Ngjarje

Ekskluzive / Suksesi kuqezi e bën Air Albanian ‘të vogël’, 12 mijë bileta false të regjistruara nga sistemi, një pjesë mundën të hyjnë në stadium

Nga Gazeta Si - Shqipëria tashmë është një realitet europian në futboll dhe në këto eliminatore, e renditur në letër në vendin e 3-të, pas Polonisë dhe Çekisë, sot, pas 5 ndeshjesh, është në krye të Grupit E me 10 pikë, 3 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje.

Dhe sa të rëndësishme janë këto eliminatore për kuqezinjtë, për vendin tonë, e kanë kuptuar të gjithë. Të parët lojtarët, trajneri, drejtuesit e institicionit të futbollit, por edhe të gjithë tifozët që mbushën mbrëmjen e së dielës stadiumin, duke sakrifikuar madje edhe nga jashtë kufijve, për të qenë prezentë në Air Albania, dëshmitarë të kësaj ecurie pozitive dhe që dalëngadalë po na çon drejt objektivit, që tashmë është edhe më pranë, Europianit “Gjermani 2024”.

Kuqezinjte festojne golin e Asanit. Gazeta Si, 12 shtator 2023

21 mijë tifozë të pranishëm ishin ndaj Polonisë në stadiumin “Air Albania”, me biletat të shitura të gjitha, si rrallë herë, rreth një muaj më parë. Një interesim që vërtetoi këtë herë se kjo Kombëtare ka kthyer tifozët e saj, tifozët që tani kanë në mendje emrat e futbollistëve kuqezi dhe jo emrat e mëdhej të kundërshtarëve.

Pasi ishim mësuar, që stadiumi kur luante Kombëtarja shqiptare të mbushej, vetëm kur përballë kishim yjet e Francës, të Anglisë, Portugalisë, apo Italisë. Me Gjeorgjinë, Moldavinë, apo edhe Poloninë, nuk ka qenë ndonjëherë ky interes, çka tregon se sot tifozët e duan Kombëtaren dhe e duan mundësisht në Europian.

E gjithë kjo dëshirë për të qenë prezent, apo dëshmitarë të këtij momenti, që mund të na çojë në përsëritjen e arritjes më të madhe të deritanishme të futbollit shqiptar, pjesëmarrjen në finalet e Europianit në 2016-ën. Si rrjedhojë, veç rreth 21 mijë tifozëve të pranishëm në stadium, kompania që menaxhon shitjen e biletave konfirmon eskluzivisht për Gazetën Si se ka pasur 12 mijë tentativa të regjistruara me bileta false për këtë ndeshje.

Një pjesë e tifozëve me bileta false, që e pësuan nga tregu i zi, apo me vetëdije, kanë pasur edhe mundësinë të jenë mbrëmjen e së dielës në stadium, duke kaluar sistemet e kontrollit dhe duke e çuar në një numër më të madh se kapaciteti maksimal stadiumin “Air Albania” në atë mbrëmje, që pas rezultatit pozitiv për kuqezinjtë kalon më në heshtje, edhe pse policia ka marrë pamjet filmike tashmë për të filluar procedurat penale ndaj atyre që i kanë futur, apo edhe atyre që janë futur, ashtu sikurse për tifozët që hodhën mjetet piroteknike në fillimin e ndeshjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë