Ngjarje

Marrëveshja për emigrantët do ndryshojë: Qeveria mund t’i japë kompetencën Tiranës. Gjadri, qendër riatdhesimi?

Nga Gazeta Si- Italia synon rikthimin e menjëhershëm të funksionimit të qendrave shqiptare në Gjadër dhe Shëngjin, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian të parashikuar për 25 shkurt, edhe me koston që ti hiqen juridiksionit italian këto struktura, të cilat janë në bazë të traktatit të nënshkruar me Tiranën.

Ky është objektivi i qeverisë që ka vendosur të modifikojë marrëveshjen me Shqipërinë dhe mund ta bëjë këtë edhe me dekret. Qeveria italiane po konsideron ndryshimin rrënjësor të projektit të transferimit të emigrantëve në qendrat shqiptare në Gjadër e Shëngjin. Kjo me qëllim qendrat e ngritura, në anën tjetër të Adriatikut, këtu në Shqipëri  të mos jenë më bosh siç kanë qenë për muaj të tërë, shkruan La Repubblica.

Për herë të parë, sipas La Repubblica, qeveria po shqyrton ndryshimin rrënjësor të planit fillestar.

Media italiane shkruan se ideja kryesore do të ishte shndërrimi i dy Qendrave Shqiptare në CPR (Qendra Riatdhesimi), të destinuara për emigrantët e parregullt tashmë të pranishëm në Itali me një dekret dëbimi.

La Repubblica shkruan se ato nuk do të ishin më ambiente pritjeje të përkohshme për emigrantët e shpëtuar në det, por qendra reale riatdhesimi, duke anashkaluar hapin e vlefshmërisë së ndalimit nga Gjykatat e Apelit, të cilat i kanë refuzuar gjithmonë këto kërkesa deri tani.

“Kryeministrja Giorgia Meloni diskutoi këtë çështje të premten me ministrin e Brendshëm Matteo Piantedosi dhe nënsekretarin Alfredo Mantovano. Ideja kryesore do të ishte transformimi i dy qendrave shqiptare në CPR (Qendra Riatdhesimi), të destinuara për emigrantët e parregullt tashmë të pranishëm në Itali me një dekret dëbimi”, shkruan La Repubblica.

Kështu, Shëngjini, aktualisht një pikë për pritjen fillestare, do të ndryshonte funksionin, ndërsa Gjadri, me dy strukturat e tij, do të ndryshonte plotësisht.

Nga pikëpamja ligjore, shkruan media italiane, zbatimi nuk është pa pengesa. Disa magjistratë theksojnë se Gjadri ndodhet në territorin shqiptar, sipas një protokolli dypalësh dhe se emigrantët tashmë të pranishëm në Itali nuk mund të transferohen atje për riatdhesim, të paktën deri në hyrjen në fuqi të rregullave të reja të BE-së të parashikuara nga Pakti i Azilit dhe emigracionit të vitit 2026.

Corriere della sera shkruan se pas tre refuzimeve radhazi të ndalimeve të emigrantëve nga gjyqtarët e Emigracionit dhe Gjykata e Apelit, qeveria italiane po kërkon edhe një mënyrë për të përjashtuar juridiksionin e magjistratëve italianë për menaxhimin e emigrantëve që do të riatdhesohen.

Aktualisht po shqyrtohen hipoteza të ndryshme për rifillimin e transferimeve të emigrantëve, por këtë herë me një diskutim më të gjerë, që nuk përfshin vetëm të shpëtuarit në det dhe që vijnë nga vendet e përfshira në listën italiane të të sigurtëve, por edhe ata që ndodhen tashmë në pikat e nxehta dhe qendrat e pritjes në territorin kombëtar.

Kjo u diskutua në një takim të premten e kaluar, gjatë të cilit u shfaq mundësia që qendrat shqiptare të mund të transformoheshin në CPR, pra dedikuar ekskluzivisht për riatdhesimin e refugjatëve që mendohet se nuk kanë kushtet për të marrë mbrojtje ndërkombëtare nga Italia ose në qendra pritjeje.

“Dhe në këtë pikë nuk mund të përjashtohet që të menaxhohen nga Tirana dhe jo më nga Roma”, shkruan Corriere della sera.

Në çdo rast, duke pritur vendimin e gjykatës në Luksemburg, ekzekutivi përsërit vullnetin për të ecur përpara. Për këtë arsye, për sot është planifikuar një tjetër takim. Në qendër të diskutimit mund të jetë edhe një dekret i ri qeveritar, i propozuar, ndër të tjerët, nga ministri për Çështjet Evropiane, Tommaso Foti, që sipas planeve të qeverisë mund të ofrojë një zgjidhje ligjore të qëndrueshme pas vendimeve kundërshtuese të gjykatave mbi qëndrimin e emigrantëve në Shqipëri.

Por opozita është kundër.

“Këmbëngulja është djallëzore, qeveria duhet të ndalojë këtë çmenduri që po krijon një përplasje të paprecedentë mes pushteteve dhe një humbje burimesh”, shpjegon Simona Bonafe, drejtuese e grupit të Partisë Demokratike në Komisionin e Çështjeve Kushtetuese të Dhomës, për të cilën ekzekutivi “ngul këmbë në përpjekjen e papranueshme për të zgjedhur gjyqtarët e vet dhe për të rishkruar rregullat”.

Kreu i grupit Avs në të njëjtin komision, Filiberto Zaratti, thotë se “ata janë futur në rrëmujë, duhet të ndalojnë së shpërdoruari paratë e italianëve”.

Të premten, Kryeministri Rama tha se operacioni është tërësisht italian dhe Shqipëria ka një rol shumë të thjeshtë, aq sa për çdo gjë, duhet pyetur Meloni.

“Pyetja për dështimin e marrëveshjes duhet ti drejtohet Melonit pasi roli jonë është shumë i thjeshtë, na u kërkuar nga Italia që ta ndihmojmë dhe po e ndihmojmë. Operacioni është 100% italian”, tha Rama.

Mbetet e paqartë nëse Shqipëria do të marrë një rol më të madh në këtë operacion dhe nëse përqindjet do të ndryshojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë