Nga Gazeta ‘SI’ – Në janar 2025, eksportet e mallrave arritën vlerën 31 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 4.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, importet e mallrave arritën vlerën e 60 miliardë lekë, duke regjistruar një rritje të lehtë prej 0.1% krahasuar me janarin e një viti më parë, por një rënie të ndjeshme prej 23.5% në krahasim me muajin e mëparshëm.
Deficiti tregtar për këtë periudhë rezultoi në 29 miliardë lekë, ose 4.5% më pak krahasuar me janarin e vitit 2024.

Grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” pati ndikimin më të madh pozitiv, duke kontribuar me 13 pikë përqindje në rritjen e eksporteve. Gjithashtu, sektorët e “Ushqimeve, pijeve dhe duhanit” dhe “Makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit” dhanë një kontribut më modest, me 0.5 dhe 0.3 pikë përqindje, përkatësisht.
Grupi “Materiale ndërtimi dhe metale” pati ndikimin më negativ, duke e ulur rritjen me 5.6 pikë përqindje.

Rritja e importeve u nxit nga grupet “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, “Ushqime, pije, duhan” dhe “Produkte kimike dhe plastike”. Ndërkohë, negativisht kontribuan grupet “Materiale ndërtimi dhe metale”, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” dhe “Lëkurë dhe artikujt prej tyre”.
Në janar 2025, Shqipëria shënoi një rritje të ndjeshme të eksporteve drejt Kosovës, Greqisë dhe Spanjës, ndërsa eksportet drejt Italisë, Gjermanisë dhe Turqisë pësuan një rënie. Nga ana tjetër, importet u rritën kryesisht nga Italia, Kina dhe Greqia, ndërsa shënuan një ulje nga Turqia, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.