Nga Gazeta ‘Si’– Eksportet e mallrave janë tkurrur për të tetin muaj radhazi.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në nëntor eksportet arritën vlerën e 33 miliardë lekëve duke u ulur me rreth 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Në këtë njëmbëdhjetëmujor eksportet arritën vlerën e 403 mld lekëve, duke u ulur me 9.8 %, krahasuar me një vit më parë.
Grupet kryesore që kanë ndikuar në rënie janë “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 10.4% dhe “Tekstile dhe këpucë” me 5.7%.

Industria e tekstileve gjendet prej disa muajsh në vështirësi.
Në tetor ky grup u tkurr me 18.7%, që është rënia më e lartë që nga periudha e pandemisë, kur fabrikat mbyllën punën për shkak të problemeve të krijuara në ekonominë globale nga kufizimet e pandemisë.
Edvin Prençe kryetar i ProEksportAlbania ka deklaruar për Gazetasi.al se sektori ka humbur konkurrueshmërinë, si rrjedhojë e rritjes së kostove dhe rënies së euros. Shtrenjtimi i kostove ka detyruar bizneset e sektorit të kërkojnë rritje të çmimeve, të cilat në shumicën e rasteve nuk janë pranuar nga klientët europianë, që u janë drejtuar vendeve te tjera Ballkanike.
Ndërsa pozitivisht ka ndikuar grupi: “Produkte kimike dhe plastike” me 1%.
Importet e mallrave në nëntor arritën vlerën e 72 mld lekëve duke u ulur me 7.4% krahasuar me një vit më parë.
Më negativisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me 3.8% dhe “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 2.7%.
Sipas INSTAT deficiti tregtar i këtij muaji është 39 mld lekë, duke u rritur me 9.9 %, krahasuar me nëntorin e vitit të shkuar dhe duke u ulur me 6.7 % krahasuar tetorin e këtij viti.
Bien eksportet me Italinë dhe Kosovën, rriten me Zvicrën
Gjatë nëntorit vendet me të cilat Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të eksporteve krahasuar me një vit më parë janë: Italia (16.7 %), Kosova (17.7 %), Greqi (3.0 %), etj. Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë
pasur rritje më të madhe, është: Zvicra (8 herë).
Ndërsa vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, janë: Italia
(15.2 %), Turqia (36.2 %), Greqia (0.3) %), etj. Rritje krahasuar me vitin e shkuar ka patur me Kinën (24.4%), Gjermaninë (6.7%) dhe SHBA-në (39.7%)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.