Shendet

EMA rishikon efikasitetin e vaksinës ruse Sputnik V

Komiteti i barnave në Agjencinë Europiane për medikamentet ka nisur të rishikojë efikasitetin e vaksinës Sputnik V, një vaksinë për COVID-19 e zhvilluar nga Qendra Kombëtare e Epidemiologjisë dhe Mikrobiologjisë Gamaleya të Rusisë. Vendimi i EMA për të filluar rishikimin bazohet në rezultatet e studimeve laboratorike dhe studimeve klinike tek të rriturit. Këto studime tregojnë se Sputnik V shkakton prodhimin e antitrupave dhe qelizave imune që synojnë koronavirusin SARS-CoV-2 dhe mund të ndihmojnë në mbrojtjen kundër COVID-19.
EMA do të vlerësojë të dhënat ndërsa ato bëhen të disponohen për të vendosur nëse vaksina mund të përdoret në Europë ose jo. Në faqen zyrtaret agjencisë thuhet se EMA do të vlerësojë efikasitetin e Sputnik V me standardet e zakonshme të BE-së për efektivitetin, sigurinë dhe cilësinë. Ndërkaq ende nuk është parashikuar afati kohor se deri kur do të vijojë procesi për të përfunduar rishikimin e vaksinës. EMA ka deklaruar më se do të komunikojë më tej kur të jetë dorëzuar aplikimi për autorizimin e marketingut për vaksinën.

Si funksionon vaksina?
Sputnik V funksionon duke përgatitur trupin për t'u mbrojtur nga infeksioni me virusin SARS-CoV-2. Ky virus përdor proteina në sipërfaqen e tij të jashtme, të quajtura proteina spike, për të hyrë në qelizat e trupit dhe për të shkaktuar COVID-19. Sputnik V përbëhet nga dy viruse të ndryshme që i përkasin familjes adenovirus, Ad26 dhe Ad5. Këto adenovirusë janë modifikuar për të përmbajtur gjenin për krijimin e proteinave spike të SARS-CoV-2. Ato nuk mund të riprodhohen në trup dhe nuk shkaktojnë sëmundje. Të dy adenoviruset jepen veçmas: Ad26 përdoret në dozën e parë dhe Ad5 përdoret në të dytën për të rritur efektin e vaksinës. Pasi të jetë dhënë, vaksina sjell gjenin SARS-CoV-2 në qelizat në trup. Qelizat do të përdorin gjenin për të prodhuar proteinën spike dhe kështu sistemi imunitar i personit do ta trajtojë këtë proteinë spike si të huaj dhe do të prodhojë mbrojtje natyrore, antitrupa dhe qeliza T, kundër kësaj proteine.
Nëse, më vonë, personi i vaksinuar bie në kontakt me SARS-CoV-2, sistemi imunitar do të njohë proteinën spike në virus dhe do të jetë i përgatitur për ta sulmuar atë. Antitrupat dhe qelizat T mund të punojnë së bashku për të vrarë virusin, për të parandaluar hyrjen në qelizat e trupit dhe shkatërrimi i qelizave të infektuara, duke ndihmuar kështu në mbrojtjen nga COVID-19.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë