Ana e errët

Ekskluzive: Doli nga burgu Elidon Kotorri, Strasburgu e shpëtoi nga dënimi i përjetshëm

Elidon Kotorri është  i lirë. Në mesditë ( e mërkurë) ai ka lënë burgun e sigurisë së lartë në Peqin jashtë vëmendjes së kujtdo, pavarësisht emrit të tij që vite më parë pushtoi kronikën e zezë dhe futi drejtësinë (edhe për shkak të emrit), në dilema që në fund nxorrën të fituar  44 vjeçarin. Ai, gjatë viteve 2000, ishte një nga emrat më të lakuar. Nga njëra anë prokuroria që e akuzoi edhe për krime të tjera dhe nga ana tjetër e njëjta prokurori që tërhiqej me dështim. Por njëkohësisht edhe gjykatat “ranë “ para Kotorrit të cilit nuk ju provuan akuzat për një krim të dyfishtë të 1999 ( ku u vranë Sentilian Elezi dhe Fatmir Hodaj) , ndërsa  edhe akuza për vrasje për të cilën u shpall fajtor u konsiderua me prova të marra arbitrarish (sipas gjykatës së Strasburgut ). Pavarësisht të gjithave çështja penale, megjithë bujën e të pandehurit apo edhe shoqërisë me emra të tjerë të njohur, u var gjatë 19 viteve vetëm në një fije floku. Elidon Kotorri, pothuajse dy dekada më vonë ja arriti të shikojë lirinë. Nga një i dënuar i përjetshëm ai u përpoq në gjykatën e Strasburgut me kartën e të drejtave të njeriut dhe fitoi rishikim të çështjes, një rishikim i cili i fali atij zbritje të dënimit të përjetshëm dhe dënimin me 25 vjet burgim për vrasje të cilat tronditën kryeqytetin .

Ngjarja

Krimi i trefishtë ndodhi më11 janar 2000  në afërsi të shkollës “Vasil Shanto” dhe  kishte në shënjestër viktimën Andi Hasani. Përveç tij në këtë atentat u vranë edhe dy të tjerë, Gazmend Zeneli dhe  Sokol Alushi, si dhe mbeti i plagosur Grigor Stefani.

Sic rezultoi gjatë gjykimit, Andi Hasani kishte qenë edhe një herë tjetër shënjestra e një breshërie me armë, nga të cilat ai vetëm u plagos  bashkë me dy të tjerë. Por u vranë  Sentiljan Elezi dhe Fatmir Hodaj. Ky atentat i dështuar ndodhi më  23 dhjetor 1999, në Tiranën e asaj kohe ku disa grupe ishin krijuar dhe që kishin nisur asgjësimin e kundërshtarëve. Por për këtë ngjarje për të cilën dyshohej Kotorri prokuroria u tërhoq më vonë.

Ja si e argumenton gjykata e lartë këtë episod sipas një vendimi që Gazeta “Si” e zotëron:

“...ai është akuzuar dhe hetuar fillimisht për dy ngjarje. Për ngjarjen e parë të ndodhur më 23.12.1999 ku kanë mbetur të plagosur shtetasit A.Hasani, G.Xhani, E.Karanxha, dhe D.Karanxha dhe kanë gjetur vdekjen shtetasit S.Elezi e F.Hodja, prokuroria i ka tërhequr gjatë gjykimit akuzat për pasojat e ardhura nga kjo ngjarje.”

Por si nisi “zemërimi “ i Kotorrit?

Sipas vendimit që gazeta “Si” zotëron gjithçka startoi më 14 dhjetor 1998, pra një vit përpara se ndaj Andi Hasanit të organizohej atentati i parë (i dështuar). Në këtë datë Elidon Kotorri humbet shokun e tij Elton Zajmi, i cili u vra me armë zjarri në ambjentet e jashtme të klubit “Partizani”. Gjykata shprehet se “Prokuroria e Rrethit Tiranë ka akuzuar shtetasin Andi Hasani, por çështja në ngarkim të tij është pushuar, për shkak se ai është vrarë më pas. I dënuari Elidon Kotorri, duke qenë shok me viktimën Elton Zajmi, i bindur se vrasjen e tij e ka kryer Andi Hasani, ka vendosur të hakmerret ndaj tij. Për të realizuar këtë qëllim, i dënuari Elidon Kotorri ngarkoi Olsi Koçiu, i cili ka punuar shofer në aktivitetin tregtar që ushtronte familja Kotorri, që të ndiqte lëvizjet e viktimës Andi Hasani.”

Olsi Koçiu e ka mbikëqyrur viktimën  dhe e ka spiunuar tek “shefi” , i cili nga ana e tij sapo ka mësuar përmendësh axhendën  ka urdhëruar bashkëpuntorin ta ndërpresë misionin. Gjykata përshkruan momentet se si u krye ekzekutimi në të cilin kanë vdekur tre persona dhe vetëm njëri prej tyre që udhëtonte me viktimat mbijetoi.

“Më datë 10.01.2000 i ka thënë atij të bënte gati automjetin e tij se do të shkonin së bashku në Rinas për një udhëtim në Greqi. Po në datë 11.01.2000, ora 14:30, i dënuari Elidon Kotorri, me disa persona të paidentifikuar, me një mjet tip volkswagen me targa TR 4414 E, kanë vajtur tek rruga “B.Curri”, tek stacioni i fundit i Tiranës së Re, për të ndjekur viktimën Andi Hasani. Në këtë kohë Andi Hasani ka hipur në automjetin e tij tip Volvo, sëbashku me shtetasit Sokol Alushi, Gazmend Zeneli dhe Gregor Stefani. Elidon Kotorri, me shokët e tij, është vënë në ndjekje të viktimës dhe tek shkolla “Vasil Shanto” kanë qëlluar mbi automjetin që udhëtonte Andi Hasani. Nga të shtënat kanë mbetur të vrarë Andi Hasani, Sokol Alushi, Gazmend Zeneli dhe u plagos Gregor Stefani. Mbas kryerjes së krimit, autorët kanë braktisur mjetin e tyre dhe janë larguar me këmbë. Më pas i dënuari Elidon me një motor është kthyer në vendngjarje për të mësuar nëse ishte vrarë Andi Hasani. Pasi ka mësuar vdekjen e tij, ai është kthyer në banesë dhe pastaj është nisur për në Turqi.”

Gjatë hetimit prokuroria referoi si prova gëzhoja të qitura nga një automatik e mitralozë të lehtë, maska të trikotuara me vrima tek sytë, dorashka e kapele sintetike. Por prova më interesante që i çoi hetuesit tek Elidon Kotorri doli nga kqyrja e maskës në të cilën u konstatuan 12 fije floku që pas krahasimit rezultonin të Elidon Kotorrit. Në vendimin e Gazetës Si kriminalistën tregojnë :

“Nga këqyrja e maskave, dorezave dhe kapeles sipas aktit të ekspertimit janë konstatuar 12 (dymbëdhjetë) fije floku njeriu të cilët janë me vlerë identifikuese dhe është përcaktuar se fijet e flokut të gjetura në maskën me mbishkrimin “Reebok” në ngjarjen e datës 11.01.2000 kanë karakteristikat e njëjta makro dhe mikroskopike me fijet e flokut të marra model krahasimi të dënuarit Elidon Kotorri. Mbi këtë bazë është bërë analiza e ADN-së, në Ministrinë e Brendshme, Shërbimin e Policisë Shkencore, në Romë Itali dhe është konkluduar se se një fije floku e gjetur në maskën e ndodhur në makinën e tip volksëagen targa TR 4414 E, është e njëjtë me mostrën e marrë nga koka e të dënuarit Elidon Kotorri.

Çështja ndaj Elidon Kotorrit( arrestuar më 18 prill 2000) u rihap pas gjetjeve të gjykatës së Strasburgut që konstatoi se dëshmia e dhënë në polici e Olsi Koçiut është marrë nën kushtet e dhunës. Edhe ankuesi tjetër Kotorri pretendoi se i ishte marrë floku pa dijeninë dhe dëshirën e tij, një fije floku që në fakt atë e shpëtoi nga burgimi i përjetshëm, i shpallur dhe i lënë në fuqi nga tri gjykata

Gjykata thotë:

“Olsi Koçiu më datë 18 Prill 2000, pas një kontrolli në apartamentin e tij ai u arrestua dhe u akuzua për mbajtje pa leje të municionit të gjetur në apartamentin e tij. Më 19 Prill 2000 ai u mor në pyetje nga prokurori. Procesverbali i nënshkruar nga ankuesi deklaroi se ankuesi i parë zgjodhi të përfaqësohej vetë. Për sa i përket krimit të datës 11 Janar 2000 ai bëri deklarata vetë-inkriminuese të cilat gjithashtu inkriminonin edhe ankuesin e dytë. Rrjedhimisht, ai u akuzua për moskallëzim të krimit të datës 11 Janar 2000. Sipas tij, ai bëri këto deklarata vetë-inkriminuese si rezultat i dhunës së rëndë të ushtruar ndaj tij nga oficerët e policisë më 19 Prill. Ai pretendoi se nuk ishte lejuar të takonte avokatin mbrojtës të zgjedhur prej tij gjatë dy javëve në vazhdim. Më 20 Prill 2000, ankuesi i parë parashtroi se ai duhej të mbahej nga oficerët e policisë në sallën e dëgjimit për shkak të gjendjes së dobët shëndetësore dhe se ai kishte shenja të dukshme te keqtrajtimit në fytyrë. Në të njëjtën datë, u konfirmua nga Gjykata e Rrethit të Tiranës ("Gjykata e Rrethit") ligjshmëria e arrestimit të tij. Asnjë afat nuk u caktua mbi kohëzgjatjen e ndalimit të tij. Ankuesi i parë u mbrojt nga një avokat mbrojtës i caktuar nga gjykata, megjithëse ai pretendoi se kishte caktuar një avokat mbrojtës të zgjedhur prej tij. Procesverbali tregonte se avokati mbrojtës i caktuar nga gjykata kishte tërhequr vëmendjen e gjykatës mbi shenjat që tregonin se ankuesi ishte rrahur”

Pas këtyre gjetjeve të konstatuara nga Strasburgu si shkelje arbitrare për të cilat Shqipëria u gjobit 15 mijë euro dëmshpërblim për Olsi Koçiun ( nën akuzë për mos kallzim krimi), Kotorri i cili gjatë gjykimit dhe rigjykimit i shpenzoi shtetit edhe 44 milionë lekë ( shpenzime për policinë gjatë kohës që ndaj tij u shpall arrest shtëpiak ), i mbyll llogaritë me burgun. Ai në total qëndroi si vite kalendarike 19 vjet në burg, por që së bashku me kohën e paraburgimit llogariten 25 vjet burgim, shumë larg nga dënimi i përjetshëm për të cilin dikur gjyqtarët lexuan:

“Deklarimin fajtor të të pandehurit Elidon Kotorri tre herë për krimin e vrasjes me paramendim, të kryer në bashkëpunim dhe një herë po për këtë krim, të kryer në bashkëpunim, të mbetur në tentativë dhe në zbatim të nenit 78 të K.Penal, në lidhje me nenin 25 të tij, dënimin e tij për vrasjen e parë me burgim të përjetshëm, për të dytën me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim, për të tretën me 25 (njëzet e pesë) vjet  burgim, kurse në zbatim të nenit 78, në lidhje me nenet 22 e 25 të K.Penal, me 20 (njëzet) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të këtij të pandehuri për krimin e mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe në zbatim të nenit 278/2 të K.Penal, dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë