Nga Gazeta Si – Shqipëria dhe medaljet që Greqia ka fituar në sportin e hedhjes së shtizë për femra janë të lidhura ngushtë mes tyre. Me 19-vjeçaren Elina Xhengo, kampione e freskët Europe në Gjermani, bëhen tre sportistet shqiptare që kanë garuar me sukses për vendin fqinj.
E kanë bërë më parë Mirela Manjani, sportistja e lindur në Durrës që më pas vendosi të garonte për Greqinë, duke i dhuruar asaj disa medalje, edhe të arta, në këtë sport. Manjani ka përfaqësuar Greqinë në Lojërat Olimpike të 2000-shit dhe 2004-ës.
Pastaj është edhe Vojsava Lika, një tjetër sportiste e dalluar në hedhje shtize. Edhe ajo la Shqipërinë dhe garoi me flamurin grek. Sprtistja e lindur në Gjorm ka dalë e 5-ta në botë.
Tani ishte radha e korçares Elina Xhengo. Historia e saj në fakt ndryshon pak nga ato të Manjanit dhe Likës. Elina ka lindur në Greqi dhe vendimi i saj për të garuar për Greqinë ka qenë më i natyrshëm.
Duhet theksuar se sportistja 19-vjeçare, një talent i vërtetë, nuk i ka mohuar asnjëherë rrënjët shqiptare, por ka pohuar gjithashtu se ndihet greke, sepse në këtë vend është lindur dhe është rritur.
Kush është Elina Xhengo
Sportistja ka lindur në Athinë, më 2 shtator 2002, nga prindër shqiptarë. Babai punonte polic përpara se të emigrionte në Greqi, kurse nëna mësuese. Elina studion për dukim fizik në Athinë.
Pas medaljes së artë të fituar në Mynih, Elina ka folur për rrugëtimin e saj. Ajo thotë me krenari se është shqiptare, ndërsa pohon se nuk e ka përjetuar racizmin në Greqi.
“Jam shumë e lumtur, - tha 19-vjeçarja Xhengo për ‘TV ANT1’ mëngjesin e së hënës. - E prisja medaljen, sepse në këtë garë hyra shumë e përgatitur. Kam pasur një vit me shumë ulje-ngritje, por nuk doja që sezoni im të mbyllej kështu. Hyra në garë dhe ia dola.
Kam bërë shumë përpjekje dhe përgatitje. Në momentin e fundit shkova në garë, sepse nuk kisha nënshtetësi greke. Këtu kam lindur, këtu jam rritur, Greqia është vendi im.
Unë jam nga Shqipëria, prindërit e mi janë shqiptarë. Nuk e kam përjetuar racizmin. Njerëzit në fshatin ku jetojmë më kanë trajtuar mirë që në fëmijëri, kam qenë edhe shumë sociale.
Marr edhe shumë mesazhe negative, sepse vij nga Shqipëria. Ndihem mirë që jam nga Shqipëria, por jam edhe greke, kam lindur dhe jam rritur këtu”, - theksoi kampionja e shtizës në qëndrimin e saj pozitiv, pavarësisht të gjithave.
Nuk është vetëm burokracia dhe ksenofobia. Edhe kushtet e stërvitjes, siç pohon kampionja shqiptare, janë mizerabël në vendin fqinj. Duke folur për ‘Alpha TV’, Xhengo theksoi: “Ne stërvitemi në ambiente të mjerueshme dhe askush nuk ndihmon".
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.