Dosje

Elvis Demçe, Italia kërkon 187 vite burg për organizatën e bosit të mafies shqiptare

Gazeta Si - Njëqind e tetëdhjetë e shtatë vjet burg u kërkuan për organizatën kriminale të kryesuar nga bosi shqiptar i narkotrafikut në Itali, Elvis Demçe, i cili së bashku me rivalin e tij, Ermal Arapaj marrin dënimin më të lartë: 20 vjet.

Këto janë përfundimet e gjykimit të shkurtuar të dorëzuar në gjykatë nga prokurorët italianë, Francesco Cascini dhe Mario Palazzi.

Të pandehurit akuzohen për krijim të organizatës kriminale me qëllim trafikun e drogës, rrëmbime, zhvatje, zjarrvënie, kërcënim.

Demçe, 37 vjeç, tashmë i ndaluar , siç rezultoi nga disa përgjime të karabinierëve, kishte planifikuar edhe eliminimin e prokurorit që po hetonte mbi të.

“Nuk ishte një organizatë e zakonshme e dedikuar vetëm për trafikun e drogës, por një kompani që donte të zgjeronte gjithnjë e më shumë hapësirat e saj”, argumentuan prokurorët, sipas "Corriere della Sera".

Elvis Demçe është trafikanti më i njohur shqiptar në Itali, i cili e shpalli veten “Zot i drogës”, ndërsa kërkonte të merrte të gjitha pushtetet e “botës së nëndheshme të krimit”.

Mediat italiane, duke iu referuar të dhënave nga dosjet voluminoze të hetimit, shkruajnë se Demçe u rrit në familjet kriminale dhe shumë shpejt ngjiti “shkallët e suksesit”.

“Elvis Demçe ka lindur në Fier, Shqipëri, më 10 gusht 1986. Ai banon në Velletri, por në fakt jetonte në Romë. Tani është në burg në pritje të gjykimit, pasi akuzohet se është në krye të bandës së fundit të fuqishme të shqiptarëve me metoda mafioze që vepron në kryeqytet”, thuhet në dosjen e hetimit.

Demçe ishte njeri shumë i afërt me Fabrizio Psicitellin, i njohur si "Diabolik", i cili u vra pak kohë më parë.

Ai bënte biznes duke importuar drogë për llogari të grupeve kriminale të Acilias, me emisarë të lidhur me trafikantët holandezë dhe kolumbianë të drogës dhe një ish-futbollist të arrestuar pak kohë më parë me 27 kg kokainë me vete.

Demçe bënte kërcënime të egra ndaj rivalëve të tij. Disa kohë më pare, një borxh prej 100 mijë eurosh u bë shkak që ai të urdhëronte anëtarët e bandës së tij: “Merre vëllanë e tij, rrëmbeje dhe shkëputi të dy krahët”.

Mediat italiane kanë raportuar më herët edhe përgjimet e planit të Demçes për të vrarë dy prokurorë. Sakaq, është bërë e ditur se grupi në të cilën ishte pjesë këngëtarja Elsa Lila, e cila u arrestua pak muaj më parë (por pastaj u lirua), pasi dyshohej se kishte lidhje të forta me  grupin e Demçes.

Një ditë më parë, Dorian Petoku, një tjetër “Mbret” i narkotrafikut në Itali, shqiptar si Demçe dhe bashkëpunëtor i tij, u lirua nga qelia për të vuajtur dënimin me 12 vite burg në një qendër rehabilitimi.

Gjykata e Romës vlerësoi se Petoku ishte përdorues i drogës dhe për këtë kishte nevojë të vuante dënimin në një masë më të butë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë