Ngjarje

“Ekspertëve iu deshën vetëm 2 ditë për të firmosur prishjen e Teatrit”

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore hedh dyshime jo vetëm mbi përvojën dhe mbi përgatitjen profesionale të komisionit që ka hartuar ekspertizën për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, por edhe nëse kjo ekspertizë është realizuar vërtet.

Forumi thotë se në 2018, Komisioni i drejtuar nga Ledion Lako, asokohe Drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Politikave dhe Zhvillimit të Kulturës ka dalë me përfundimin se godina e Teatrit Kombëtar nuk kishte asnjë vlerë të trashëgimisë kulturore vetëm dy ditë pasi ishte themeluar.

“Më konkretisht, pas kërkesës së 15 majit 2018 të Bashkisë së Tiranës për zhvillimin e zonës së Teatrit Kombëtar, Ministria e Kulturës ngriti një grup pune të përbërë nga shtatë ekspertë, me në krye Drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Politikave dhe Zhvillimit të Kulturës, asokohe Ledion Lako. Vetëm dy ditë më pas, më 17 maj 2018, ky grup “ekspertësh” konkludoi se Teatri Kombëtar nuk kishte ndonjë vlerë të trashëgimisë kulturore dhe arkitekturore dhe iu drejtua Këshillit të Ministrave me një përgjigje pozitive që i hapi rrugën shkatërrimit të Teatrit”, thuhet në deklaratë.

Komisioni në fjalë përbëhej nga 7 anëtarë që kanë firmosur ekspertizën tekniko-strukturore, higjienike, artistike, funksionale, arkitekturore, kulturore si trashëgimi dhe gjeologji-sizmike. Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore publikon edhe jetëshkrimet (CV-të) e anëtarëve të këtij Komisionit dhe thotë se asnjëri prej tyre nuk ka kualifikimin profesional për të gjykuar rëndësinë e godinës së Teatrit Kombëtar.

“Asnjëri prej tyre nuk ka punuar në ndonjë projekt të ngjashëm me Teatrin, apo në fushën e restaurimeve të ngjashme”, thotë Forumi.

Më poshtë eksperienca e detajuar e komisionit “Lako”, sipas deklaratës së bërë publike nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

  1. Ledion Lako, Kryetar Komisioni; diplomuar për “Politologji-Marrëdhënie Ndërkombëtare” në Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë” Tiranë dhe “Master” në UET; kandidat për deputet i PS më 2009, 2013. Media kanë publikuar ditët e fundit që drejtor Lako ka paraqitur si diplomë ekselence në Itali një kurs certifikimi si kamarier. Në fakt, në qytetin e Durrësit të gjithë e njohin si pasticier të talentuar, sektor ku ka patur edhe sukses duke hapur 3 pasticeri të ndryshme.
  2. Herida Duro, Anëtare, Drejtore e Politika-Strategjive Kulturore - Ka përfunduar studimet bachelor dhe master në Instrumentin e Violës dhe Muzikës së Dhomës në Universitetin e Arteve. Ka përfunduar dhe studimet bachelor për Drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 2011.
  3. Arjan Avrazi, anëtar, Drejtor i Konceptimit dhe Fizibilitetit të Projekteve të Kulturës - Diplomuar “Kompozicion vallesh popullore dhe iso-polifoni” në Universitetin e Arteve;
  4. Kozeta Angjeliu, anëtare, Drejtore e Programeve dhe Zhvillimit të Kulturës - Diplomuar “Inxhiniere ndërtimi” për objekte banimi e shërbimesh rurale; me eksperiencë profesionale pranë Ndërmarrjes Komunale Berat;
  5. Elira Dani, anëtare, Drejtore e Programim Standartizimit të Kuadrit Rregullator - diplomuar në 2012 në Institutin e Studimeve Europiane, Universitetin e Tiranës në “MND Legjislacioni dhe Institucionet Europiane”. Në vitin 2016 është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Ekonomisë në “MA në Administrim Publik.” Ka kryet studimet e larta Universitare, në Fakultetin Juridik (Jo Publik) “Luarasi”, në Degën Drejtësi.
  6. Sofjan Jaupaj, anëtar, Këshilltar i ministres - Diplomuar “Jurist” dhe I specializuar në legjislacionin për të drejtën e autorit.
  7. Shpëtim Shehu, anëtar, Drejtor i Buxhetimit – Diplomuar në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tiranës.

Miratoi Akt Ekspertimin – Vlerësimin e Teatrit Kombëtar:

Mirela Kumbaro, me detyrë Ministre e Kulturës (2018) - Diplomuar “Mësuese për lëndën “Gjuhë Frëngjisht në Ciklin e arsimit 8-vjeçar” në Universitetin e Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë