Ana e errët

Ekskluzive / “Merre se ta lashë”. Skandali me shërbimet fiktive, vidhet reparti ushtarak

Vjedhja e një reparti ushtarak, pjesë e Komandës Mbështetëse ka zbuluar një skandal të vërtetë se si organizohen shërbimet e ruajtjes së municioneve dhe objekteve ushtarake. Sipas një burimi të sigurt pranë Ministrisë së Mbrojtjes të gazetës Si rasti është denoncuar pranë policisë ushtarake që ndërkohë ka inspektuar dhe kontrolluar vendrojet. Ajo që policia ushtarake zbuloi në repartin ushtarak numër 4006 nuk ka aspak lidhje me rregullat strikte që duhet të zbatojë ushtria, madje ngjan se më kujdes tregohet në një dyqan lagjeje se sa në një repart ushtarak ku siguria dhe vigjilenca duhet të jetë maksimale.

Në përfundim të turnit, ushtarët largohen nga vendroja pa pritur turnin zëvendësues dhe në një rast kur njëri prej tyre ka ikur sipas axhendës personale, ai i telefonon shokut dhe i thotë “merre se ta lashë”. Por nuk ka asnjë inventar për repartet e tjera nëse ato zbatojnë kategorikisht dhe në mënyrë të prerë rregullat ushtarake apo veprojnë sikurse tek batalioni i furnizimit që mban materiale shumë të rëndësishme ushtarake dhe që në përfundim të kontrolleve u kuptua që ushtarët që merrnin shërbimin firmosnin sikur gjithcka ishte në rregull, ndonëse në shërbim nuk e kishin gjetur ushtarin e shërbimit paraardhës.
Burimet e gazetës Si pohojnë në anonimitet se rasti i vjedhjes së 70 fijeve hekur shirit të klasit të parë u denoncua në policinë ushtarake nga tetari L. L, me detyrë përgjegjës i rojeve në depon Lazaret. Por hetimi është shtrirë në të gjithë batalionin duke kthyer pa kaluar shumë kohë një precedent të dytë të vjedhjes së depove ushtarake kohët e fundit, ngjarje që shkaktohen nga abuzimi me shërbimin e vendrojes.

Por burimi pranë policisë ushtarake pohon se hetimi pas kqyrjes së vendit ku ndodhi vjedhja e materialeve, u shtri edhe në kontrollet e listave të shërbimit. Raportohet jozyrtarisht se shkeljet e evidentuara hedhin dyshime mbi tre ushtarakë, të cilët dyshohen për shkelje të shërbimit të vendrojes që sic kuptohet nga materialet e analizuara kanë vepruar shumë larg detyrave ushtarake.
Konkretisht L.L sipas burimeve ushtarake e ka marrë shërbimin ushtarak pa gjetur në shërbim ushtarakun që do zëvendësonte, nëntetarin L.A. Ndaj raportohet se përgjegjësi ka telefonuar nëntetarin për dorëzimin e shërbimit dhe Logli pëshkruan se ai i është përgjigjur: merre shërbimin, se unë jam larguar dhe shërbimi është në rregull dhe pa probleme. Burimi i policisë ushtarake përshkruan për gazetën Si se pasi L.L ka verifikuar materialet e rëndësishme si municion dhe armatim, ka firmosur procesverbalin e marrjes së shërbimit dhe aty ka parë që paraardhësi në detyrë nuk kishte firmosur dorëzimin e shërbimit. Policia ushtarake përmend jozyrtarisht si shkelje të parë dyshimet se nga ana e përgjegjësit është pranuar marrja e shërbimit dhe nuk ka raportuar për problemin e konsatuar tek oficeri i informacionit.
Shkelje me shërbimin konstatohen edhe në ditët në vazhdim ku oficeri L.A largohet nga shërbimi dhe nuk është prezent në momentin e dorëzimit të detyrës.
Roja i vendrojes numër dy pohojnë burimet, shtetasi I. I ka marrë shërbimin duke raportuar tek përgjegjësi se gjithcka ishte në rregull dhe pa problem. “Theksojmë se marrja e shërbimit është bërë në mënyrë fiktive duke mos ushtruar detyrën e përgjegjësit të rojes dhe duke mos ushtruar kontrolle në vendroje, largimi nga vendi i shërbimit dhe mos plotësimi i dokumentacionit në librin e shërbimit ka sjellë dhe pasojën e vjedhjes”, përshkruan në një dokument të klasifikuar policia ushtarake.
Më tej policia ushtarake detajon se veç tre ushtarakëve që kanë marrë detyrën fiktivisht pa ushtruar kontrolle dhe firmosur verifikimi është shtrirë edhe në librat e shërbimit për të parë grafiqet. "Është konstatuar se nuk respektohet grafiku i shërbimit i miratuar nga komanda nga ana e personelit të shërbimit”, evidentohet si shkelje e dytë në këtë repart ushtarak.
Burimet tregojnë se heqja e rojes në vendroje dhe mbulimi me përgjegjësin duke shkelur rregullat dhe urdhërat dhe duke ulur nivelin e sigurisë në grup në depot me municione, është kryer nga komandanti i kompanisë të administrimit të materialeve të tepërta, ndërkohë që shkelja e rregullave dyshohet të jetë kryer nga së paku gjashtë ushtarakë. Për këtë janë administruar librat e shërbimit dhe grafikët, libri i planizimit të shërbimit, libri i marrjes në dorëzim dhe shkresa zyrtare nga reparti ushtarak numër 4006, batalioni i Furnizimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë