Futboll

Elseid Hysaj bëhet “sheik”? Nga Italia: Është arritur marrëveshja me PSG

Pa asnjë titull të fituar këtë sezon dhe me eleminimin e hershëm nga kupat e Europës, Napoli do të sakrifikojë në merkato për të rregulluar bilancet.

E mes të sakrifikuarve duket se është edhe shqiptari Elseid Hysaj. Sipas asaj që thotë gazetari sportiv italian, Livio Varriale, mbrojtësi i krahut të djathtë i kombëtares shqiptare, nga kjo verë do të vishet “sheik”.

“Hysaj është shitur tek PSG. Është gjetur marrëveshja”, shkruan Varriale në një postim të shkurtër në Twitter.

Megjithatë, përsa kohë nuk ka asnjë njoftim zyrtar, gjithçka mbetet në kuadër të thashethemeve të merkatos, që përforcohen akoma më shumë nga ana e vetë gazetarit, kur i kthen përgjigje interesimit të ndjekësve të tij.

“Sipas një burimi nga Anglia, që nuk jep më shumë detaje”, qartëson ai.

Elseid Hysaj me fanelën e Kombëtares

Lëvizja, gjithmonë nëse është e vërtetë mbërrin si një “rrufe në qiell të hapur”. Prej kohësh përflitej për largimin e Hysajt nga Napoli, por në listën e skuadrave të interesuara nuk bën pjesë PSG.

Skenari bëhet më i besueshëm duke patur parasysh që PSG kërkon një mbrojtës në krahun e djathtë, pasi Dani Alves, edhe nëse rri për një tjetër sezon tek skuadra kampione franceze, vështirë se do të jetë në lartësinë që kërkojnë “sheikët”; atë për të ecur në Europë.

23-vjeçari shqiptar prej dy sezonesh është shndërruar në një pikë referimi tek Napoli, duke qenë i pazëvendësueshëm në krahun e djathtë të mbrojtjes, por edhe një mbulues i mirë i krahut të majtë, sa herë që i është kërkuar ta bëjë, sidomos këtë sezon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë