Bota

Ekuador, sekuestrohen 400 kg kokainë me fytyrën e sulmuesit Erling Haaland (video)

Gazeta Si – Të mërkurën, policia e Ekuadorit sekuestroi mbi 400 kilogramë kokainë, të ndarë në po aq paketime prej letre jeshile, secila e pajisur me një ngjitëse që mbante imazhin e sulmuesit norvegjez, Erling Haaland.

Ngarkesa u zbulua gjatë një kontrolli në kufirin me Kolumbinë dhe drejtuesja e kamionit – një grua me dokumente identifikimi kolumbiane – u arrestua.

Është mjaft e zakonshme që trafikantët e drogës të përdorin imazhe, emra ose ilustrime specifike për të identifikuar lëndët narkotike të paligjshme që prodhojnë dhe transportojnë.

Për shembull, në vitin 2017, në Peru u zbuluan pako kokaine që mbanin imazhin e kapitenit të Argjentinës, Lionel Messi.

Megjithatë, policia e Ekuadorit nuk ka dhënë asnjë shpjegim lidhur me domethënien e imazhit të Haaland-it apo se cili grup kriminal mund të jetë i lidhur me të.

Haaland-i ishte një nga lojtarët më të përfolur në Kampionatin e fundit Botëror, si për golat që shënoi, ashtu edhe për tiparet e personalitetit që e bënë jashtëzakonisht popullor, madje edhe mes atyre që nuk e ndjekin futbollin.

Operacioni u zhvillua në rajonin Wagua Negro, pranë qytetit kufitar Tulcán, rreth 246 kilometra në veri të kryeqytetit Quito. Autoritetet kishin marrë një informacion anonim për një ngarkesë të dyshimtë në Autostradën Pan-Amerikane dhe më pas ndaluan dhe kontrolluan kamionin.

Sipas “Associated Press”, vlera e ngarkesës së sekuestruar vlerësohet në rreth 731 mijë euro në tregun vendas në Ekuador.

Nëse kokaina do të arrinte në SHBA, vlera e saj do të kalonte 9.5 milionë euro, ndërsa në tregun evropian do të ishte mbi 17 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë