Rend dhe Ligj

Emigrantëve të paligjshëm shqiptarë do u ndalohet përgjithmonë hyrja në Britaninë e Madhe

Gazeta Si - Emigrantët shqiptarë që kanë shkuar dhe vijojnë të shkojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar në mënyrë të paligjshme, do të kthehen në Shqipëri dhe nuk do të jenë në gjendje të udhëtojnë kurrë më në Mbretërinë e Bashkuar.

Ky lajm u bë i ditur pas një takimi të zhvilluar mes  Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Shqiptare, Gledis Nano me ambasadorin britanik në vendin tonë, Alastair King-Smith.

Ky vendim vjen si rezultat i dakordësisë mes dy vendeve për të vepruar sa më shpejt në përgjigje të kriminelëve që po shfrytëzojnë të rinjtë shqiptarë që po udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar në mënyrë të paligjshme.

"Shprehëm vendosmërinë e përbashkët për të ndaluar fluksin e emigrantëve të paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe Evropës. Diskutuam realitetin që i pret të gjithë ata që mbërrijnë në brigjet e Mbretërisë së Bashkuar, - thotë ambasadori britanik. - Emigrantët e paligjshëm nuk mund të sigurojnë punë të ligjshme. Së shpejti do të kthehen në Shqipëri dhe nuk do të jenë në gjendje të udhëtojnë kurrë më në Mbretërinë e Bashkuar”.

Sipa tij, “të gjithë ata persona dhe familjarët e tyre që mund të jenë të tunduar të udhëtojnë drejt Britanisë, nuk duhet të bien pre e propagandës së krimit", tha ambasadori Alastair King-Smith.

Fluksi i emigrantëve të paligjshëm shqiptarë që kalojnë La Manshin drejt Britanisë së Madhe, ka qenë në nivele të larta muajt e verës.

Mediat britanike prej javësh kanë shkruar dhe vijojnë të trumbetojnë shqetësimin se ky fluks klandestinësh rrezikon të kthehet në kontingjent të krimit të organizuar në ishull.

Prej kohësh shtetas me kombësi shqiptare kanë qenë në qendër të kronikave për ngritjen e të ashtuquajturave “shtëpi bari” në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

Pjesa më e madhe e tyre mbërrijnë në mënyrë të paligjshme me kamionë nga Franca dhe me gomone përmes kanalit të La Manshit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë