Ministrja e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ekonomi, teksa po fliste për prioritetet e 2023-shit dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve online, tha se do ndiqet performanca e nëpunësve civilë në Shqipëri.
“Nisma e qeverisë nuk është vetëm për shërbimet qendrore por edhe vendore. Është e rëndësishme që të hartojmë një listë të unifikuar për standardet e shërbimeve.
Sa i takon Open Government Partnership, është e rëndësishme të thërrasim opinionet e shoqërisë civile në hartimin e këtij plani. Situata tjetër e rëndësishme është që të kemi institucione të mira që të bëjnë punët. Vendosja e praktikave operacionale është shumë e rëndësishme se është sfidë e madhe pasi përmirëson jetën e brendshme të çdo administrate ndaj po bashkëpunojmë me UNDP. Performanca e nëpunësve civilë është një tjetër detyrë e 2023. Performanca e individit nuk lidhet me atë të institucionit”, tha Ekonomi.
Ndërsa Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, Edona Bilali teksa po fliste për start-up-et tha se sektori më përfitues rezulton të jetë teknologjia e informacionit dhe komunikimi me 35%.
“Çelësi i parë i suksesit është pasaporta e start up-it. Janë gjeneruar në total 1299 pasaporta ndërkohë që gjatë shërbimit të dhënies së konsulencës, e cila ishte falas dhe u bë përmes një sistemi online, kemi asistuar aplikantë për thirrjen e parë që kishte buxhet të dedikuar prej 300 milionë lekësh për 29 start-up.
Kategoritë që kanë përfituar nga thirrja e parë janë bashkitë, 7 prej tyre janë mbështetur në thirrjen e parë.Mosha mesatare e përfituesve të thirrjes së parë është 34 vjeç”, tha Bilali ndërsa shtoi se po u japin një rëndësi të madhe edhe nomadëve digjitalë, 100 prej të cilëve aktualisht po operojnë në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.