Njerez

Emigracioni dhe problemet me shëndetin “çojnë” të moshuarit në azil

Ajo i ka kaluar të 90-at. Vitet e fundit të jetës së saj, Lefta po i kalon jo pranë vajzës së vetme, nipit dhe mbesës, por në një shtëpi të moshuarish, ku ajo është banorja më e re (ka vetëm disa muaj që ka ardhur).

Dikur, një nënë e përkushtuar dhe grua e devotshme, ajo nuk e mendonte kurrë se në pleqërinë e saj do të jetonte larg familjes.

Megjithatë, siç shprehet vetë, “me fatin nuk mund të hahesh”.

E lindur në një qytezë të vogël në jug të vendit, por me origjinë nga Korça, ajo u martua kur kishte mbushur 21 vjeç.

“Shkova te daja në Korçë dhe ndenja një muaj. Aty bëra dhe fejesën. U fejova me një djalë nga vendi im. Pasi qëndruam nja dy muaj atje, (në Korçë), shkuam në vendin tonë dhe u martuam. Kishim dhe kallaballëk dhe humbje të madhe, se s’kishim shtëpi. Ishte periudhë e vështirë, por ia dolëm. Kur çupa ishte një vit e gjysmë shkuam në një shtëpi, që ka qenë shtypshkronjë. Ajo ishte pa tavan, pa dysheme. Ne u munduam e bëmë tavanin me letra, shtruam dhe ca dërrasa dhe atje kaluam 5-6 vjet”, kujton L., ndërsa flet për gazetën “Si”.

Ajo rrëfen, se ajo dhe bashkëshorti punuan së tepërmi, për t’i siguruar vajzës jetën që meritonte. Kur vajza e vetme u martua, ajo iu përkushtua rritjes së nipit dhe mbesës dhe mendon se nëse do t’i kthehej përsëri të shkuarës do të zgjidhte të bënte të njëjtat gjëra.

“E kam kaluar jetën për bukuri. Kam pasur jetë shumë të lumtur se nuk kishim grindje”, shprehet ajo, ndërsa shton se megjithatë ka mall për atë kohë dhe sidomos për nipin, sepse ai është “më i qetë se mbesa”.

E detyruar t’i shtyjë vitet e fundit të jetës në një shtëpi të moshuarish, për shkak se vajza e saj e vetme është e sëmurë, Lefta ngjan se e përballon në paqe fatin e saj.

Ajo është e vetëdijshme se kohët kanë ndryshuar dhe është vështirë, që për të, të kujdesen nipi dhe mbesa, në një kohë që edhe vajza e saj ka nevojë për përkujdesje.

Për më tepër, tashmë ajo është ambientuar në mjedisin ku ndodhet dhe ndjehet shumë mirë, pasi siç thotë, në azil “ka me kë shkëmben dy fjalë” dhe “kalon momente të bukura”.

U mësova këtu. As në Amerikë, as në Francë nuk ka njerëz kështu, si këto çupat këtu. Janë të mrekullueshme. Edhe përgjegjësi është një zotëri burrë. Tani edhe të më thonë të iku, nuk iki gjëkundi”, shprehet L., ndërsa flet për shtëpinë e të moshuarve dhe përkujdesjen që ka gjetur.

E vetmja brengë që L. ka, është se nuk sheh mirë nga sytë.

“Eci, ulem, ngjitem. Nuk bëj punë dore se nuk shoh nga sytë. Po të shikoja, do të bëja punë dore e të kënaqeshin të gjithë”, shprehet ajo, ndërsa ka dhe një këshillë për të rinjtë:

“Të rinjve do t’u them të shkoni në rrugë të drejtë, mos bëni gënjeshtra dhe gjëra të këqija, se është vështirë po u nakatosën çupat dhe djemtë. Më duket se çupat po dalin një çikë si në pazar, pak si jashtë duarve”, komenton L., ndërsa thotë se nuk është kundër shoqërisë, pasi dhe ajo ka pasur shumë shoqëri e ka shëtitur shumë, por në këtë kohë ngjan se gjërat kanë ndryshuar.

Ndërsa S.B- një grua 85-vjeçare, ndryshe nga L. vëren se nëse do të kishte mundësi të zgjidhte, do të jetonte me fëmijët, pavarësisht se shërbimi në qendër është shumë i mirë.

“Ç’të bëjmë o bir. Kjo na ra për pjesë”, shprehet ajo, duke mos preferuar të flasë më tepër për veten dhe jetën e saj.

Vitet e fundit, një pjesë e mirë e të moshuarve zgjedhin apo detyrohen t’i kalojnë vitet e tyre të fundit të jetës në shtëpi të moshuarish.

Arsyet për këtë vendim janë nga më të ndryshmet, por në shumë raste, kjo zgjedhje vjen për shkak të emigracionit. Ndërkohë që shumë persona kanë emigruar jashtë vendit, të moshuarit mbeten vetëm, pa dikë që të kujdeset. Në disa raste, pavarësisht se fëmijët përpiqen t’i tërheqin me vete, për të jetuar së bashku në vendet ku kanë emigruar, këta të moshuar zgjedhin që të mos largohen nga Shqipëria.

I tillë është edhe rasti i A. Q, një i moshuar te të 80-at.

“Bëra bashkim familjar me djalin në Amerikë. Ndenja tre vjet e gjysmë dhe mora “green card”, por atje duhej të kishe pasaportë që të siguroheshe. U sëmura rëndë dhe më shtruan në spital. Kur pashë faturën që erdhi 90 mijë dollarë për tre ditë, i thashë djalit: shpejt, më pri biletën, se do të iki në Shqipëri”, rrëfen ai.

Tashmë, A.Q. ka mbi dy vjet që ndodhet në një qendër private për të moshuarit.

I sëmurë dhe me vështirësi në të lëvizur (ndodhet në karrige me rrota), ai mendon se ka bërë zgjedhjen më të mirë, për veten dhe për të birin.

Është ai që paguan për mua. Por mendoj se është më mirë kështu, sesa t’i bëhesha barrë andej dhe t’i harxhoja një lumë me para”, pohon ai.

Edhe V.B, një e moshuar në këtë qendër për të moshuarit ka zgjedhur të jetojë larg djalit të saj, i cili jeton në Itali.

“Më pëlqen të shkoj te djali në Itali dhe ta vizitoj, por jo të jetoj atje. Jam më e kënaqur këtu.”, - shprehet ajo.

Vitet e fundit, sipas asaj që pohojnë disa nga shtëpitë e të moshuarve në Tiranë, ka pasur rritje të të moshuarve që jetojnë në to.

Faktorët kryesorë, që çojnë në këtë zgjedhje janë emigracioni i fëmijëve, pamundësitë financiare apo problem të ndryshme shëndetësore.

“Kërkesat kanë ardhur duke u shtuar. Shoqëria jonë është më e hapur krahasuar me disa vite më parë dhe tani kanë filluar t’i sjellin më tepër prindërit apo të afërmit e tyre në këto institucione”, shprehet për gazetën “Si”, E.V, një punonjëse sociale në një nga shtëpitë e të moshuarve në Tiranë.

Sipas saj, në institucione private, më së shumti vijnë persona, që kanë nevojë për shërbim dhe përkujdesje të specializuar.

“Në këto qendra rrallë vijnë persona që janë fizikisht dhe mendërisht mirë dhe që duan të kenë jetë sociale dhe aktivitet të shtuar në fundin e jetës së tyre. Megjithatë, situata ka ndryshuar për mirë vitet e fundit”.

Megjithatë vlen të theksohet se, ndërkohë që shumë qytetarë e mirëpresin këtë zgjidhje, duke vlerësuar efektin pozitiv që mund të kenë këto qendra te të moshuarit, shoqëria shqiptare vazhdon të jetë e dyzuar.  Shumë persona i shohin qendrat për të moshuarit apo azilet, si strehimore nga halli dhe të moshuarit që jetojnë në këto shtëpi, si të braktisur apo të dëbuar.

Vetëm një ditë më parë, në 1 tetor në të gjithë botën është shënuar Dita Botërore e të Moshuarve. Kjo ditë është vendosur më 14 dhjetor 1990 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, si ditë e respektit global për të moshuarit. Një nga problemet më të mëdha që iu është shtuar të moshuarve gjatë këtij viti ka qenë edhe pandemia e COVID-19, që në disa raste shtoi izolimin e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë