Politike

Emigrantët në kufi, Vasili: Pandi pse hesht? Majko: Po punojmë për zgjidhjen

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili akuzoi ministrin e Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko se po hesht përballë tragjedisë së emigrantëve shqiptarë që nuk lejohen të hyjnë në atdhe nga frika se mos e shkarkon Edi Rama.

“Sot Majko hesht. Sa gjynah që e mbyll trembshëm gojën nga frika e tmerrshme se Rama e heq. Të tjerë socialistë ishin ata, që e bënë Majkon Kryeministër, kur Shqipëria hapte derën për qindra-mijëra vëllezër nga Kosova në 1999. Por ata socialistë nuk janë më, ndërsa Majko po, se është vërtet më "parimor" se ata. Rri Pandi rri, mos e shqetëso Ramën. Mos harro, kur të vijnë zgjedhjet vërvitu edhe ti me Ramën etj, me autobusë plot që t’i sillni emigrantët për të votuar dhe atëherë kufiri do të jetë dy kanate hapur. Tani, në kohën e pandemisë mbylljani kufirin, lërini të gdhihen jashtë”, shkruan Vasili.

https://www.facebook.com/petritvasil/posts/2326490444317441

Përgjigja e Pandeli Majkos nuk vonoi. Ai thotë se problematika në fjalë është jashtë fushës së përgjegjësisë së tij, por megjithatë e ka ngritur këtë si shqetësim moral tek Kryeministri dhe ministrat e tjerë.

“Megjithëse jashtë fushës së përgjegjësisë sime, por me përgjegjësi njerëzore kam komunikuar prej ditësh me Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm, Ministren e Shqëndetësisë, Ministrin në detyrë për Europën dhe Politikën e jashtme, zëvendësministren e brendshme dhe zëvendësministrin (tjetër) në Ministrinë e për Europën dhe Politikën e Jashtme… dhe vazhdoj të komunikoj”, deklaron ai.

Më tej, ministri i Shtetit për Diasporën nuk kursen as ironinë në drejtim të ish-aleatit dhe të ish-anëtarit të Partisë Socialiste, ndërsa thotë se shpreson që të gjendet një zgjidhje për situatën e krijuar.

“Qëndrimi në shtëpi për një kohë relativisht të gjatë nxit fantazinë. Logjika të tilla në "kohë kolere" janë të justifikuara! Inati e ka rrugën e gjatë! Puna si rregull bëhet në zyrë dhe ku nuk kam munguar asnjë ditë! Shpresoj, që rregullat e emergjencës dhe task-forca që drejton atë do të gjejnë mekanizmin e zgjidhjes së situatës!", deklaron ai.

https://www.facebook.com/pandeli.majko/posts/10157858414122254

Majko thotë se kjo është luftë dhe paralajmëron opozitën se përdorimi i kësaj lufte për përfitime politike mund ta zhdukë nga skena politike.

“Edhe në luftë, diskutimet janë të lejuar nga distanca! Dikush nuk sheh aspak luftën por interesat e pushtetit pas saj! Dikush do të thotë se ai është më burrë i "zoti". Psherëtimat politike në kohë kolere kanë erën e saj! Opozita në Tiranë është e qartë vetëm për atë që nuk do! Diskreditimi i marrëdhënies politike nuk është opozitarizmi më efikas! Opozita nuk ka kuptuar se bashkë me virusin ndarjet e ideologjisë e majtë e djathtë po “vdesin" nën presionin e opinionit publik të rrjeteve sociale! Një milion refugjatë sirianë ndryshuan një pjesë të strukturës politike europiane. Në një pjesë të Europës ndodhi “zëvendësimi” i opozitave! E njëjta situatë rrezikon edhe në Shqipëri!”, thotë ai.

Majko e vlerëson si plotësisht legjitim shqetësimin e qytetarëve të bllokuar në kufi dhe garanton se po punohet për gjetjen e një zgjidhjeje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë