Shqipëria përshkruhet si një laborator ideal për studimin e migrimit. Së pari, niveli i flukseve dalëse në dekadat e fundit, që prej hapjes së vendit ndaj botës së jashtme në fillim të viteve ‘90-të, ka qenë, në terma relativë, masiv. Vlerësohet se ‘stoku’ total i emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë në vitet e fundit luhatet nga 1.2 në 1.6 milionë vetë.
Ndërkohë, edhe tri dekada më vonë, migrimi vijon të ndodhë ende, ndonëse natyra e tij ka ndryshuar: më pak migrimi për shkak të varfërisë, dëshpërimit dhe protestës, siç ishte ai gjatë viteve ‘90-të. Tashmë ngjan se ata që duan të ikin më së shumti nga Shqipëria janë të rinjtë e veçanërisht ata më të arsimuarit.
Siç vërehet në një studim të quajtur “Migrimi aktual dhe potencial i studentëve nga Shqipëria. Një Brain Draini mundshëm?” me autorë Russell King, Profesor i Gjeografisë në Universitetin e Sussex-it, Brighton, MB dhe Ilir Gëdeshi, Drejtor i Qendrës së Studimeve Ekonomike dhe Shoqërore, Tiranë. Studimi, botim i fondacionit “Friedrich Ebert” ka bërë pjesë të tij qindra student shqiptarë, që studiojnë në universitetet e Shqipërisë dhe jashtë saj.
Në studim theksohet se Shqipëria regjistron një prej normave më të larta të ‘eksportimit’ të studentëve të saj në Europë, ndërsa ata u drejtohen më së shumti vendeve europiane si: Itali, Gjermani dhe Mbretëri e Bashkuar.
Sipas vlerësimeve të UNESCO-s, e cila i merr të dhënat nga vende të ndryshme të botës lidhur me numrin dhe origjinën e studentëve ndërkombëtarë të regjistruar në institucionet e tyre terciare, numri i studentëve shqiptarë që studiojnë jashtë vendit është rritur.
“Në rast se në vitin 1998 studionin jashtë vendit 4.711 studentë shqiptarë, në vitin 2011 kjo shifër arriti në 25.309 studentë, për tu ulur pastaj në 17.448 studentë në vitin 2017. Këto shifra e rendisin Shqipërinë në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor, megjithëse nga përmasat e popullsisë ajo radhitet e katërta, dhe nga të ardhurat për frymë ajo është e parafundit. Gjithashtu, këto të dhëna tregojnë se rritja e numrit të studentëve shqiptarë që studiojnë jashtë vendit, deri në vitin 2013, ka qenë e vrullshme dhe shumë më e shpejtë në krahasim me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.”
Çfarë i shtyn studentët të largohen?!
Studimi thekson se dy janë faktorët kryesorë që shtyjnë studentët shqiptarë të studiojnë jashtë vendit: zgjedhja e një karriere ndërkombëtare pas përfundimit të studimeve jashtë vendit (77 % e quajnë ‘shumë të rëndësishme’) dhe kryerja e studimeve në një universitet të njohur ndërkombëtar (66 % e quajnë ‘shumë të rëndësishme’).
Së fundi, disa studentë i shohin studimet jashtë vendit edhe si një shprehje e lirisë, larg normave tradicionale, si një mundësi për të përfituar nga kultura dhe një jetë më e pasur shoqërore, krahas edukimit cilësor.
Por ndërkohë edhe prindërit në shumicën e rasteve preferojnë që fëmijët e tyre të studiojnë jashtë Shqipërisë.
“Në fillim të viteve ’90, si shumë shqiptarë të tjerë, edhe unë emigrova ilegalisht në Itali. Pas disa vitesh pune të vështira u riktheva dhe krijova biznesin tim në Shqipëri. Në kushtet aktuale perspektivën e djalit tim unë e shoh në një nga vendet e BE-së. Por unë nuk dua që djali im të emigrojë dhe të jetojë ashtu si unë dikur. Prandaj unë do ta ‘blej’ emigrimin e djalit tim.”
Unë do të financoj studimet e tij në një nga universitetet e mira të BE-së duke i krijuar mundësinë që të punësohet dhe integrohet më lehtë në vendin pritës.” ,- shprehet babai i një studenti.
Për shumë studentë, opsioni i kthimit në vendlindje apo i qëndrimit në vendin pritës nuk është shumë i qartë që në fillim. Idea zhvillohet me kalimin e viteve, në varësi me shkallën e integrimit në vendin pritës, mundësive që ofrohen dhe vështirësive në lidhje me rikthimin në vendlindje.
Pas dëshirës për emigrim qëndrojnë edhe faktorë, si: papunësia, pagat e ulëta, mungesa e karrierës profesionale, korrupsioni i lartë, niveli i ulët i përkujdesjes shëndetësore dhe i arsimit, ndotja e mjedisit, pasiguria fizike, mbrojtja e pakët sociale, mungesa e besimit në sistemin e drejtësisë, pakënaqësia ndaj klasës politike etj.
Cilët mund të studiojnë jashtë?
Pavarësisht dëshirës për të studiuar jashtë vendit, jo të gjithë të rinjtë mund ta arrijnë diçka të tillë. “Përgjithësisht mund të shkojnë jashtë vendit dhe të studiojnë ata të rinj që zotërojnë një kapital të mjaftueshëm financiar, human dhe social.”, vërehet në studim.
Përgjithësisht, studentët që disponojnë burime financiare dhe studiojnë në vende të zhvilluara vijnë nga familje që përbëjnë elitën financiare të Shqipërisë. Ata janë kryesisht fëmijë të
profesionistëve (mjekë, pedagogë, inxhinierë, ekonomistë, juristë, arkitektë, politikanë, informaticienë, punonjës të organizatave ndërkombëtare, gazetarë, drejtues të NGO-ve shqiptare etj.), të biznesmenëve, të drejtuesve dhe menaxherëve të kompanive, apo të nëpunësve të lartë të shtetit.
“Edhe brenda këtij grupi mund të dallojmë shtresa ose nëngrupe. Kështu familjet e pasura i dërgojnë fëmijët në universitetet e mirënjohura të Anglisë, SHBA-së dhe në një shkallë më të vogël në Zvicër, Holandë ose Francë. Kjo pa dyshim kërkon edhe investime paraprake: shkolla të mira private para-universitare, kurse private të gjuhës së huaj, shkolla verore jashtë vendit, dhe vite përgatitore ose disa vite të shkollës së mesme në këto vende.”
Të dhënat e anketës tregojnë se 62 % e prindërve të atyre që i dërgojnë fëmijët në Angli janë biznesmenë, profesionistë ose zyrtarë të lartë të shtetit. Një burim tjetër financimi, siç tregojnë edhe intervistat, janë edhe kursimet afat-gjata të familjeve nga një përvojë e mëparshme emigrimi. Thuajse 21 % e studentëve shqiptarë jashtë vendit kanë qenë familjarisht ose kanë pasur njërin prind (babain) emigrant, kryesisht në Greqi (47 %) dhe në Itali (25 %).
Familje të tjera shqiptare, kryesisht të shtresës së mesme, kursejnë një pjesë të madhe e të ardhurave të tyre mujore ose mund të bëjnë edhe sakrifica të tjera për të financuar studimin e fëmijëve jashtë vendit.
Vendet ku studiojnë shqiptarët
Dy vendet e para ku studionin studentët shqiptarë në vitin 2017, por me një diferencë të theksuar midis tyre, ishin vendet fqinje: Italia (59.4 %) dhe Greqia (6.9 %). Afërsia gjeografike dhe ngjashmëritë kulturore, stoku i madh i emigrantëve shqiptarë dhe politikat e favorshme për studentët janë midis faktorëve që shpjegojnë përqendrimin e madh të studentëve ndërkombëtarë shqiptarë në Itali dhe Greqi.
“Megjithatë, krahasuar me disa vite më parë, pjesa absolute dhe relative e këtyre dy vendeve është zvogëluar. Kështu, bazuar në shifrat e UNESCO-s, numri i studentëve shqiptarë në vitin 2017 krahasuar me vitin 2016, ra respektivisht me 26.1 % dhe 3.4 % për Greqinë dhe Italinë.
Ndërkaq, vitet e fundit numri i studentëve shqiptarë që shkojnë për të studiuar në Gjermani është rritur me ritme të shpejta.”
Sipas UNESCO-s në vitin 2017 (viti i fundit për të cilin kemi të dhëna), 886 studentë shqiptarë studionin në universitetet gjermane. Ndërsa në 2018-2019, “German Centre for Higher Education Research and Science” raportonte për 2.190 studentë shqiptarë në Gjermani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.