Ngjarje

Ekskluzive/ Raporti i Avokatit të Popullit: Tek Astiri gjithçka keq

Mungesë transparence, devijime të projektit, trajtime preferenciale në vlerësimin dhe dëmshpërblimin e banorëve, e deri tek shkelje të rënda të të drejtave të njeriut nga policia ndaj protestuesve të “Astir”-it.

Këto janë disa nga gjetjet e një raporti që Avokati i Popullit ka dorëzuar në Kuvend që më datë 21 tetor të këtij viti. Raporti nuk është publikuar ende, por gazeta “Si” përmes disa burimeve ju sjell thelbin e përmbajtjes së tij.

Raporti vë theksin kryesor tek mungesa e transparencës për projektin e Unazës së Madhe në aksin “Pallati me Shigjeta-Rrethrrotullimi Shqiponja”. Në të thuhet se ka një paqartësi të theksuar jo vetëm mbi kriteret që janë ndjekur në shpronësimin e banesave që preken nga ky aks, por edhe në gjurmët se ku kalon ky projekt.

Avokati i Popullit flet edhe për trajtime preferenciale, ku në të njëjtën vijë dhe për të njëjtin qëllim, pra “shpronësim për interes publik” vlerësimet janë trajtuar me çmime të ndryshme për metër/katror.

Raporti thekson se ka shkelje të shumëfishta të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të tjera që mbrohen në Kushtetutë, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe ligjet e tjera në fuqi në vend. Prej këtyre shkeljeve në raport nënkuptohet edhe dhuna e joproporcionale në më shumë se një rast e forcave të rendit ndaj protestuesve.

Raporti qorton në mënyrë të tërthortë protestën e banorëve të “Astirit” duke bllokuar qarkullimin e lëvizjes në Unazën e Re. Kjo formë proteste nuk është zgjidhje, sipas raportit, por qortohet gjithashtu edhe mungesa e përpjekjeve nga ana e Qeverisë dhe strukturave të tjera të pushtetit qendror e vendor për të biseduar me protestuesit.

Ndërkohë, në një raportim paraprak mbi ngjarjet e së martës (12 nëntor), të ndodhura pranë Rrethrrotullimit Shqiponja, Avokati i Popullit thotë se jo vetëm që dhuna dhe përplasja mund të ishte shmangur, por se vetë projekti duhet të kishte ngrirë deri në sqarimin e dyshimeve për pa rregullsi në tender.
Raporti paraprak cilëson si joproporcionale forcën e përdorur nga ana e Policisë në këtë përballje.
“Avokati i Popullit shpreh shqetësimin për përdorimin e vazhdueshëm të gazit lotsjellës si mjet i parë nga ana e forcave të policisë për të sulmuar grupe qytetarësh që protestojnë paqësisht, madje mbetet i paqartë protokolli i përdorimit të këtyre lëndëve, sidomos ndaj grumbullimeve të njerëzve, ku të pranishëm janë edhe fëmijë, gra e të moshuar”. Avokati i Popullit pret të marrë sqarime dhe një arsyetim shterues nga Policia dhe thotë se ka marrë shënime disa banorë që pretendojnë se janë dhunuar nga ana e policisë gjatë shoqërimit në komisariat dhe vë theksin në faktin që grupet e ekspertëve të tij nuk u lejuan nga ana e Policisë së Shtetit që të hyjnë në zonën ku fadromat e IKMT-së shembnin ndërtesat.
“Në mënyrë të papranueshme, punonjës të stafit të Avokatit të Popullit janë penguar nga ana e autoriteteve të Rendit që të hyjnë në perimetrin e zonës ku po kryheshin veprime. Kjo është një shkelje e qartë dhe e përsëritur e ligjit, i cili i garanton Avokatit të Popullit akses të plotë dhe të pakufizuar kudo ku ai e kërkon”, thuhet në reagim.

Raporti në Kuvend, Kuvendi “hesht”

Në bazë të ligjit organik të Avokatit të Popullit, ky institucion mund të paraqesë në Kuvend me nismën e tij raporte të veçanta, për çështje të caktuara, sidomos për ato, që në këndvështrimin e këtij institucioni përbëjnë shkelje të të drejtave kushtetuese, apo ligjore.
Duke shfrytëzuar këtë përcaktim ligjor, Avokati i Popullit i është drejtuar Kuvendit me raportin në fjalë mbi rastin e “Astirit”. Aktivizimi i kësaj pike ligjore do të thotë se ekspertët e Avokatit të Popullit nga këqyrja në terren kanë gjetur shkelje të të drejtave kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve.
Ligji përcakton gjithashtu se raportet e Avokatit të Popullit duhet të diskutohen nga Kuvendi brenda një afati 60-ditor. Aktualisht kanë kaluar rreth 20 ditë nga dorëzimi i raportit nga ana e Avokatit të Popullit, çka do të thotë se Kuvendi është ende brenda afatit për ta diskutuar këtë raport.
Gjithnjë sipas përcaktimit ligjor, Kuvendi ka kohë deri më datë 20 dhjetor që të diskutojë mbi këtë raport. Por, aktualisht, raporti për “Astirin” i Avokatit të Popullit nuk është futur ende në procedurë dhe nuk dihet nëse do të futet apo jo brenda këtij afati. Ajo që dihet është se nëse Kuvendi nuk e diskuton këtë raport, atëherë në fund të afatit 60-ditor, Avokatit të Popullit i lind e drejta që të bëjë publike gjetjet e raportit në fjalë.
Ky përcaktim strik ligjor e pengon Avokatin e Popullit që të bëjë publike më parë gjetjet e raportit, që burimet thonë se përfshihen thuajse të njëjtat shkelje të identifikuara edhe në zonën e Shkozës, po në kuadër të shpronësimeve për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë