në SHBA dhe fëmijëve të tyre. Në këtë mënyrë ata kanë parë se në 6-9 muajt e parë që nga ardhja e tyre, bakteret perëndimore ‘Bacteroides’, kanë filluar të zëvendësojnë bakteret jo-perëndimore, si Prevotella.

Një proces që vazhdoi gjatë 10 viteve të para në SHBA, me shumë mundësi duke ngrënë më shumë dhe duke ndjekur një dietë më perëndimore. Ndryshimet ishin edhe më të theksuara tek fëmijët. “Kur shkon në një vend të ri, – përfundon Knights, – jo vetëm që ndryshojnë speciet e mikrobeve që janë në zorrë, por edhe enzimat që mbajnë dhe kjo mund të ndikojë në tretjen e ushqimit dhe si ndërvepron dieta me shëndetin”.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë