Ka ndodhur

Elbasan/ 57-vjeçarja u hodh nga furgoni, arrestohet i shoqi

Një ditë pasi 57-vjeçarja Merushe Gjuzi humbi jetën pasi u vetëhodh nga fugoni me të cilin po udhëtonte në aksin Peqin-Elbasan, policia ka arrestuar bashkëshortin e saj.

Ndaj 68-vjeçarit, Mahmut Gjuzi, rëndojnë dy akuza “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”.

Dhuna psikologjike që Gjuzi ka ushtruar ndaj bashkëshortes së tij dyshohet të jetë shkaku i kësaj ngjarje të rëndë. Në kushtet e një gjendje të rënduar psikologjike dhe pas një sherri me burrin, 57-vjeçarja dyshohet se është hedhur nga fugoni me të cilin po udhëtonte drejt Funarit bashkë me miken e saj.

“Nëpërmjet dhunës psikologjike të ushtruar ndaj bashkëshortes së tij, 68-vjeçari dyshohet se ka ndikuar te gjendja e rënduar psikologjike e shtetases M. Gj., e cila në këto kushte, është vetëhedhur nga fugoni”, njofton policia.

Shoqja e viktimës ka dëshmuar se 57-vjeçarja kishte debatuar me bashkëshortin dhe pas sherrit mund ta ketë ndërmarrë aktin e rëndë.

Merushe Gjuzi ishte ulur në vendin e pasmë dhe krejt papritur hapi derën e fugonit dhe u hodh. Ndonëse të gjithë pasagjerët zbritën për t’i dhënë ndihmën e shpejtë, përplasja ka qenë fatale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë