Propozim i SI

Emigrimi i shqiptarëve, pikëpyetjet për identitetin dhe përkatësinë

Së fundmi emigrantët shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar janë përballur me ksenofobi dhe diskriminim të të gjitha llojeve. Është e lehtë të kuptosh se ato janë bërë kurban të krizës së sistemit britanik, por paragjykimet nga vendet e Europës, për to, nuk janë gjë e re.

Pas rënies së komunizmit në 1990-n, varfëria, paqëndrueshmëria financiare dhe papunësia detyruan shqiptarët të emigrojnë, në Greqi dhe Itali, shumica. Në këto dy vende shqiptarët kanë qenë vazhdimisht viktima të diskriminimit, ndonjëherë dhe të racizmit të dhunshëm.

Kriza e 2008-s goditi më shumë nga të gjithë Italinë dhe Greqinë. Kështu shqiptarët nisën të emigrojnë drejt vendeve në veri të Europës, përfshirë Britaninë. Por përsëri ata përballen me diskriminim.

Shumë e shohin emigracionin nga Shqipëria si rezultat i politikave neoliberale pasi shteti bëri tranziti nga diktatura në demokraci. Por pak flasin për përvojën e të qenit një emigrant shqiptar. Artistët janë munduar të tregojnë pjesën e tyre, për të bërë më të dukshëm historitë e vështira të emigrimit.

Nisjet e detyrueshme dhe peizazhet e tranzicionit

Një ndër artistët e parë shqiptarë që përfshinte emigrimin në artin e tij ishte Adrian Paci. Puna e tij në video, “Centro di Permanenza Temporanea” (2007), me titull të huazuar nga qendrat e dënimit ë Itali, përshkruan një grup emigrantësh në një shkallë që presin të futen në bordin e një avioni që nuk ekziston. Një referencë për të gjithë refugjatët që ëndërrojnë për një jetë të re në një vend tjetër dhe nuk e plotësuan kurrë.

Paci iku në Itali gjatë trazirave të 1997-s, kur në Shqipëri ranë skemat piramidale, ku ekonomia e vendit varej fort. Shteti humbi gjysmë e PBB-së. Gjatë krizës, qeveria qëndroi pasive edhe pse zemërimi qytetar pothuajse shkoi në luftë civile. Mijëra njerëz humbën njerëz gjatë kaosit.

Në videon e tij, 1998, Anri Sala, ka bashkuar pamjet e 1997-s me ato të 1977-s, kur vendi kontrollohej ende nga autokrati jetëgjatë, Enver Hoxha në një sistem komunist. Pamjet ga 1977-a tregojnë mamanë e artistit, Valdete Sala, një ish-drejtuese socialiste, në një kongres të rinisë punëtore. Ajo ka veshur një shall të kuq partizan dhe qëndron pranë Hoxhës.

Pamjet e viteve 1977 dhe 1997 shoqërohen me pamje të reja të Salës duke intervistuar nënën e tij për të kaluarën komuniste. Veprat e Salës përballin anën personale me atë politike, të kaluarën komuniste që hoqi liritë themelore të njeriut dhe realitetin post-socialist që solli kaosin e vitit 1997.

Artisti që qëndroi në Shqipëri edhe pas eksodit masiv të 1990s, kapi ndryshimet që erdhën me kalimin nga socializmi shtetëror në kapitalizmin neoliberal, duke përfshirë përshkrimin e qyteteve dhe fshatrave bosh, tipike të Europës post-socialiste.

Pjesë nga intervista e Salës me mamanë e tij, 1998

Boshllëku i këtyre fshatrave nxjerr në pah dështimet e rendit kapitalist. Mbyllja e fabrikave shtetërore që punësonin një pjesë të madhe të popullsisë dhe privatizimi i gjerë solli rënien e qyteteve, gjë që i detyroi njerëzit të emigronin jashtë vendit për punësim.

Një ndjesi përndjekëse për të shkuarën e largët dhe tranzicionin që nuk erdhi kurrë është një përfundim i dukshëm në pikturat e Edi Hilës pas vitit 1990. Koleksioni i tij, “Migracioni”, 1997, ja pikturuar në një ngjyrë gri gati zie, është një përkujtim i atyre që u mbytën në mars të vitit 1997 ndërsa po kalonin detin Adriatik, shumica e të cilëve ishin gra dhe fëmijë.

Tragjedia ndodhi kur anija shqiptare “Kateri i Radës”, u përmbyt pasi u përplas me një tjetër anije italiane në ngushticën e Otrantos. Ajo ishte ndër shumë anijet që niseshin nga Vlora për t’i ikut kaosit të 97-s. Në atë kohë marina italiane u urdhërua të parandalonte me çdo kusht hyrjen e paautorizuar të emigrantëve shqiptarë në Itali.

Koleksioni i 2005-s i Hilës, “Paradoks”, me ngjyra të ngrohta, prezanton foto të jetës së përditshme në një mjedis në ndryshim: ndërtesa të papërfunduara, njerëz që lahen përballë të njëjtit det ku dikur humbën jetë njerëzish, bunkerë komunistë që mbeten kujtues të së shkuarës traumatike. Jeta vazhdon. Por jeta këtu është e përhumbur nga tragjeditë e atyre që u përpoqën të iknin pa arritur në brigjet e sigurta.

Në kërkim të “shtëpisë” dhe një e tashme e pasigurt

Mijëra emigrantë shqiptarë që ndërtuan jetët jashtë Shqipërisë, vazhdojnë të kërkojnë një ndjesi përkatësie. Në performancën e tyre, “Udhëtim transparent”, 2004, dy artistët e bazuar në Kanada, Flutura Preka and Besnik Haxhillari tërheqin një valixhe transparente, një metaforë për “bagazhin” e padukshëm, si emocionet dhe kujtimet, që emigrantët mbajnë me vete.

Artistët e morën këtë valixhe në kryeqytetin shqiptar, Tiranë në vitin 1994 dhe që atëherë e kanë performuar aktin në të gjithë botën. Në çdo shfaqje, mbetet e paqartë nëse valixhja arrin në destinacionin e saj.

Për fotografin Enri Canaj, që u rrit në Greqi, kërkimet për të gjetur “shtëpinë” e çojnë mbrapsht në Shqipëri. “Në Shqipëri – kthim në shtëpi”, 2011-2015, ai përdor fotografi të kapura çdo ditë në Shqipëri. Gra duke vajtuar në funeral, fëmijë duke luajtur, njerëz duke shkuar në punë. Projekti është një tentativë për të njohur vendin që prindërit e tij lanë pas.

Në shumë raste, emigrantët shqiptarë kanë fshehur kombësinë e tyre kur shkonin në një shtet tjetër. P.sh në Greqi, shumë kanë marrë emra grekë, një strategji mbijetese sepse të qenit “i padukshëm” do të thoshte se ke më pak shanse për tu diskriminuar.

Ndonëse ekonomia e Shqipërisë është rimëkëmbur ngadalë, shteti mbetet ndër më të varfërit në Europë. Kriza ekonomike e 2008-s dhe pandemia rriti papunësinë dhe pasigurinë. Korrupsioni ka luajtur rol të madh në pabarazitë sociale.

200 milion euroshi i Pleurad Xhafës, 2020, është një tregues i korrupsionit të normalizuar në Shqipëri. Instalacioni përbëhet nga printime të kartëmonedhës 500 euro brenda një kubi prej xhami.  Ajo u krijua për të protestuar mungesën e transparencës në rishpërndarjen e pasurisë dhe privatizimet ilegale, ironikisht duke përfshirë atë që shembi dhe Teatrin Kombëtar, ku ky instalacion qëndronte.

Historia e emigracionit po përsëritet pasi njerëzit vazhdojnë të kërkojnë azil në mbarë botën, duke përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar. Ky art vazhdon të jetë parashikues, sepse cikli nuk mbaroi kurrë për shqiptarët.

“The Conversation”, përshtati: Gazeta ‘SI’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë