Ngjarje

Ekskluzive / Pronari në Sarandë nuk bëri sherr për faturën. Dhe ata nuk ishin klientë…

Nga Gazeta Si - Video e sherrit të një pronari restoranti në Sarandë me disa persona të tjerë është e vërtetë, por jo shkaqet. Ata nuk u zunë për faturën e shtrenjtë që nuk donin ta paguanin klientët pasi konsumuan  ushqim. Jo nuk është fare kjo arsyeja, por diçka krejt tjetër.

Të paktën kështu rezulton nga dëshmia në polici e pronarit, të cilën po e zbardh Gazetasi.al ekskluzivisht.

Pala tjetër ende nuk është pyetur pasi sipas policisë ende nuk dihet se kush janë.

Dëshmia: Nuk është e vërtetë që i kërcënova për faturën, ata deshën të rrëmbejnë klientët

“...Unë isha në dhomë duke gatuar kur erdhën dy persona dhe kërkuan një dhomë. Për t’i ndihmuar ju thashë uluni të pini diçka se do marr një shok e do ta pyes nëse ka dhoma të lira.

Pasi fola me shokun tim që ka restorantin T. pranë kanalit të Çukës, aty erdhën tre persona të cilët i njoh si fytyra. Ata kërkuan që t’i merrnin ata të dy që po prisnin që t’i ndihmoja dhe donin që t’i çonin tek hyrja e tyre, por ndërkohë unë kisha folur me shokun tim, i cili po vinte t’i merrte”.

Ky është fillimi i rrëfimit të 48 vjeçarit A.C përpara policisë së Sarandës.

“Ju thashë dilni nga lokali se po më shqetësoni klientët. Ata nuk dolën dhe filluan të bërtasin. Aty vjen dhe një djalë tjetër i cili filloi të shante. Mbi tavolinë ishte një thikë dhe për t’u vetëmbrojtur kapa thikën në dorë dhe ju thashë a do dilni nga lokali. Më pas filluan të shtynin deri jashtë lokalit”- tregon 48 vjeçari që po hetohet për disa vepra penale duke nisur nga kanosja, prodhim dhe mbajtje armësh të ftohta dhe fshehje të të ardhurave.

I akuzuari i ka theksuar policisë se “njëri prej tyre kapi një gur dhe donte të më godiste”.

Mbas këtij incidenti të regjistruar edhe në video rastësisht por që u bë shumë shpejt virale, pronari i lokalit i tha policisë se e la punën dhe shkoi për të bërë një dush.

“Pasi bëra dush vajta në Fier tek njerëzit e mi se kisha një sebep familjar, por bashkëshortja më mori në telefon dhe më tha ka ardhur policia e po të kërkon. Erdha dhe u paraqita që t’ju them se çfarë ka ndodhur realisht”.

Policia thotë se nuk di kush janë “klientët” ose pala tjetër.

Sipas burimeve të sigurta të Gazetasi.al në policinë e Sarandës, nga hetimi i ngjarjes ka rezultuar se ajo ndodhi në katin e parë të një pallati gjashtë katësh, në restorantin F.

Policia i tha Gazetasi.al se bllokoi më së shumti një sërë faturash për kafe dhe pije freskuese.

“Në tavolinë gjendeshin asortimente gatimi, një thikë material inoksi me dorezë të zezë dhe pranë saj një tjetër thikë me teh të valëzuar me mbishkrime. Të dyja këto thika u sekuestruan si prova materiale” thotë burimi i policisë.

Mbasi ja ka zbrazur kuzhinën nga thikat,  policia thotë se është vënë në kërkim të shtetasve me të cilët u krijua konflikti që u faktua nga video që qarkulloi.

Policia ka kërkuar edhe ekspertim  të thikave për të cilat i dyshuari A.C këmbëngul se i ka mjete pune dhe se nuk janë pa leje siç ai akuzohet.

Video u bë virale në fillim të muajit gusht me titull “sherr i turpshëm në Sarandë, zbulohet kush është pronari që tentoi të godasë klientët”.

Por policia thotë se po heton mundësinë e  krijimit të një skenari për të diskredituar biznesin e 48 vjeçarit, por kjo do të saktësohet mbasi të mblidhen të gjitha dëshmitë e personave që ndodheshin në restorant.

Një prej banorëve pranë restorantit,  megjithëse atë ditë nuk ishte në lagje dhe nuk e pa ngjarjen, i tha i tha Gazetasi.al  se A. C e kthen ndonjë gotë raki si të gjithë burrat.

“Ai është nga një qytet tjetër dhe punon në Sarandë prej vitesh, nuk e kam parë të hapë problem”- deklaroi për Gazetasi.al  qytetari sarandiot që këmbëngul se incidente të tilla e shkatërrojnë si biznesin ashtu edhe turizmin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë