Ana e errët

Ekskluzive/ Jo vetëm ndërtimet pa leje, policët “mbyllën sytë” edhe për përdhunimet

Jo vetëm ndërtimet pa leje, vjedhjet e grabitjet, por në një rast as përdhunimi nuk bën pjesë tek veprat penale me të cilat duhet të harxhonin kohën e tyre punonjësit e policisë së Durrësit, të arrestuar gjatë aksionit të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat mbrëmjen e së enjtes.

Gazeta “Si” ka siguruar ekskluzivisht dosjen e Prokurorisë, ku në një rast dyshohet se një oficer i Policisë Gjyqësore në Manzë, që në dosje përmendet vetëm me shkronjën E., jo vetëm që nuk ka arrestuar një shtetas të denoncuar për përdhunim, por mendohet edhe se ka dëmtuar provat duke bërë që në fund Prokuroria të dështojë të provojë akuzën e ngritur ndaj tij.

“Më datë 5 nëntor, nga ana e specialistit të krimeve të rënda janë referuar materialet në Prokurorinë e Durrësit për shtetasin S., i datëlindjes 25 shtator 1987, banues në fshatin Rr., sepse më datë 3 nëntor 2019 ka bërë një kallëzim penal shtetësja me inicialet V., pasi në fshatin Rrotull është përdhunuar nga S. Më 5 nëntor 2019, ky shtetas është shpallur në kërkim pasi akuzohet për veprën penale marrëdhënies seksuale me dhunë me të rritura. Specialisti i krimeve E., ka raportuar se ka vajtur për kontroll banese tek banesa e shtetasit S., dhe nuk e ka gjetur atë në shtëpi”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Por, nga zbardhja e përgjimeve telefonike, Prokuroria thotë se mes specialistit të krimeve dhe të akuzuarit për përdhunim kishte njohje.

“Nga bisedat telefonike të personit në kërkim rezulton se ka njohje me të (specialistin e krimeve E.) dhe është në dijeni se ndodhet në banesë dhe nuk kryen detyrën funksionale për ta shoqëruar dhe kryer veprimet proceduriale. Më pas, nën drejtimin e prokurorit u kërkua që të kryhen veprime proceduriale për të provuar faktin, por për shkak të njohjes dhe marrëdhënies së OPGJ, E., dhe të dyshuarit S., nuk pati rezultat për të provuar veprën penale”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Për rastin në fjalë, dosja e siguruar ekskluzivisht nga gazeta “Si”, Prokuroria thotë se në dijeni ka qenë të paktën edhe një efektiv tjetër i policisë së Manzës.

Po në fshatin Rrotull raportohet një vjedhje më 5 nëntor 2019 dhe sërish efektivët e policisë jo vetëm që nuk e kanë referuar në prokurori, por as nuk kanë kryer veprimet proceduriale duke nxjerrë një arsye qesharake.

“Në datë 5 nëntor 2019, shtetasi T ka njoftuar punonjësin e policisë, Petrit Neziri dhe ky i fundit ka njoftuar shtetasin S., për vjedhjen e dy banesave të shtetasit C., dhe motrës së tij që janë emigrantë në Itali. Pas verifikimeve në vend, punonjësit e policisë Petrit dhe Samiu nuk kanë kryer veprimet proceduriale për dokumentimin e ngjarjes, pavarësisht se rezultonte që në shtëpi ishte kthyer në Shqipëri. Ata kanë deklaruar se e kishin të pamundur të kryenin procedurat për shkak se nuk kishin çelsat e banesave”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Një tjetër rast kur Policia e Durrësit nuk heton denoncimet për vjedhje mbërrin nga zona pranë ish-hotel “Vila Mare”, i shembur nga tërmeti i 26 nëntorit. Sipas dosjes së Prokurorisë, njëri prej efektivëve të policisë që po hetohet në këtë dosje pasi ka raportuar në telefon me qëndrën duke thënë se bëhej fjalë për një keqkuptim dhe jo vjedhje.

Fshehja dhe mosraportimi i vjedhjeve ishte “normë” e pashkruar e vendosur nga efektivët e policisë të vënë nën akuzë, të cilët në një tjetër rast kanë minimizuar një grabitje me maska në një magazinë në zonën e Maminasit, duke mbajtur shënim se bëhej fjalë “për tre persona të maskuar që thjesht kanë hyrë dhe kanë dalë nga magazina”, duke mos e referuar në prokurori.

Ndërtimet pa leje

Në dosjen e siguruar nga gazeta “Si”, rastet më të shumta janë denoncimet për ndërtime pa leje. Pjesa më e madhe e këtyre denoncimeve, sipas Prokurorisë janë kryer përmes aplikacionit “Komisariati Digjital”.

Skema e përdorur me shpesh të mos ushtruar detyrën, duke mbyllur njërin sy përballë ndërtimeve pa leje është ajo e verifikimit në terren dhe më pas raportimet mbrapsht se nuk është konstatuar asnjë objekt i ri pa leje.

Por, nga përgjimet e transkriptuara nga Prokuroria del se në disa raste, efektivët e policisë të stacionit policor në Durrës, Shijak dhe Manzë udhëzojnë autorët e ndërtimit pa leje se çfarë duhet të deklarojnë, apo si duhet të veprojnë në momentin që në terren paraqiten për të verifikuar nga ekspertët.

Jo vetëm kaq, por sipas dosjes së siguruar ekskluzivisht nga gazeta “Si”, ka edhe raste kur efektivët e policisë investohen duke sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë së bizneseve për të zbuluar se kush i denoncon tek komisariati digjital për ndërtimin pa leje.

Hetimet kanë marrë shkas më 30 qershor, kur prokuroria ka regjistruar procedimin penal për shpërdorim detyre ndaj Agim Osmanit dhe Gani Damës, i pari me pozicion ndihmësspecialist në Policinë e Durrësit dhe i dyti polic patrulle po në këtë polici.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë