Politike

Ekskluzive/ Dokumenti konfidencial i qeverisë për reformat 2030 dhe Komisionin e Posaçëm: Bashkëpunim me opozitën, monitorim SHBA-BE

Nga Gazeta Si - Kur fjalimi 2 orësh i kryeministrit Edi Rama përfundoi me propozimin e një projektrezolute që i shtrin dorën opozitës për reformat kyçe për anëtarësimin në Bashkimin Europian, pjesa më e madhe e atyre që e ndoqën fjalimin, mbetën të hutuar. Shumë nuk po i gjenin dot kuptimin domethënies së komisionit të posaçëm parlamentar për reformat dhe shpjegimi i atypëratyshëm u lidh me një betejë të qeverisë kundër SPAK-ut. Por ky është një hamendësim që, në këtë rast, nuk qëndron.

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për reformat që synojnë ta bëjnë gati Shqipërinë për t’u anëtarësuar në BE deri në vitin 2030, është një nismë e mirëmenduar e qeverisë, në koordinim me BE dhe SHBA. Ata kanë pasur komunikim për këtë çështje përmes një dokumenti konfidencial, të hartuar nga qeveria dhe të ripunuar pas ndërhyrjeve dhe sugjerimeve të SHBA dhe BE.

Gazeta"Si" e disponon të plotë këtë dokument konfidencial prej 8 faqesh, ku është bazuar e gjithë lëvizja e kryeministrit Rama për të bashkëpunuar me opozitën në kryerjen e reformave kryesore që i duhen vendit për anëtarësimin në BE.

Dokumenti konfidencial i qeverisë për reformat 2030

Burime diplomatike qartësojnë se në këtë formë finale, dokumenti është sjellë pas sugjerimeve dhe ndërhyrjeve të partnerëve, të cilët kanë këmbëngulur se një ide e tillë e qeverisë, nuk mund të realizohej pa dy faktorë kyç: Pa bashkëpunimin e opozitës dhe pa monitorimin e SHBA dhe BE-së.

Me pak fjalë, siç theksohet disa herë në dokument, Komisioni i Posaçëm për Reformat Europiane do të funksionojë sipas modelit të reformës në drejtësi. “Demonstrimi i mëparshëm i pjekurisë politike dhe institucionale të Shqipërisë përmes reformës unike në drejtësi nënvizon aftësinë e saj për të çuar përpara dhe për të zbatuar tërësisht reformat e mëdha. Ndërsa negociatat me BE-në përparojnë, ruajtja e momentit drejt integrimit evropian mbetet jashtëzakonisht e rëndësishme. Prandaj, fillimi i një procesi reformash të synuar dhe gjithëpërfshirës bëhet thelbësor”- thuhet në dokumentin që ka tre objektiva madhorë: mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

Komisioni i Posaçëm Parlamentar

Dokumenti i qeverisë për ngritjen e komisionit të posaçëm

Një komision i posaçëm parlamentar shihet si zgjidhja më e mirë për të çuar përpara reformat në fushat e mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit për ta bërë vendin gati për anëtarësim deri në 2023-ën, siç ka shprehur vullnetin e tij përmes një rezolute edhe Parlamenti Europian.

Në dokumentin e siguruar nga Gazetasi.al flitet për një plan prej 5 pikash, i cili nisi zbatimin me publikimin të martën në mbledhjen e grupit parlamentar të PS të një draft rezolute të Parlamentit. Që pika e parë e planit të zbatohet, drafti duhet miratuar në Parlament dhe për këtë, jo për votat, por për gjithëpërfshirjen, do të duhet edhe miratimi i opozitës, e cila nuk ka për të rënë në gabimet e së shkuarës, me refuzime dhe kushtëzime të padobishme.

Pas miratimit të rezolutës, plani parashikon ngritjen e Komisionit të Posaçëm parlamentar, pa specifikuar se kush do ta drejtojë këtë komision, nëse do të ketë një kryetar socialist apo PS do të tregohet e gatshme për bashkëdrejtim me opozitën.

“Fusha specifike e punës dhe përbërja për komisionin parlamentar ad hoc do të përcaktohet nëpërmjet komunikimit dhe ndërveprimit të drejtpërdrejtë me aktorët politikë, si dhe me aleatët strategjikë të Shqipërisë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.” thuhet në pikën e dytë të planit të zbatimit.

Kur te jenë zgjidhur këto diskutime, Komisioni do të kalojë në pikën e tretë të planit të zbatimit për të bërë analizën dhe vlerësimin e kornizës ligjore dhe institucionale. Kjo është një fazë e mbledhjes së të dhënave  të dhënash, hulumtimesh dhe konsultimesh publike, si me shoqërinë civile, edhe me grupet e interesit. Pika e katërt do të jetë hartimi i një raporti gjithëpërfshirës me gjetjet dhe rekomandimet kryesore, të cilat duhet të përfshihen në një dokument strategjik.

Hartimi dhe miratimi i këtij Dokumenti Strategjik nga komisioni i posaçëm parlamentar përbën dhe pikën e fundit të planit të zbatimit. “Kjo Strategji do të përshkruajë fushat kyçe për ndërhyrje dhe do të shërbejë si referencë për rishikimin dhe rritjen e efektivitetit të të gjitha dokumenteve strategjikë sektorialë dhe ndërsektorialë në kuadër të tre fushave kryesore prioritare.

Për më tepër, do të iniciojë masa legjislative për të përmirësuar fusha specifike, ku ndërhyrja legjislative është e nevojshme për të siguruar efikasitetin e kornizës së përgjithshme dhe përputhshmërinë me acquis të BE-së.”- thuhet në dokumentin konfidencial të qeverisë, i koordinuar me partnerët kryesore, të cilët kanë theksuar përgjatë gjithë dokumentit rëndësinë e rolit mbikqyrës të Parlamentit. “Strategjia do të përcaktojë në mënyrë eksplicite mekanizmat për monitorimin e zbatimit të saj, duke siguruar kështu që roli mbikqyrës i Parlamentit të mbetet i fuqishëm gjatë gjithë procesit të negociatave të BE-së për këto çështje.”-theksohet në pikën e fundit të planit të zbatimit.

Në dokument është menduar me detaje edhe për afatin e funksionimit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar, që përkon me fundin e mandatit të Parlamentit, nëse puna nis pa vonesë. “Afati për zhvillimin e këtij procesi është një vit nga ngritja e Komisionit Ad Hoc. Megjithatë, ai mund t'i nënshtrohet rishikimit në përputhje me rregulloren e Kuvendit, duke siguruar një proces të duhur dhe të plotë” thuhet në dokument.

Monitorim dhe ekspertizë ndërkombëtare

Dokumenti Strategjik, që ka qarkulluar prej disa muajsh mes qeverisë dhe ambasadave të SHBA-së dhe BE-së, ka një pikë themelore, për të cilën është gjetur mirëkuptim mes palëve. Ekspertët e të partnerëve strategjikë të Shqipërisë do të kenë rol kyç gjatë gjithë punës së Komisionit të Posaçëm. Njësoj siç e kishin gjatë reformës në drejtësi, ku patën rol vendimtar në formulimin final të ndërhyrjeve në Kushtetutë dhe të ligjeve për institucionet e reja të sistemit të drejtësisë.

“Angazhimi i ekspertizës ndërkombëtare në këtë proces reformash, veçanërisht nga aleatët strategjikë si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, është parësor. Në këtë drejtim, ne mirëpresim pjesëmarrjen aktive të partnerëve strategjikë ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, përmes ekipeve të tyre të mbështetjes teknike në tre fushat kryesore të ndërhyrjes, (mirëqeverisja, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit). Duke shfrytëzuar pasurinë e ekspertizës dhe përvojës së tyre, partnerët ftohen të ofrojnë mbështetje për komisionin parlamentar ad hoc gjatë gjithë procesit, duke lehtësuar si të tillë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin e njohurive, të ngjashme me reformën në drejtësi.” thuhet në dokumentin final që nisi zbatimin ditën e martë, me publikimin e draftrezolutës në mbledhjen e grupit parlamentar të PS.

Duke i dhënë një rol kyç partnerëve kryesorë për reformat madhore të vendit, qeveria ka hequr dhe një barrë tjetër nga vetja, dyshimin për ndërhyrje të njëanshme në legjislacion për të kontrolluar Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion. “Është e domosdoshme të theksohet se suksesi i kësaj përpjekjeje reformuese varet jo vetëm nga vullneti politik, por edhe nga angazhimi kuptimplotë i partnerëve tanë të nderuar ndërkombëtarë, udhëzimi dhe ndihma e të cilëve do të jenë të dobishme në ecjen përpara me sfidat komplekse dhe arritjen e rezultateve të dëshiruara të këtij procesi,” përfundon dokumenti, një udhërrëfyes i hapave që maxhoranca dhe opozita do të ndërmarrin së bashku në Parlament.

Një lëvizje e rëndësishme politike që i paraprin zgjedhjeve 2025, por që shkon përtej mandatit të një qeverie, cilado qoftë ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë