Gazeta Si – Një fitore nuk mjaftoi. Ekrem Imamoglu kishte nevojë për një të dytë për t’u zgjedhur kryebashkiak i Stambollit në vitin 2019.
Kundërshtarët e tij, krerët e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të udhëhequr nga Recep Tayyip Erdogan, morën anulimin e raundit të parë për shkak të “parregullsive” të supozuara.
Por Imamoglu i mposhti ata përsëri, me një diferencë më të madhe, duke marrë udhëheqjen e qytetit më të populluar të Turqisë nga AKP-ja pas një çerek shekulli.
Që atëherë Imamoglu – i cili ndërkohë, vitin e kaluar, u konfirmua për një mandat të dytë – ka qenë një nga eksponentët më të spikatur të Partisë Popullore Republikane (CHP) dhe, rrjedhimisht, një nga kundërshtarët kryesorë të Erdoganit.
Prandaj, ai ishte i destinuar, sipas të gjitha gjasave, të sfidonte Sulltanin – i cili është kreu i shtetit turk që nga viti 2014 – në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Por gara e tij përfundoi ende pa nisur, fillimisht për shkak të anulimit të befasishëm të diplomës (që e përjashton atë nga lista e ngushtë e kandidatëve) dhe më pas për shkak të arrestimit që u bë mëngjesin e kësaj të mërkure shtëpinë e tij, me akuzën e korrupsionit dhe ndihmës së një grupi terrorist në Turqi.
Por, kryebashkiaku i Stambollit, teksa policia po kontrollonte shtëpinë e tij, e bëri të qartë përmes rrjeteve sociale se nuk ka ndërmend të dorëzohet.
Për më tepër, sfida ndaj njeriut që ka qeverisur Turqinë tash e njëzet vjet – përpara se të zgjidhej në krye të shtetit, Erdogan ishte kryeministër për njëmbëdhjetë vjet – do të kishte qenë pjesa e fundit e një karriere politike që të kujtonte atë të kundërshtarit të tij.
Imamoglu lindi në vitin 1971 në një qytet në bregun e Detit të Zi, jo shumë larg vendit ku u rritën prindërit e Erdoganit dhe më pas u transferua në Stamboll për të studiuar ekonomi.
Dhe, si Erdogani, ai krijoi një vend të spikatur për vete në politikën kombëtare turke, kur u zgjodh kryetar i Bashkisë së Stambollit (presidenti aktual ishte nga viti 1994 deri në 1998).
Anëtarësimi i tij në CHP daton në vitin 2009, fitorja e tij e parë e madhe zgjedhore – si kryetar bashkie i një qarku të Stambollit – në vitin 2014.
Kundërshtimi i tij i ashpër ndaj regjimit të Erdogan, e ka bërë atë njeriun më popullor në bazën e partisë së tij dhe apelet e tij kundër “sistemit të pushtetit” që presidenti ka ndërtuar ndër vite, “duke përqendruar çdo vendim në duart e tij” (kështu tha Imamoglu në një intervistë me “Financial Times” në vitin 2024), kanë fituar konsensus edhe jashtë radhëve të CHP.
Për këtë arsye partia ishte gati ta kandidonte atë si kundërshtar të Sulltanit në zgjedhjet presidenciale, që priten të mbahen në vitin 2028.
Imamoglu pati shanse të mira, falë rezultateve të zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, më të këqijat për partinë e Erdoganit në 20 vjet.
Dhe thirrja e mundshme e hershme në zgjedhje do ta kishte ndihmuar atë: Kushtetuta përcakton se, nëse presidenti aktual dëshiron të kandidojë përsëri, ai nuk mund të përfundojë mandatin e tij të dytë.
Por pas arrestimit të sotëm, anulimit të diplomës së tij universitare dhe dënimit të pësuar në vitin 2022 për “shpifje” të autoriteteve zgjedhore – kundër të cilave ai tashmë ka apeluar dhe që mund t’i kushtojë përjashtimin nga jeta politike – CHP-së do t’i duhet të mendojë për një emër tjetër në përpjekje për të bindur qytetarët turq që t’i japin fund epokës së Erdoganit.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.