Ana e errët

Ekskluzive/ Zani Çaushi, krimet, si e lehtësoi drejtësia ndër vite dhe si mori një sërë pafajësish

Kur Zani Çaushi u arrestua vjeshtën e vitit 1999, ai ishte 30 vjeç. 21 vite larg proceseve gjyqësore të mbyllura e më pas të hapura ndaj tij, që nga gjykatat në qytetin e Vlorës e deri te gjykatat në kryeqytet, Myrteza Çaushi kaloi një sërë burgjesh në vend, si një i dënuar i përjetshëm dhe që sipas ekspertëve të burgjeve në mënyrë kategorike ai nuk mund të qëndronte në të njëjtin burg me rivalin e tij Gazmend Braka, shkurt Gaxhai. Përgjatë viteve, të dy rivalët e bandave të Vlorës zgjodhën profile të ndryshme të jetuari në burg. Myrteza Çaushi me arsim tetëvjecar, sot 51 vjeç, i cilësuar me vendime gjyqësore si kapo i bandës së Coles, u martua gjatë kohës që mbahej në burgun e sigurisë së lartë të Burrelit, me një vajzë që ia prezantuan miqtë e qelisë. Në burg ai u bë baba dhe së fundmi prej andej u transferua në burgun e sigurisë së lartë të Drenovës.

Rivali i tij Gazmend Braka, djali i një ish-ushtaraku dhe ish-edukatoreje, i ndoqi të gjitha gjyqet në heshtje dhe kur gjyqtari po numëronte burgimet e përjetshme ai ngriti sytë dhe i tha “vazhdo, kjo është detyra jote, e imja është të mendoj si do lirohem”. Por me këtë paralajmërim Gaxhai kishte parasysh planet për t’u arratisur sikurse i dështuan dy të tilla, njëra përmes një tuneli të nëndheshëm në Tiranë dhe tjetra me prerjen e hekruave me tel diamanti. Të dyja të dështuara.

Gjithsesi rivali i tij, Zani Çaushi zgjodhi një mënyrë krejt tjetër, as nuk tentoi arratisje dhe as duke u sjellë si një i fortë në burg, ai vazhdoi të këmbëngulë se kishte shoqëruar komitetin e shpëtimit të Vlorës dhe se nuk kishte qenë asnjëherë kapo grupi. Por më shumë se kjo qasje, më e zgjuara duket se ka qenë loja që ai mund të ketë luajtur nën rrogoz, sa kohë hodhi zarat në një gjykatë larg kryeqytetit, dhe ku nuk përjashtohet mundësia që “t’i ketë sistemuar” e zbutur rrethanat të tilla sa burgimi i përjetshëm mund të shkrihet me një vendim gjyqësor dhe ai së shpejti mund të jetë i lirë sikurse edhe të dënuar të tjerë të përjetshëm që po përfitojnë nga gjyqtarë që janë të sigurt që do ngelin në vetting.

Myrteza Çaushi mendon se është sjellë mirë në burg, ka fëmijë për të rritur dhe për këtë ai ka hedhur  zarat për të fituar.

Histori që përsëriten

Por toleranca e parë e drejtësisë u tregua për ish-shefin e bandës së Çoles fillimisht pas 1997, atëherë kur ai iu nënshtrua gjykimit të parë penal për pjesëmarrje në bandë të armatosur, vrasje e rrëmbime. Pavarësisht këtij gjykimi ndaj tij u pushua dhe madje gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Zanit në sallën e gjykatës me motivin se prokuroria nuk kishte prova të mjaftueshme. Liria e të fortit të Vlorës zgjati vetëm dy vite në atë kohë deri në datën 2 shtator 1999,  kur dhe iu hodhën sërish prangat. Ai në të vërtetë u kërkua nga korriku në gusht 1999, pas shkëmbimit me armë zjarri në lokalin e Artur Shehut ( edhe ky një emër shumë i njohur), ku dhe mbeti i vrarë Robert Shehu dhe Luan Bedini si dhe ushtari i Zanit, i njohur me nofkën Luçiano thënë ndryshe Afrim Rami. Ngjarja ndodhi për gjobëvënie nga banda e Zanit dhe që kapos së Çoles më pas i kushtoi burgosjen e përjetshme. Por pavarësisht një sërë akuzave sërish  burgosja e tij është përpara dritëhijeve të forta. Ajo që kuptohet nga rigjykimi i dosjes së Çoles është se drejtësia pavarësisht zhurmës publike, ka dhënë kontributin e saj që i forti i Vlorës të mos merrte fajësi për një sërë rrëmbimesh, pengmarrjesh e vrasjesh për të cilat dëshmitarët që kishin rrëfyuer në polici se i ‘BËRI Zani’ realisht nuk dolën asnjëherë para tij dhe në kushtet kur rezultonin jashtë vendit prokuroria e gjykata argumentojnë se akuza nuk provohet.

20 vite nga ky process, gazeta Si po sjell edhe njëherë ngjarjet kyçe ku në dosje përmendet se si veprat ose i kanë kryer ushtarët që kanë vdekur, ose se nuk ka prova shtesë. Siç kupotohet i forti i Vlorës është dënuar përjetëisht jo për 1997, por për ngjarjen e 1999 në lagjen Pavarësia, ndërkohë që për 1997 në dosjen që po zbardhim më poshtë Zani Çaushi u dënua 18 vite

Zani Çaushi duke votuar në zgjedhjet e qershorit '97

Rikthim… burg i përjetshëm plus 18 vite…

Pasi Myrteza Çaushi u dënua me burgim të përjetshëm për  ngjarjen në lagjen Pavarësia, Gjykata e Lartë e ktheu për gjykim edhe çështjen e bandës dhe anëtareve të grupit të Çoles, të cilët më herët ishin liruar për mungesë provash së bashku me Myrteza Çaushin. Ky vendim hapi në këtë mënyrë në kryeqytet edhe njëherë kapakun e ngjarjeve të 1997, ndërsa Zani Çaushi këmbëngulte se “kishte mbrojtur Vlorën dhe se të tjerë kryen krime nën emrin e tij", por dëshmitarët që kishin folur në polici në kohë të ndryshme përmendnin emrin e tij si shefi i bandës dhe si personi që urdhëronte veprimet e dhunshme. Shumë prej tyre nuk pranuan të vijnë në gjykatë me arsyetimin se gjendeshin në emigracion, ndaj dhe u morën të mirëqena dëshmitë e tyre me shkrim.

Ky proces nisi tre vjet pasi Zani Çaushi, ishte arrestuar dhe ku përmendeshin edhe emrat e ushtarëve të grupit shumica të vrarë dhe vetëm katër të mbetur gjallë. Pëllumb Bajrami vdekur,  Renato Sadiku vdekur, Leonard Idrizi vdekur, Taulant Shyti vdekur, Edmond Dule, Ferdinand Tafili vdekur, Skerdjan Barjami, Hair Hiraj, Dorian Saliu (Edison Mamo).

Sikurse këmbëguli prokuroria gjatë asaj kohe për të pandehurit e tjerë Kastriot Gerdhuqi, Gjik Gerdhuqi, Edmond Dule, Afrim Rami, Gjykata e Lartë kishte urdhëruar pushimin e gjykimit pasi ata ishin vrarë.

Por ndërkohë gjatë gjykimit për të tjerët u sollën sërish çertifikata vdekjeje edhe për pesë të tjerë dhe përkatësisht Pellumb Barjamin, Renato Sadikun, Leonard Idrizin, Taulant Shytin, Ferdinand Tafilin.

Në dosjen që gazeta Si po zbardh përmendet se si u formua banda e Çoles, duke nisur nga kthimi i Zani Çaushit në qytetin e tij, në kohën kur të gjithë mendonin se ishte duke vuajtur burgimin në Greqi. Në dosjen që gazeta Si po zbardh thuhet fjalë për fjalë:

“I pandehuri Myrteza Çaushi i njohur dhe me emrin Zani është banor i Lagjes Çole të qytetit të Vlorës dhe prej disa vitesh ka qenë i larguar si emigrant ne Greqi. Në fillim të muajit mars 1997, në kohen kur i gjithë vendi dhe në mënyrë të veçantë Rrethi i Vlores ishin përfshirë nga kaosi për shkak të rënies se firmave piramidale, i pandehuri Myrteza Çaushi është kthyer në Vlorë pranë familjes. Duke përfituar nga situata e krijuar, nga hapja e depove të armatimit dhe nga rrethi miqësor, i pandehuri Myrteza Çaushi ka rekrutuar dhe armatosur një grup njerëzish për të ushtruar aktivitet kriminal me qëllim përfitimi material.

Kështu, i pandehuri Myrteza ka afruar pas vetes të pandehurin Afrim Rami (i vdekur) me të cilin kishte krijuar marrëdhënie shoqërore në Greqi. Afrim Rami njihej me nofkën “Luçiano”. Në grupin e armatosur të Myrteza Caushit kanë marrë pjesë edhe të pandehurit Renato Sadiku, i cili njihej me nofkën “Llërka”, Leonard Idrizi, i cili njihej me nofkën “Durrsaku”, vëllezërit Arben dhe Klodian Latifi, Gjergji Cukalla, aktualisht të gjithë këta persona rezultojnë të vdekur. Po kështu, në këtë grupim të armatosur rezulton të ketë marrë pjesë dhe i pandehuri Dorian Saliu ose siç figuron dhe me emrin tjetër Edison Mamo”.

Dëshmitarët që rrëfenin në atë kohë në polici pas sulmeve pohonin të trembur para oficerëve.

“Në dt. 04.08.1997 rreth ores 14.00 më erdhën përsëri në shtëpi një grup i armatosur, të cilët më thanë se ishin të bandës së Zanit. Kur këta persona më erdhën në shtëpi më thanë hape derën moj bushter… se do të vrasim. Pasi hynë brenda kapën çupën time të vogël E. dhe i thanë të vish me ne, në këto momente bërtiti çupa tjetër K. dhe ata e lëshuan çupën e vogël.

Në momentet që ndodhën këto, unë nuk isha aty pasi mua më kishte marrë në pyetje Zani, ai më pyeste se nga kaloi një person me motor. Unë i thashë se nuk kisha parë njeri. Bashkë me të ishin edhe shumë persona të armatosur.

Kur u ktheva në shtëpi çupat më thanë se në grup kishte qenë edhe “Llërka” i cili është Renato Sadiku”.

Dëshmitari tjetër shton “Të quajturin “Llërka” e ka patur kushëri të largët. Në lagjen Çole në atë kohë vepronte grupi i armatosur që njihej me emrin Grupi i Zanit. Të ashtuquajturit Llerka, Durrsaku, Luçiano si dhe Dorian Saliu, vellezerit Gerdhuqi, ishin në grupin e Zanit”.

Po si përshkruhet Zani si shefi i bandës? Në një nga ngjarjet një qytetar nga Vlora rrëfen se pas një krimi kur të gjithë kishin vendosur duart në kokë ai këmbëgulte se nuk i kishte rekrutuar banorët e lagjes së tij.  

“Mbaj mend që kishte marrë djem nga Tepelena, Tirana dhe disa jevgj nga lagjja. Rrinin të armatosur gjatë gjithë kohës, si vendqëndrim kishin klubin e Zanit. Zani ishte drejtuesi i këtij grupi”.

Zani Çaushi dhe ish kryeministri italian Romano Prodi, Vlorë, 1997

Si i vendosën gjobat?

F. T tregon detaje se si “më dt. 08.05.1997 në lokalin tim erdhën dy persona të armatosur më thanë se ishin të komitetit të shpëtimit dhe më kërkuan 50 miljona dhrami. Meqënëse unë kundërshtova më morën me një makinë, më vunë një xhup në kokë dhe më çuan në një shtëpi.

Aty Gjergj Cukalla më kërcënoi se do më vriste.

Më vonë erdhi një person tjetër pa maskë më tha se quhej Arben Latifi më kërcënoi me pistoletë tek qafa më theu dy gishta dhe më tha se do të vras po nuk më dhe paratë. Më pas në dhomë hyri Zani dhe u tha “lëreni Foto Kolën”.

Më përpara Zani më ka kërkuar para për ushtarët e tij. Pasi më liruan u kam dhënë 5 milionë lekë”.

Por në dosje nuk ka vetëm qytetarë, por edhe policë që gjatë 1997 grupi u ka dalë përpara e madje ju ka marrë edhe armët. Mes dëshmitarëve është edhe rrëfimi i një ish-polici, i cili tregon se si banda e Zanit i doli përpara dhe i vunë kushtin se do ta lironin po t’u sillte naftë.

E. K rrëfen “Na bllokuan rrugen me makina disa persona të armatosur prej të cilëve nga ato që ishin pa maska njoha Durrsakun, Llërken, Dorjanin.

Ata më grabitën makinën se bashku me pistoletën dhe automatikun. Takova Zanin në Çole ishte me 10 vetë të armatosur, aty pashe dhe njërin prej atyre që më grabiten makinën. Zani me tha se makinën do ta kthej pasi të më sjellësh 2 kunjtal naftë. Pasi i çova naftën, Zani më ktheu makinën, por nuk më ktheu pistoletën dhe automatikun”.

Në dëshminë e dhënë nga një shtetas që jeton jashtë vendit lexohet përshkrimi se si u qëllua me breshëri ndaj një qytetari që ishte nipi i tij.

“Rreth muajit qershor 1997 në oren 21.00 afër shtëpisë sime kaluan 4 persona të armatosur, unë njoha Dorian Saliun, i cili më foli. Afër meje ishte nipi im Theodhori Andoni i njohur me nofkën “Çolua”.

Doriani i foli Çolos hajde këtu, po Çolua iku me vrap dhe të katërt e qëlluan me armë, për këtë shkak Çolua mbeti i plagosur. Çolua më tha se veç Dorjanit me ta ishte edhe Durrsaku”.

Në faqen 535 shkruhet dëshmia e Xh. C., të cilit iu vendos gjobë nga ushtarët e bandës.

“Në punë më vijnë dy persona të panjohur më thanë se jemi nga Vlora, pas një debati ata më thanë se nesër në orën 10 duhet të na sjellësh 10 milionë lireta se përndryshe do të marrim djalin peng. Vëllai im Sherif Cenaj njoftoi policinë. Të nesërmen kur erdhën për të marrë paratë, ndërhyri policia dhe i arrestoi”.

Për vrasjen e ndodhur në maj 1997 të Bledar Duçkës i njohur si Kuqua prokuroria përmend dëshminë e të atit të viktimës.     

“Djali im Bledar Duçka në datë 03.05.1997 rreth orës 20.00 shkoi për të çuar lekët për lirimin e dy pengjeve që kishte marrë banda e Myrteza Çaushit, në ish-shkollën e Partisë tek Uji i Ftohtë. Paratë ia çoi kryetarit të bandës, ata e vranë dhe e dogjën. Pengjet ishin Artur Gjosha, tjetri nuk më kujtohet emri. Rrahim Mici kishte qenë prezent në ngjarje. Aty në ngjarje ka qenë Arben Latifi, Klodian Latifi, Lefter Çaushi. Me sa di unë, arsyeja pse e vranë djalin ishte sepse pengjet ju kishin ikur. Prandaj për të zhdukur provat vranë djalin.

Këtë ngjarje ma tregoi Rrahim Mici, ai i kishte të dëgjuara këto, por nuk e di se nga kush. Në ngjarje ka qenë edhe Myrteza Çaushi.

Djalin thonë se e kanë qëlluar fillimisht Arben dhe Klodjan Latifi, pastaj e kanë qëlluar edhe të tjerët”.

Zani Çaushi, në 1997 dhe në burg

Por si u vra Edmond Dednika?

Në dosjen që gazeta Si po zbardh shkruhet:

“Në daten 11.05.1997 shtetasit Edmond dhe Neritan Dedenika, me makinën “TOYOTA” me targë VL 8113, të cilën e drejtonte Edmond Dedënika kanë lëvizur në Lagjen “Çole”. Në afërsi të banesës së të pandehurit Myrteza Caushi, ata janë përshëndetur në rrugë me vllain e të pandehurit, L. C. me të cilin njiheshin. Në vazhdim të udhëtimit janë goditur me armë zjarri me bresheri nga përpara, mbrapa dhe lart makinës, për këtë shkak drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një derë dhe një mur betoni. Nga goditja me armë zjarri dhe përplasja e makinës stetasi Neritan Dedenika ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa shtetasi Edmond Dedenika ka vdekur kur po çohej në spital.

Familjarët e viktimës akuzuan në dëshmitë e tyre  “Di që djalin tim Edmond Dedenika dhe nipin tim Neritan Dedenika i ka vrarë banda e Zanit, ngjarja ka ndodhur 200 metra larg banesës time. Duke kaluar me makinë në lagjen “Çole”, kanë parë vëllain e Zanit, Lefter Caushin. Sapo kanë kaluar te klubi i Zanit, i kanë qëlluar nga tarraca e pallatit. Arsyeja pse i kanë vrarë djalin dhe nipin, është se mund t’i ketë thënë Lefter Çaushit se “çfarë po bën kështu me Vlorën”.

Nuk e kam parë Myrteza Çaushin të ketë qëlluar mbi djalin dhe nipin tim”.

Në nenin 154.4 të K.Pr.Penale është parashikuar se: “Nuk mund të prdoret dëshmia e atij që …. Nuk është në gjendje të tregojë personin ose burgimin nga të cilët ka marrë dijeni për faktet që pyetet”.

Por dëshmitë e të afërmve të viktimave nuk u konsideruan direkte sa kohë asnjëri prej tyre nuk ishte okular.

Hetimi i dobët vijon më tej edhe për vrasjen e Niko Borakut për të cilën akuzohet kapo i bandës së Çoles dhe ushtarët e tij prej të cilëve vetëm njëri u gjykua së gjalli Dorian Saliu, ndërsa të tjerët   Afrim Rami, Gjikë Gerdhuqi, Kastriot Gërdhuqi, Renato Sadiku, Leonard Idrizi, Taulant Shyti, Ferdinand Tafili të vdekur.

Vrasja e Niko Borakut është një ndër më të bujshmet për të cilin edhe pse u disa herë i ati që kallëzoi ai nuk u gjet asnjëherë gjatë gjykimit pohoi një burim i gazetës Si. Në kallëzim thuhet:

“Në dt. 19.07.1997, djali im Niko Boraku nga Peshkopia ka shkuar në Vlorë me automjetin e tij tip BMW për të marrë nusen Marsela Nesturin pasi se bashku do të shkonin ne Fier. Në Bestrovë i kanë dalë perpara disa persona të armatosur dhe më pas ka ardhur Zani i cili ka debatuar me Nikon. E kapën i vunë prangat i lidhën sytë dhe e hipën në makinen e tyre. Në makinën e Nikos ndenji nusja dhe këtë makinë e mori vetë Zani. Ata i çuan te shkolla në lagjen Çole. Aty Nikon e kanë torturuar. Nusja më tha se aty ishin Gjikë Gerdhuqi, Kastriot Gerdhuqi, Llerka, Durrsaku, Dorjani, Beno Cukalla, Luçiano, Klodian Latifi së bashku me të ëmën. Pasi e kanë masakruar e kanë hedhur mbi kofonon e makinës së tij, e para ka qëlluar e ëma e Arben Latifit megjithëse Niko ishte i vdekur dhe pas saj kanë hapur zjarr të gjithë përsonat e pranishëm. Nikon e vranë te vendi ku ishte vrarë Arben Latifi. Këto m’i ka treguar nusja e Nikos Marsela Nesturi”.

Por ndonëse i ati i viktimës tregon me detaje se si iu torturua i biri akuza i konsideron në atë kohë dëshmitë të treguara nga dikush tjetër, për këtë shkak u thirr dëshmitarja okulare po drejtësia nuk e gjeti asnjëherë. Për këtë krim të rëndë edhe Zani dhe Mamo u konsideruan të pafajshëm.

Pengmarrja

Zani Çaushi u akuzua se kishte mbajtur peng  Artur Gjosha dhe Pellumb Petriti për qëllime përfitimi, por edhe kjo ngjarje nuk u provua përderisa bashkëpuntorët e tij kishin vdekur.

Në dosje vazhdohet më tej “i pandehuri Myrteza Çaushi së bashku me të pandehurin Dorian Saliu (Edison Mamo) dhe me të pandehurit që tashmë kanë vdekur: Afrim Rami, Gjikë Gerdhuqi, Renato Sadiku, Leonard Idrizi, Edmond Dule, akuzohen për kryerjen e veprës penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” ndaj shtetasit Sokol Kamberi parashikuar nga neni 109.1 i K.Penal( i pa ndryshuar). Për këtë akuzë prokuroria ka paraqitur si prova:  Proçesverbalin e deklarimit të deshmitarit Thoma Vasili, dëshmia e të cilit u konsiderua e vakët sa kohë dëshmitari kishte ndërruar jetë.

Ne proçesverbal shpjegon se:

“Mbasi erdhi nga Greqia, Myrtezai filloi aktivitetin e tij fillimisht duke ndihmuar popullin. Ai krijoi rreth vetes nje grup personash si Durrsaku, Llerka, Lushnjari, Qorri, Elbasansi, Neri, Beno Cukalla, Arben Caushi.

Këta pjestarë të grupit filluan të grabisnin automjete kryesisht në lagjen “Centrale”. Para rreth një muaji kanë ardhur në shtepinë timë ushtarët e Myrteza Caushit, konkretisht Qorri dhe Neri me vete kishin shtetasin Sokol Kamberi. Kur erdhën në banësë me kërkuan që të flisnin në telefon me Ferdinandin, vëllain e Sokolit me qëllim që ti kerkonin 5 miljon dollarë, për të liruar Sokolin. Unë nuk i lashë që të flisnin në telefon dhe ata u larguan të zemeruar dhe kur shkuan tek shkolla më kanë goditur me armë banesën. Më vonë shkova tek Zani i cili më solli Nerin në banesë për të më kerkuar falje. Pasi më kërkuan falje u larguan. Në darkë më erdhen në banesë Klodjani, Luçiano, Neri, Beno Cukalla të cilët kishin sjellë me vete të plagosur në kembën e djathtë Sokol Kamberin për të folur në telefon. Pas lutjes së Sokolit, unë i lashë që të flisnin në telefon”.

Çfarë tha dëshmitari tjetër?

“Djemtë e mi Ferdinand Kamberi, Sokol Kamberi, Gazmir Kamberi drejtojnë kompaninë Kamberi. Gjatë kohes se rremujave Ferdinandi u largua jashtë shtetit dhe kompaninë e drejtonte Sokoli se bashku me Gazmirin. Gjatë kohes së rremujave grupi i Balil Caushit i kishte afruar ndihme Sokolit, duke i berë të qartë se po ju ngacmoi dikush na keni ne. Në muajin korrik të 1997 kur Sokoli ndodhej tek Pularia në Nartë të Vlores atje kishte shkuar Balil Çaushi me persona të tjerë, ata e morën me makinë në qendrën e tyre. Rrembimin e Sokolit unë e mora vesh nga kunati Arif Velaj. Unë rrija tek ai për shkak të rremujave. Për lirimin e Sokolit na krkuan 200 milionë lekë të vjetra. Paratë i kemi çuar me këste, i ka çuar shoferi i Sokolit, i cili quhet Loni mbiemrin nuk ia di.

Sokoli më tregoi se e kishte marre Balili me persona të tjerë dhe e kishin torturuar. Sokoli kur e liruan qëndroi vetëm një javë në shtepi dhe është larguar në Greqi për tu kuruar”.

Edhe për këtë ngjarje drejtësia dha kontributin e saj duke e lehtësuar në atë kohë Zani Çaushin pasi dëshmitarët ose kishin vdekur ose implikonin të tujerë të pajetë.

Rrëmbim i dyshimtë, edhe episodi që do sjellë më poshtë gazeta Si sërish është dhënë me procesverbal nga dëshmitarë që jetojnë jashtë vendit.

“Kanan Shakajn e kanë rrëmbyer në rrugën për në Vlorë në vitin 1997. Mua më kërkuan 200 milionë lekë për ta liruar personat ishin me maska. Ditën e dytë shkova për t’i çuar paratë te pusi i Mezinit. Nuk njoha asnjë nga personat sepse ishin me maska.

Më thanë ata të fshatit se e kishin rrëmbyer ata të Gjikë Gerdhuqit”.

I kundërshtohet dëshmia me leximin e proçesverbalit të dt. 11.08.1997, dëshmitari Arqile Prifti pranon se janë thëniet e tia, sipas këtij proçesverbali Gjikë Gerdhuqi i ka thënë se Kanan Shakajn e ka rrëmbyer grupi i Zanit. Arqile Prifti dhe Ylli Troka i kanë dhënë Gjikë Gerdhuqit 199 miljon lekë dhe Kanani është liruar.

Rrëmbyen edhe gra

Por grupi i Zani Çaushit u akuzua edhe për rrëmbimin e B. Haxhiaj për të cilën dëshmojnë bashkëshorti dhe kunati.

Ai thotë në dëshminë që gazeta Si disponon se u ka dërguar personave të panjohur, të cilët e merrnin në telefon shumën 400 milionë lekë nërpërmjet djalit të halles Aleks Shkurti dhe pasi është dorëzuar kjo shume Bukurijen e kanë liruar.

Vetë gruaja kur u shpëtua tha se e rrëmbyen njerëz me maska që nuk i njohu dhe që i thanë “do të djegim po nuk na sollën lekë”.

Ndaj thuhet më tej në dosjen që gazeta Si disponon  veç dënimit të përjetshëm të mëparshëm për ngjarjet e Vlorës, Zani Çaushi merr një sërë pafajësish. Gjithsesi ai u dënua në këtë mega dosje fajtor për krijim organizate dhe mori shtatë vite burgim, fajtor për rrëmbimin e Foto Kolës. Ndonëse në vite i njohur si kapo i bandës dhe si njeriu që urdhëroi krime ai ndërkohë mori pafajësi për vrasjen e Brenard Duçkës, Niko Borakut, Neritan Dednikës, Edmond Dednikës, pengmarrjen e Artur Gjoshës, rrëmbimin e Pëllumb Petritit dhe Sokol Kamberit.  

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë