Gazeta Si – Vit i ri, problem i njëjtë për Italinë. ‘Drama’ e bomberave përndjek edhe trajnerin aktual, Luçiano Spaleti. Kur jemi pak muaj para nisjes së Euro 2024, Italia, në grup me Shqipërinë, Spanjën dhe Kroacinë, nuk ka ende një sulmues profilik.
Duke parë numrat e sulmuesve të skemës 4-3-3 shqetësimi bëhet i madh. Imobile ka shënuar 8 gola në të gjitha kompeticionet, 7 Skamaka, 5 Retegui, 4 Raspadori. Asnjë gol për Kean, lojtarin e Juventusit.

Ajo që frikëson, përveç rendimentit të dobët para portës, është edhe angazhimi në fushë. Muajt e fundit, mes dëmtimeve të ndryshme, vetëm Retegui ka pasur një lloj vazhdimësie, apo minutazhi. Një detaj shumë banal ky. Sulmuesit italianë luajnë pak dhe rrjedhimisht shënojnë pak.
Nëse shohim klasifikimin e shënuesve më të mirë, italiani i parë është Berardi, me 9 gola, por aktualisht ai është i dëmtuar. Kieza, që ka shënuar 6 gola, gjithashtu ka probleme fizike. Xaniolo ka luajtur 25 ndeshje me Aston Vilën në kampionat dhe Europë, por ka shënuar vetëm 2 gola.
Panorama është vërtet trishtuese. Në qershor nis Europiani me ndeshjen e parë me Shqipërinë dhe të panjohurat janë të shumta për trajnerin Spaleti. Ai duhet të sajojë diçka, ose të shpresojë që dikush të shpërthejë në sulm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




