Gazeta Si – Një 56-vjeçar, Bujar Nasufi, biznesmen në fushën e prodhimit të mobiljeve, është ekzekutuar me armë zjarri mbrëmjen e të dielës në afërsi të banesës së tij në Tiranë pranë zonës te “Pallati me Shigjeta”.
Policia njoftoi se autori ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtonte viktima, i cili po udhëtonte me gruan dhe po parkonte makinën para banesës.
Mësohet se Nasufi u ekzekutua në sy të bashkëshortes së tij, pasi kjo e fundit ishte brenda mjetit në momentin kur autori afrohet dhe e qëllon duke e lënë të vdekur në vend.
Policia ka sekkuestruar pamjet e disa kamerave të sigurisë, ku duket autori i krimit, i cili me kapuç i kamufluar si motorist për shpërndarje picash, ka pritur viktimën në afërsi të banesës. Pas vrasjes ai është larguar me motorçikletë të zezë drejt Selitës.
Sipas burimeve paraprake, pista kryesore ku Policia e Tiranës po heton deri tani për vrasjen, janë konfliktet brenda rrethit familjar.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 20:40 në rrugën “Myrte Zeneli” në Tiranë. Deri në këto momente, policia ka arritur në konkluzionin se në drejtim të 56-vjeçarit ka qëlluar vetëm një person, i cili po lëvizte me motor.
Megjithatë, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që autori të ketë pasur bashkëpunëtorë në kryerjen e krimit.
Sipas burimeve, janë gjetur në vendin e ngjarjes 6 gëzhoja. Ndërkohë, viktima nuk rezulton person me precedentë penalë.
56-vjeçari ishte bashkëpronar i një mobilerie së bashku me vëllanë e tij, çka ka ngritur dyshimet se krimi mund të ketë ndodhur si pasojë e ndonjë konflikti të mundshëm që ka lidhje me biznesin e tij.
Bëhet e ditur se mobileria në pronësi të viktimës dhe vëllait të tij ndodhet në afërsi të vendngjarjes. Familjarët e viktimës kanë deklaruar se nuk kanë qenë në dijeni të ndonjë konflikti që mund të ketë pasur 56-vjeçari.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.