Njerez

Emigracioni, Lezha, Elbasani dhe Berati po "zbrazen"

Emigracioni është shndërruar në një fenomen shqetësues për Shqipërinë vitet e fundit duke zbrazur shumë nga qytetet e vendit.

Sipas të dhënave të INSTAT, Lezha, Elbasani dhe Berati kanë  nivelin më të lartë të emigracionit, duke vuajtur nga mungesa e fuqisë punëtore.

Në 2018 niveli neto i migracionit për Lezhën ishte -135 persona për 10 mijë banorë ndërsa për Beratin 105 persona. Sipas Institutit Shqiptar të Statistikave gjatë vitit 2018, për shumicën e rajoneve të vendit, emigracioni ka pasur një ndikim më të madh në ekonominë e këtyre qyteteve.

Ndërkohë, Dibra, Gjirokastra dhe Kukësi janë përballur si me emigracionin ashtu edhe lëvizjet e brendshme, me shumë qytetarë që lëviznin nga fshatrat në qytete.

Por këtij fenomeni nuk i ka shpëtuar as kryeqyteti, pasi gjatë vitit 2018, popullsia e rajonit të Tiranës është ulur si rezultat i emigrimit me minus 5 banorë për 10,000 banorë. Por në të njëjtën kohë kjo popullatë është rritur si rezultat i lëvizjeve të brendshme me rreth 81 banorë për çdo 10,000 banorë.

Qytetet e Tiranës dhe Vlorës janë prefekturat e vetme popullsia e të cilave është rritur si rezultat i brendshëm gjatë vitit 2018.

INSTAT raporton se popullsia rezidente e të gjitha rajoneve të vendit është dukshëm më e vogël se popullsia e regjistruar në regjistrin civil.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë