Ngjarje

“Ekstra masazhi 100 euro”. Si një agjent i infiltruar zbuloi tre qendra estetike prostitucioni

Është e vështirë të zbulosh se çfarë ndodh brenda mureve të një qendre masazhi. Pala që kërkon “masazh” nuk flet. As ofruesit. Një nga dosjet që gazeta “Si” po zbardh tregon se ka një mënyrë për t’i nxjerrë në dritë të fshehtat.

Bëhet me dije se pas regjistrimit të hetimeve ndaj tre qendra masazhi dhe estetike në kryeqytet, prokuroria është detyruar të autorizojë një agjent që do të kryente veprime stimuluese. Gjithë ç’duhet të bënte agjenti me inicialet A.H. ishte regjistrimi i bisedës, thuhet në aktet e procedimit numër 1789. Në dosjen që gazeta “Si” disponon, ku pronari i një qendre masazhi përfundoi nën akuzë së bashku me masazhieren, agjentit i ofrohet masazh nga e pandehura A. D. “Personi i autorizuar regjistroi gjithë komunikimin audio, ku masazhierja dëgjohet që i ofron edhe shërbime të tjera me natyrë seksuale kundrejt pagesës”.

E akuzuara shpjegon për zyrën e antitrafiqeve se masazhet kushtojnë 3 mijë lekë ora. “Unë përfitoja muajin e parë 400 lekë dhe 500 lekë muajin e dytë. Munda që të gjej klientë fiksë dhe me gjithçka tjetër merrej administratori i qendrës së masazhit. Ai telefonohej nga klientët dhe planifikonte oraret që m’i thoshte në telefon. Klientët kur vinin përveç masazhit kërkonin edhe shërbime të tjera seksuale si masturbim dhe seks oral dhe për këtë paguanin”. Por masazherja tregon se nuk e kishte diskutuar asnjëherë këtë shërbim me administratorin, por që marrëveshja kryhej në heshtje mes saj dhe klientit.

Por të kundërtën tregon një masazhiere, e cila punon part-time në këtë qendër, duke hedhur dyshime ndaj administratorit. Gruaja tregon se gjatë kontrollit të policisë ajo u gjend aty pasi punonte tre orë në ditë si estetiste.

K. B. shton “e gjeta këtë punë përmes rrjeteve sociale. Intervistën për punë e kreva me administratorin, gjatë punës klientët kërkonin edhe shërbime të tjera. M. na e bëri të qartë se nëse tregonim çfarë ndodhte aty, do na pushonte nga puna. Pronarët nuk më kërkuan direkt të ofroja shërbime të tilla, por indirekt thanë - klienti duhet të ndihet i kënaqur. Pastaj administratori shtoi - në rast se klienti kërkon diçka, bëje se nuk të gjen gjë”. Refuzova dhe m’u përgjigj - në rast se nuk do vazhdosh t’i kënaqësh, nuk do e kesh të gjatë në këtë punë”.

Policia e pyet gruan: sa paguhet për një seancë speciale masazhi një punëtore në këtë qendër?

K B: Pagesa për masazh është me përqindje. Nuk është fiks, por caktohet në bazë të eksperiencës. Vendoset midis pronarit dhe punonjëses.

Policia: Sa është numri i vajzave në këtë qendër?

K. B: Për momentin ishim katër, por ka pasur të tjera që vijnë dhe ikin, janë part-time.

Por edhe pse gruaja e mohon që të jetë edhe vetë ofruese e këtyre shërbimeve, policia e pyet më tej pasi këqyr kamerat e sigurisë, ku edhe pse ajo këmbëngul se është estetiste rezulton të jetë edhe masazhiere.

Policia: Ju jeni kontaktuar nga klienti dhe keni hyrë në dhomë me të. A mund t’i kujtoni rrethanat lidhur me këtë rast?

K.B: Nuk kujtoj ndonjë detaj lidhur me këtë rast, por si zakonisht është kryer masazh te dhoma me gur. Theksoj se nuk ka kryer asnjë veprim me natyrë seksuale. Duken planet kur unë hedh diçka në plehra, por aty s’ka asgjë, edhe pse policia gjeti në kosh një prezervativ, atë nuk e kam hedhur unë. Nuk e di se cila nga punonjëset e ka hedhur aty.

Edhe punonjësja tjetër mohon të ketë ofruar shërbime të ngjashme seksuale, ndaj çështja për këtë qendër është dorëzuar në gjykatë me administratorin nën akuzë për mbajtje të ambienteve për prostitucion dhe A. D. ushtrim prostitucioni. Për qendrat e tjera po vazhdon hetimi.

Në dosje theksohet edhe informacioni i policisë: “Klientët bisedojnë për marrjen e këtyre shërbimeve që nuk janë vetëm masazh. Në dhomën e masazhit apo dhe në sportel masazhatorja pyet nëse kërkon masazh të lehtë, që kupton masazhin normal dhe pagesa për të kushton 4 mijë lekë, masazh të fortë apo extra masazh që nënkupton edhe shërbime seksuale dhe që ka tarifën 100 euro”. Si të tilla prokurorisë ju referuan dhe çështjet janë ndarë për disa qendra masazhi gjithsej shtatë të tilla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë