Ngjarje

Ekskluzive/ Tjetër histori Gjykatash, lirohet Lulzim Caka “i tmerrshmi i Beratit”

Lulzim Caka, njëri nga personazhet më të njohur të krimit gjatë viteve 1997-1999, ka përfunduar dënimin dhe është liruar. Burime të sigurta të gazetës “Si” pohuan ekskluzivisht se Lul Caka ka lënë burgun e Fushë-Kosovës në orën 10.00.
Lulzim Caka, i njohur si "i tmerrshmi i Beratit", është pa dyshim një nga njerëzit më të lakuar të periudhës më të vështirë para, gjatë dhe pas 1997-s, atëherë kur bandat kriminale dolën në skenë dhe ku krerët e tyre, ata që kanë mbetur ende gjallë, tashmë po vuajnë dënime kapitale.
Por, njeriu që sfidoi drejtësinë për vite të tëra, pasi arrestohej dhe lirohej për mungesë provash, të hënën doli përfundimisht në liri. Ai i shpëtoi burgosjes së përjetshme falë mbrojtjes së mirë, por edhe pingpongut që bënë një sërë gjykatash, mes të cilave rrugën drejt lirisë ia hapi Gjykata e Lartë për rishikim vendimi, më tej edhe Gjykata Kushtetuese dhe për ta vulosur këtë fakt edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Lulzim Caka u soll në Shqipëri me një marrëveshje ekstradimi me Italinë në vitin 2003, dhe pas 16 viteve burgim tashmë konsiderohen të shlyera 25 vitet e dënimit, për një ngjarje në të cilën ai akuzohet se sulmoi postbllokun e policisë, duke tentuar të vrasë dy zyrtarë policie, Gani Malushin dhe Ilir Ngresin, të cilët më pas u vranë në ngjarje të tjera. Njëri u ekzekutua nga miku i Lul Cakës , Kastriot Jaupaj dhe tjetri u vra në Durrës.

Historia e të tmerrshmit të Beratit
Ndaj tij rëndojnë një sërë ngjarjesh të frikshme, të cilat krijuan mitin e një vrasësi gjakftohtë, por edhe hakmarrës. Ngjarja më e tmerrshme është ajo e rrëmbimit të nënës së tij, Xhevrie Caka dhe masakrimit të saj, pasi ajo kishte shkuar për të takuar të birin që ndodhej i arrestuar në Fier. Gruaja u rrëmbye në derën e komisariatit në vitin 1999, dhe pas torturave u gjet e masakruar në pyllin e Semanit. Pas këtij krimi, Lul Caka u betua për hakmarrje dhe e realizoi punën e vet më të madhe kriminale, pasi u betua dhe u arratis nga burgu për këtë qëllim. Në mes të fshatit Samaticë vrau dy nga autorët, Valter Bega dhe Mariglen Cami, krime që i kreu në Shqipëri.
Lul Caka u ngjit në piramidën e krimit menjëherë pas 1990-s, për shkak të lidhjes familjare që kishte me një tjetër të fortë, Loshin e Karbunarës dhe banda të Beratit. Por, kundërshtarët e tij ishin nga fshati Samaticë e përkatësisht fisi Cami dhe Bega dhe dy fiset, Cala dhe Yzeiri. Por, ai pati episode të vogla kriminale deri në vitin 1995, vit në të cilin ai u përfol për vrasjen e arkëtarit të Kutallisë, ndërsa më pas miti i tij frikësonte këdo që udhëtonte gjatë vitit 2001, pasi shpesh postblloqet me njerëz të armatosur sulmonin automjetet, por ajo që i hodhi prangat dhe e dërgoi në burg ishte pikërisht sulmi ndaj policisë. Ai tentoi të vrasë dy shefat e Krimeve të Kuçovës dhe të Beratit në urën e Samaticës. Ngresi dhe Malushi shpëtuan, ndërsa në vendngjarje mbeti e shkrumbuar makina e tyre. Pikërisht për këtë episod, Lul Caka vuajti dënimin në bashkim dënimesh duke përfshirë edhe vrasjen e Pëllumb Eminit, një krim që i kushtoi atij më pas vrasjen e së ëmës. Pas arratisjes përmes një sharre që preu hekurat e burgut dhe pasi kreu masakrën në Berat, Caka u largua nga Shqipëria ku edhe jetoi në arrati në Itali për 15 muaj. Ndërkohë, në burg po vuajnë dënimin me 75 vite në total tre vrasësit e tjerë të nënës së të ‘tmerrshmit të Beratit’. Kundërshtarët e Lul Cakës, siç thonë burime të gazetës “Si” janë Fatmir Emini, i njohur ndryshe si Mile Cami, të cilit Lul Caka i ka vrarë të vëllanë, një krim që solli më pas për gjakmarrje masakrimin e të moshuarës. Në burg për këtë krim janë edhe dy vëllezërit, Artan dhe Bledar Yzeiri, të dënuar përkatësisht me nga 25 vite burgim secili.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë