Ana e errët

“Ekzekutimi mafioz i vëllezërve në Durrës nga një dorë profesioniste”

Ekzekutimi mafioz i dy vëllezërve, Besmir dhe Viktor Haxhia në ngjarjen e ndodhur ditën e hënë në Shënavlash të Durrësit është kryer nga të paktën dy persona, që pasi kanë shkrehur armët ndaj shënjestrave të tyre kanë humbur gjurmët duke u larguar me një automjet tip “Toyota”.

Lloji i makinës është fiksuar nga kamerat e sigurisë së bizneseve që ndodhen pranë vendit të ngjarjes, por distanca e largat e tyre e ka bërë të vështirë për policinë që, të paktën për momentin, të identifikojë targat e mjetit.

Paraprakisht mendohet se në momentin që është qëlluar ndaj dy vëllezërve Haxhia autorët kanë qenë në vend. Kjo ka ngritur dyshimet nga ana e policisë së mes viktimave dhe autorëve ka patur njohje të mëhershme.

Mediat raportojnë se dëshmitarët që janë marrë në pyetje nga policia kanë dëgjuar të shtëna me armë zjarri për disa sekonda, dëshmi që provohen edhe nga gjurmët e predhave, që veç automjetit tip “Volkswagen” me të cilin po lëviznin dy vëllezërit Haxhia, kanë goditur edhe mjete të tjera që kanë qenë pranë.

Policia ka marrë pamjet e kamerave të sigurisë me shpresën se do të zbulojë ndonjë gjurmë të autorëve. Ajo ka shoqëruar rreth 50 persona, si dëshmitarë dhe si persona që mund të kenë dijeni, apo mund të japin një informacion të vlefshëm që të çojë në zbulimin e shkaqeve dhe të autorëve të sulmit mafioz.

Mes personave që është marrë në pyetje është edhe roja e një biznesi privat. Në një prononcim për Syri.net roja shprehet se ka parë dy njerëz që iknin me vrap dhe kërkonin të arrinin një makinë.

“Në momentin që ndodhi ngjarja unë isha këtu. Tre karikatorë u zbrazën. Unë pashë vetëm një makinë që po kalonte atje dhe dy veta i shkonin nga pas. Makina ikte ngadalë, ndërsa ata të dy shpejtonin që ti arrinin makinës. Nuk e di nëse makina priste ata, a ka ikur këtej makina nuk dihet, se nuk dukej mirë dhe kishte shumë pluhur. U shtrimë të gjithë përtokë. Janë dëmtuar edhe 5 makina të tjera”, deklaron ai.

Hetimet vështirësohen nga fakti se asnjëri prej vëllezërve nuk rezulton person me precedentë penalë në Shqipëri, por përfliten si persona të njohur me shtetasit Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia, të ekzekutuar po në një atentat mafioz në fillim të muajit mars, thuajse në të njëjtin vend.

Prokuroria dyshon se zinxhiri i vrasjeve ka lidhje me njëri-tjetrin dhe shkak janë prishjet e pazareve të drogës në Angli.

Ndërkohë, gazetari i kronikës, Artan Hoxha thotë se pas këtij ekzekutimi qëndron një dorë që është autore e disa sulmeve të ngjashme në muajt e fundit. I ftuar në “AbcNews”, Hoxha tha se ata janë profesionistë që nuk lënë asnjë provë pas, madje as automjet të djegur, siç ndodh shpesh në të tilla vrasje.

“Ndryshe nga herët e tjera, makina e atentatorëve nuk është djegur. Këta janë një grup ekzekutuesish profesionalë që largohen dhe nuk lënë asnjë provë. Ata as nuk e djegin makinë, as nuk e lënë gjëkundi, madje nuk lënë as armën e asnjë lloj prove. Ky grup ka hequr qafe 8-9 persona në muajt e fundit dhe janë profesionalë. Ata kanë pasur bashkëpunëtorë, të cilët i kanë vendosur në dijeni, për orën e saktë të daljes së vëllezërve nga Haxhia, nga shtëpia. Mjetin e përdorur në atentat ata nuk e kanë djegur, por diku në dalje të asaj zone është fshehur, në ndonjë garazh, në ndonjë vend është futur. Ata do ta çmontojnë makinën”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë