Ekskluzive

Efektivi i policisë prenotoi dhomën e hotelit dhe bëri taksistin për Ervis Martinajn – Si u zbulua

Nga gazeta "Si"-Gjykata caktoi masën e sigurisë arrest me burg për efektin e forcave operacionale të posaçme, Jeton Lami, 28 vjeç. Ky i fundit akuzohet se ka shoqëruar me makinë Ervis Martinajn në më shumë se një rast për t’iu shmangur kontrolleve, apo postblloqeve të policisë që mund të haste gjatë rrugës.

Në fashikull i siguruar ekskluzivisht nga Gazeta Si theksohet se nga hetimi paraprak rezulton se Lami ka keqpërdorur funksionin e efektivit të policisë duke kryer veprime aktive. Por, çfarë ka bërë konkretisht efektivi i Drejtorisë së Posaçme që ka për detyrë drejtimin e aksioneve për kapjen e të kërkuarve, vëzhgimin dhe infiltrimin?

“Ai ka kryer veprime domethënëse duke ndihmuar Ervis Martinajn që t’i shmangej organeve të drejtësisë dhe të mos arrestohej”, thuhet në fashikull dhe kjo gjë provohet nga kamera të sigurisë që janë sekuestruar e bllokuar gjatë këqyrjeve në Durrës, në kulmin e hetimeve që kanë nisur për rrëmbimin e Ervis Martinaj.

“Kamera e parë e sigurisë u bllokua në qytetin e Durrësit në Hotelin Adriatik, ku dhe rezulton se në datën 5 gusht 2022 në orën 21.00  punonjësi special i policisë shfaqet teksa shoqëron të shumëkërkuarin Ervis Martinaj. Udhëtimi i tyre kryhet me automjetin AUDI”, theksohet më tej në fashikullin e treguar ekskluzivisht gazetës SI.

Ky mjet luksoz tip A8 me targa ER… GA parkon në hotel. Polici hyn në hotel dhe sipas burimeve që janë pjesë e grupit të hetimit rezervon një dhomë me emrin e tij. Kamerat dhe marrja në pyetje konfirmon se Ervis Martinaj qëndroi në këtë hotel nga data pesë gusht deri në datën 6 gusht. Ndërkohë, të nesërmen polici paraqitet sërish dhe e merr Ervis Martinajn duke e transportuar me një makinë tjetër luksoze.

Mjeti është tip Volkswaggen me targa B…3 dhe siç bëhet me dije mjeti del nga hoteli me Martinajn e shumëkërkuar që hipën në pjesën e pasme të automjetit luksoz si një pasagjer VIP. Grupi i hetimit që pranon se ka këqyrur qindra kamera sigurie thotë për gazetën Si, se polici në këtë rast si shofer vazhdon udhëtimin në qytetin e Durrësit, por se ku shkoi Martinaj nuk e thotë askush pasi dhjetra kamera po këqyren në kërkim të Volkswaggen që është gjurma më e rëndësishme e udhëtimit të 40-vjeçarit.

Nga ky udhëtim, tre ditë më pas familja trokiti në polici dhe kërkoi ndihmë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë